Intelektuarli largpamës
Shkruar nga Nuhi Bytyçi
U bë një muaj kur u nda nga jeta politikologu, gazetari, publicisti dhe analisti politik Ramush Tahiri.
Ai padyshim ishte njëri prej gazetarëve, publicistëve dhe politikologëve më të spikatur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare.
I diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit, Ramushi u dallua nga kolegët e tij në gazetën e atëhershme “Rilindja” me shkrimet e tij analitike politike.
Që nga ajo kohë kam pasë rastin që ta takohem dhe bisedoj me Ramush Tahirin, kurse me angazhimin e tij dhe timin në alternativën e atëhershme politike shqiptare në fillim të viteve 90-ta, më konkretisht në Kryesinë e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës kemi pasur rastin që të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë në emancipimin politik të shqiptarëve të Kosovës dhe në krijimin e forontit unik kundër regjimit okupues serb.
Gjatë angazhimit të tij në pozicionin e nënkryetarit të PSHDK-së, Ramish Tahiri shquhej për zgjuarsinë, nivelin e lartë politik dhe intelektual, i cili proceset e atëhershme shoqërore e politike i shihte me largpamësi, me një vizionaritet shumë të qartë dhe ishte i përkushtuar e i vendosur për një të ardhme më të ndritshme të popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon.
Ai besonte dhe punonte për të realizuar synimin e popullit të Kosovës në rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke e përfaqësuar PSHDK-në në Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës dhe në ish-Jugosllavi, Ramushi dha kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e frontit unik politik dhe ekzekutiv të shqiptarëve kundër regjimit okupues serb.
Me zgjedhjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil, në krye me Bujar Bukoshin, Ramush Tahiri pranon detyrën mjaft me përgjegjësi dhe plot sfida, atë të Nënkryetarit të Qeverisë dhe njëherësh të Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës.
Edhe me këtë rast, Tahiri u shqua si njeri pragmatist dhe unifikues, duke bërë përpjekje për koordinimin e të gjitha aktiviteteve dhe veprimeve të Qeverisë dhe të Parlamentit të Kosovës në ekzil.
Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimit të përgatitjeve për luftë frontale në Kosovë kundër policisë dhe ushtrisë serbe, Ramush Tahiri bashkëpunoi ngushtë me Fehmi Lladrovcin dhe drejtues të tjerë të UÇK-së, duke kontribuar në mbështetjen e parezervë të luftës së UÇK-së nga oficerët e atëhershëm shqiptarë në Kroaci, Slloveni dhe vendet evropiane dhe angazhimin e tyre në frontet e luftës në Kosovë.
Më kujtohet kur në vitin 1996 e 1997 shkoja në Tiranë të montoja disa telereportazhe dhe dokumentare nga Kosova dhe diaspora jonë për TV Shqiptar, Ramush Tahirin e kam takuar dhe kam biseduar me të deri sa ai punonte në reaksinë e gazetës “Rilindja” që botohej në kryeqytetin shqiptar.
Ramushi e vlerësonte të domosdoshme ndërrimin e strategjisë politike paqesore në Kosovë, duke e parë rezistencën e armatosur si rrugëdalje të vetme për lirinë e Kosovës.
Atë e kam takuar disa herë bashkë me gazetarin e ri, Ali Ukën, i cili shkruante artikuj interesantë, sidomos për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq, pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, Ramush Tahiri dha kontribut të posaçëm në ndërtimin e institucioneve të para të Kosovës së re. Ai ishte këshilltar politik i Kryetarit të parë të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, këshilltar i Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i proceseve dhe analist i dëshmuar i çështjeve politike në shtetin e ri demokratik të Kosovës.
Ramushi, si politikolog dhe intelektual i nivelit evro-perëndimor, shumë i mprehtë, i qetë dhe përherë që gjente zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha problemet shoqërore.
Po e veçoj me këtë rast edhe bashkëpunimin me kolegun dhe mikun tim Ramush Tahiri me rastin e realizimit të filmit dokumentar kushtuar heronjve të Kosovës Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci.
Ramushi në mënyrë të argumentuar e me mburrje fliste për figurën humane e atdhetare të Fehmiut dhe të Xhevës, duke më dhënë edhe disa fotografi nga koha e studimeve në Zagreb, vizita në Shqipëri dhe gjatë luftës në Kroaci. Kështu ai e begatoi dokumenztarin tim për 2 heronjtë e lirisë së Kosovës.
E takoja shpesh dhe këmbenim mendime për proceset e vështira të shtetndërtimit në Kosovën e re, atëherë kur bashkëpunonte në vazhdimësi me Radiotelevizionin e Kosovës, ku si analist politik paraqiste pikëpamjet e tij për proceset konkrete politike.
Ishte i vetëdijshëm për gabimet e klasës politike të pasluftës, i kritikonte bartësit e gabimeve që e ngadalësonin procesin e ndërtimit të një shteti të mirëfillët demokratik, por gjithnjë me maturi dhe me çasje konstruktive për domosdonë e eliminimit të tyre dhe ndërtimin e një shteti më të qëndrueshëm dhe me perspektivë për të ardhmen e brezave të rinj.
Ramush Tahirin do ta kujtojmë përherë si njeri të mirë, koleg me vyrtyte të larta humane, profesionale, parasëgjithash me vizione frymëzuese kombëtare.