23 Dhjetor 2024

Java e Minatorit edhe njëherë na rikujton sakrificën

Shkruar nga Safet Gërxhaliu


Është kënaqësi e veçantë në kohën kur një urim është shumë më i madh se vet simbolika që bartë ai.  Njësoj është edhe Java e Juaj, Java e Minatorit. Janë ditët kur sërish kemi rastin që edhe një herë të vlerësojmë  ndikimin e Juaj në rrjedhat e  historisë. Jo vetëm në atë të zhvillimit dhe të prosperitetit ekonomik e social të tërë Kosovës, por edhe për të arritur  këtu ku jemi sot – në shtetin  e pavarur- në Republikën e Kosovës.

Java e Minatorit edhe njëherë na rikujton sakrificën e Juaj para 23 vjetësh, kur tronditët themelet e një krijese, e cila për shumë dekada  në mënyrë të pamëshirshme eksploatoi djersën e Juaj, të gjtha të mirat materiale e financiare që u krijuan në “Trepçë” dhe  begatitë që na ka dhuruar Zoti- rezervat e mëdha të xehes. 

Por, Ju në kohën më të duhur ishit largpamës dhe patët guximin që të gërmoni për ndryshimin e zhvillimeve në të shoqërinë, të cilat u shndërruan në histori.  Në thellësitë e nëntokës së Stantergut para 24 vjetësh u shembën mbretëritë, në mënyrë të fuqishme doli kërkesa për liri dhe për demokraci, që ishin frymëzim edhe për lëvizjen për çlirimin dhe pavarësi. 

Ky ndikim i Juaji nuk mund të nënçmohet , e as të mohohet.  Pa marrë parasysh se me vite të tëra  vendi dhe pozita e minatorëve nuk është ajo që ata e meritojnë. As ajo e gjigantit të tyre  -”Trepçës”, me të gjitha  njësitë e saja. Pas ndjekjes dhe persekutimeve që përjetuat nga pushteti okupues,  në kohën kur Kosova po përjetonte  lirinë, ju nuk ishin pjesë e plotë e saj. Ju këtë nuk keni mundur ta përjetoni pa “Trepçën” dhe pa minierat. 

Ju kishit nevojë për to. Por edhe Kosova.  Ju kishin nevojë për punë dhe kushte më të mira për jetë, njësoj sikur tërë popullata e Kosovës.  Por,  misionet e huaja, administratorët ndërkombëtarë e pushtetet  transitore asnjëherë nuk e kuptuan kërkesën dhe dëshirën e Juaj.  “Trepca”  pa të drejtë mbeti peng i konfuzionit,  synimeve shkatërruese dhe interesave gllabëruese.  Të tillët ende  qëndrojnë mbi gjigantin dhe bllokojnë ecjen e saj  të fuqishme  dhe ia pamundësojnë që të jetë  bartëse e zhvillimit ekonomik të tërë vendit.

Krahas këtij urimi ju përcjelli edhe premtimin tim, por edhe të tërë komunitetit të biznesit të anëtarësuar në Odën Ekonomike të Kosovës, se keni përkrahjen tonë të plotë në kërkesat që “Trepçës” t’i kthehet shkëlqimi që e kishte dhe mundësia për të ndryshuar kushtet e jetës dhe standardin e Juaj, të  banorëve të qytetit të Juaj, por edhe të tërë atyre që jetojnë në Kosovë.  Kjo kërkesë është reale dhe plotësisht e realizueshme.  Kjo na bindë dhe na nxitë që të rreshtohemi  pas Jush dhe të qëndrojmë përderisa nuk përmbushet ajo.  “Trepça”  është vlerë kombëtare dhe na duhet të gjithëve.

 Uroj edhe dëshiroj që sivjet Java e Minatorëve të mos përmbajë vetëm simbolikë, por edhe njëherë  politkbërësve dhe atyre që marrin vendime t’iu tërhiqet vëmendja  se duke hezituar të zgjidhin problemin “Trepçës” po bllokojnë perspektivën ekonomike të vendit, po e varfërojnë tërë popullatën dhe po e pamundësojnë ndikimin e Kosovës në tregun ndërkombëtarë.  Ju këtë nuk e dëshironi, por as nuk e meritoni.

Uroj që Java e Minatorëve pas një viti të ketë një shkëlqim krejtësisht tjetër. Ate që ju e kërkoni me vite.  Në këtë rrugëtim do ta keni përkrahjen e tërë komunitetit të biznesit.  Shpresoj se me këtë përkushtim do të ndikojmë që ju sërish të jeni prijës  për ardhmërinë më të mirë të tërë Kosovës.                           

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)