Institucionet përgjegjëse të krijojnë kushte për ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave
Shkruar nga EC Ma Ndryshe
Sfidat e menaxhimit të sasive në rritje të mbeturinave, veçanërisht nga zonat urbane në zgjerim, paraqesin një kosto të konsiderueshme për shoqërinë si dhe ushtrojnë presion mbi mjedisin natyror dhe ndryshimet klimatike.
Por ky material i hedhur po ashtu përfaqëson një burim të vlefshëm, i cili mund të ruhet në ekonomi duke përqafuar qasjen e ekonomisë qarkore. Për një ekonomi qarkore është thelbësore që të riciklohen materialet nga mbeturinat.
Një rol të rëndësishëm luan edhe rikuperimi i energjisë nga mbeturinat. Bashkimi Evropian i ka dhënë prioritet politikave të ekonomisë qarkore.
Prandaj është e përkushtuar për zbatimin e parimeve të hierarkisë së menaxhimit të mbeturinave, e cila promovon parandalimin, ripërdorimin dhe riciklimin e tyre. Kjo kërkon zhvillimin dhe vendosjen e zgjidhjeve eko-inovative.
Ndërkohë për institucionet e Kosovës, të nivelit lokal e atij qendror menaxhimi i mbeturinave mbetet sfidë serioze, pasi që akoma nuk janë gjetur përgjigjet e duhura, sa i përket grumbullimit, transportit, riciklimit, ripërpunimit dhe deponimit të tyre, duke paraqitur rrezik potencial për mjedisin e rrjedhimisht edhe për shëndetin e njeriut.
Gjetjet e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit tregojnë se mbeturinat në Kosovë deponohen pa ndonjë ndarje duke përfunduar të gjitha në një vend.
ZKA sivjet ka publikuar raportin e auditimit të performancës me temën “Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”, për të vlerësuar nëse institucionet përgjegjëse janë duke bërë mbledhjen, trajtimin dhe asgjësimin e mbeturinave komerciale në mënyrë efektive me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve që ndikojnë në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, ku subjekt i auditimit kanë qenë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” dhe “Pastërtia”, Komuna e Ferizajt dhe e Fushë Kosovës si dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. “Konkluzioni i auditimit është se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Ferizajt dhe Fushë Kosovës nuk kanë arritur të krijojnë kushte për ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave. Për pasojë rrezikohet mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut”, thuhet në raport, duke shtuar se Ministria nuk ka hartuar politika dhe procedura për mënyrën e menaxhimit të të gjitha llojeve të mbeturinave.
Aty përkujtohet se për menaxhimin e mbeturinave komerciale ka një numër të udhëzimeve administrative, mirëpo për mbetjet më të vëllimshme ende nuk është arritur rregullimi për menaxhimin e detajuar të tyre sikurse në rastin e plastikës, letrës dhe kanoçes.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Ferizajt dhe Fushë Kosovës kanë hartuar plane për menaxhimin e mbeturinave, mirëpo ato nuk kanë bërë një vlerësim se deri ku kanë arritur të realizojnë këto plane.
Si pasojë, nuk kanë informata se sa janë zbatuar çështjet që ndërlidhen me investime në impiante për trajtim të mbeturinave dhe për makinerinë e cila do të shërbente për ndarjen e mbeturinave në burim.
Janë ndërtuar dy impiante me vlerë mbi 11 milion euro, por që vazhdojnë të mos jenë funksionale. Kjo përveç që pamundëson trajtimin e mbeturinave sipas kategorizimit të duhur, makineritë vazhdojnë të amortizohen pa u përdorur fare”, shkruan në raport.
Në të njëjtën kohë theksohet se Kompanitë Regjionale të Mbeturinave gjatë grumbullimit nuk i ndajnë mbeturinat sipas katalogut shtetëror për mbeturina dhe një gjë e tillë nuk bëhet as nga Kompania për Menaxhimin e Deponive gjatë deponimit të tyre, derisa kategorizimi i mbeturinave për biznese kundrejt atyre të amvisërive bëhet vetëm për çështje të tarifës.
“Mbrojtja e mjedisit është e rrezikuar pasi që deponitë sanitare dhe stacionet e transferit vazhdojnë të mos kenë leje të integruara. Edhe pse procesi i marrjes së lejes së integruar ka filluar nga vitit 2012 e cila lëshohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ky proces deri në prill të vitit 2021 nuk ka përfunduar dhe që tregon se deponitë sanitare dhe stacionet e transferit vazhdojnë të deponojnë mbeturina pa i plotësuar kushtet për të mbrojtur tokën, ujin dhe ajrin.
Përfundimet audituese tregojnë se çështjet lidhur menaxhimin e mbeturinave komerciale kërkojnë përmirësime të menjëhershme”, nënvizohet në raport, ku janë adresuar edhe rekomandimet për institucionet përgjegjëse.
Ndërsa Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i vitit 2021 ka theksuar se kërkohet rritje e kapaciteteve në të gjitha nivelet si dhe përcaktimi i objektivave dhe afati kohor për fazat kryesore të menaxhimit të integruar të mbeturinave dhe ekonomisë qarkore në Kosovë, dhe ka rekomanduar që të vazhdohet të rritet mbulueshmëria e grumbullimit të mbeturinave, veçanërisht me futjen e ndarjes së mbeturinave dhe riciklimin, që të vendosen masat e ekonomisë qarkore për të zvogëluar mbeturinat, si dhe të adresohet në mënyrë efektive çështja e deponive të paligjshme.
Legjislacioni në fuqi në Kosovë për mbeturina ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe të mjedisit nga ndotja dhe rreziku nga mbeturinat, përmes administrimit të mbeturinave, duke krijuar kushte për parandalimin dhe zvogëlimin e prodhimit të mbeturinave dhe rrezikshmërisë së tyre, veçanërisht përmes: zhvillimit të teknologjive të pastra dhe përdorimit efikas të tyre; zhvillimit dhe përdorimit të produkteve të cilat për nga natyra e prodhimtarisë dhe deponimit përfundimtar të tyre, janë të dizajnuara për uljen e dëmshmërisë së mbeturinave dhe rrezikshmërisë nga ndotja; zhvillimit të teknikave të duhura për deponimin përfundimtar të substancave të rrezikshme të cilat i përmbajnë mbeturinat me mundësi përpunimi; përpunimit tÑ mbeturinave me anë të riciklimit, ripërdorimit apo të ndonjë procesi tjetër, për nxjerrjen e lëndëve sekondare; përdorimit tÑ mbeturinave si burim i energjisë; dhe sanimit tÑ vendeve të ndotura nga mbeturinat.
Deri më tani ky qëllim nuk është përmbushur, ndërkohë që edhe masat e ndërmarra në këtë drejtim janë të kufizuara, prandaj nevojitet një përkushtim më i madh prej të gjithë akterëve për ndryshimin e gjendjes aktuale.
Institucionet përgjegjëse duhet që të angazhohen me përkushtim më të madh drejt rregullimit të infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave, duke mundësuar ndarjen e tyre në burim e deri tek riciklimi përkatësisht ripërpunimi, për të lehtësuar përqafimin e qasjes së ekonomisë qarkore.
Në anën tjetër qytetarët duhet që të bëjnë përpjekje maksimale për të mbajtur në minimum krijimin e mbeturinave, duke bërë gjithçka që është e mundur në mënyrë të arsyeshme për të ripërdorur, ricikluar ose rikuperuar; paralelisht me kujdesin që mbeturinat mos të hidhen në mënyrë të paligjshme nga transportuesit, sikurse edhe raportimin tek autoritetet për parregullsitë e kësaj natyre.