Ja pse nuk ka komb kosovar
Shkruar nga Leutrim Sahiti
Në literaturën shkencore dhe praktiken shtetërore njihen dy forma të krijimit të kombit: Kombi etnik dhe kombi qytetar.
Kombi etnik është kur pjesëtarët e atij kombi kanë një ndjenjë të përkatësisë së përbashkët dhe identifikohen me karakteristika të përbashkëta, si është prejardhja e përbashkët, raca, kultura, gjuha ose feja, siç është kombi shqiptar.
Kombi etnik është ai komb ku përkatësia e tij nuk definohet me anë të shtetit dhe është plotësisht e natyrshme që pjesëtarët e të njëjtit komb të gjenden në shtete të ndryshme.
Kombi qytetar është një grup njerëzish që lidhen kryesisht nga nënshtetësia e përbashkët, vullneti për të jetuar bashkë, pavarësisht nga besnikëritë e tyre kulturore, etnike etj.
Kombet qytetare pranojnë më lehtë popullata të ndryshme në gjirin e kombit në saje të identitetit politik. Sidoqoftë, këto vende gjithashtu kanë një ndjenjë të zhvilluar të identitetit etnik dhe kulturor.
Për më tepër, qëndrimi karshi imigrantëve dhe qytetarëve të natyralizuar tregon se ata nuk janë aq të barabartë me të zotët e shtëpisë.
Këtë e ilustron natyralizimi i kushtëzuar me provimet e shtetësisë (që provojnë njohjen e kulturës dhe gjuhës së shtetit përkatës), betimin dhe parakushte të tjera (qëndrimi i pandërprerë për një periudhë të caktuar në shtet, puna vullnetare, etj.) si dhe ndalimi i disa zakoneve të pakicave.
Sipas Dominique Schnapper kombi përcaktohet nga dëshira që nëpërmjet qytetarisë të dalë përmbi përkatësitë e veçanta, biologjike, historike, ekonomike, fetare ose kulturore si dhe të përkufizojë qytetarin si një individ abstrakt pa i bërë ndonjë shquarje ose cilësime të veçanta, një nga vetitë thelbësore të shtetit modern është laiciteti që simbolizon faktin themelorë se lidhja shoqërore tani më nuk është fetare por kombëtare, pra politike.
Tani meqë e kemi të qartë ekzistimin e dy lloje të kombeve mund të analizojmë nëse ekziston kombi kosovar apo jo.
Është fakt që ka tendenca për krijimin e kombit kosovar, është tendencë e bashkësisë ndërkombëtare ku përmes trajtimit të barabartë dhe të diskriminimit pozitiv që i bëhet komuniteteve pakicë në Kosovë, tentohet që qytetarët e Kosovës pavarësisht etnive të tyre të pranojnë shtetin e Kosovës si krijesë të tyre dhe të mos kërkojnë ndarjen apo bashkimin me ndonjë shtet tjetër.
Krijimi i identitetit të ri kosovar do të thotë pamundësim i shqiptarëve të Kosovës për bashkim me pjesën tjetër të shtetit shqiptar, dhe komunitetit serb për bashkim të komunave serbe në veri me Serbinë, pra është masë preventive për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Pra politika e bashkësisë ndërkombëtare është që tani kombi të identifikohet me shtetin dhe secili qytetar pa marrë parasysh etninë e tij, do të jetë pjesë e kombit të atij shteti në mënyrë që ti ndalojë pretendimet e popujve të ndryshëm etnikisht që jetojnë brenda një shteti të mendojnë për pavarësim nga shteti ku ata jetojnë apo bashkim me pjesën tjetër të kombit.
Së pari ekzistimi i dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës nuk pengon që qytetarët e këtyre dy shteteve të jenë pjesë e një kombi, atij shqiptar.
Së dyti Për tu krijuar një komb qytetar kosovar nevojitët që të gjitha komunitetet në Kosovë ta ndiejnë vetën si kosovarë dhe ta pranojnë njeri-tjetrin si pjesë të atij kombi, ti tejkalojnë veçantitë e tyre dhe të krijojnë vlera të përbashkëta kulturore e politike, pastaj kjo ide duhet të burojë nga brenda, pra të jetë vullnet i popullsisë që jeton në Kosovë.
Dhe nga analizimi i kushteve që nevojiten për krijimin e kombit kosovar vijmë në përfundim që kombi kosovar nuk ekziston dhe është vështirë i realizueshëm, i pa nevojshëm por jo edhe i pamundur në të ardhmen relativisht të largët.
(Leutrim Sahiti, Sociolog dhe politolog, Drejtor i Institutit për hulumtime dhe studime sociologjike- Sociometri)