Interesa reciproke ekonomike Shqipëri-Kosovë
Shkruar nga Prof. Dr. Edmond Panariti
Fryma vëllazërore dhe partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës, synon krijimin e kushteve për hapësira gjithnjë e më të gjera mbarëshqiptare për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe të shërbimeve.
Krijimi i këtyre hapësirave simbolizon bashkimin e vërtetë të shqiptarëve dhe ndihmon ekonomitë e vendeve tona që të zhvillohen, rrit mirëqenien e qytetareve tanë dhe nxit proceset integruese të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Nënshkrimi i protokollit të komisionit të përbashkët ndërqeveritar midis Shqipërisë dhe Kosovës si dhe vënia në lëvizje e mekanizmave përkatës, nëpërmjet krijimit të komisioneve të përbashkëta të ekspertëve, nënkupton koordinim dhe bashkëpunim për adresimin e problemeve që mund të dalin në të dy anët e kufirit lidhur me cilësinë dhe sigurinë e mallrave dhe të shërbimeve.
Është një detyrim institucional që rrjedh edhe nga marrëveshja e nënshkruar që komisioni i përbashkët Shqipëri- Kosovë, të informohet urgjentisht për çdo shkelje apo parregullsi të pretenduar nga ana e autoriteteve përkatëse, përpara se të ndërmerren hapa ekzekutive. Është e nxituar, e pajustifikuar dhe e dëmshme që pa u njoftuar autoritetet përkatëse të ndërmerren akte bllokimi, përjashtimi dhe sekuestroje për mallrat dhe shërbimet përkatëse.
Në fakt janë të njohura përpjekjet për të instrumentalizuar marrëveshjet fitosanitare për të krijuar pengesa artificiale ndaj tregtisë së lirë të mallrave midis vendeve.
Për këtë arsye vendet anëtare të OBT-së, janë të detyruara që të gjitha metodat e tyre në sferën fitosanitare dhe të sigurisë ushqimore ti bazojnë vetëm te standardet e përcaktuar te Kodeksi Ushqimor i Organizatës Botërore të Ushqimit FAO, te Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (OIE) dhe te Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve (IPÇ).
Nëse kjo do të kishte ndodhur, sigurisht do të ishte shmangur kjo situate kaotike me elementë spekulativë në lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Askush nga institucionet e fushës nuk iu është referuar këtyre standardeve dhe për rrjedhojë vlerësimet kanë qenë të pambështetura dhe të nxituara. Le të përpiqemi që me anë të mekanizmave institucionale, të vlerësimeve serioze shkencore të rrezikut të pretenduar nga të dy palët si dhe me bashkëpunim të autoriteteve dhe institucioneve të fushës, të përmbajmë spekulimet dhe spekulantët nga përpjekjet për të dëmtuar interesat e konsumatorëve dhe të bizneseve midis dy vendeve tona.
/Autori është Minister i Jashtem i Shqipërisë/