26 Dhjetor 2024

Institucionalizimi i krizës partiake

Shkruar nga Albin Kurti

Nuk përdoren fjalë që të ndërtohen fjali që të shprehet kuptim. Më parë, thuhen fjali që të përdoren fjalë, që të përdoret një fjalë, për të shprehur dominim. Qëllimi i fjalive është frekuenca e përdorimit të fjalës ‘krizë’, që nuk konstaton gjendjen (e dëgjuesit) sa projekton dëshirë (të folësit).

Etimologjia e fjalës ‘krizë’ nga latinishtja e ka kuptimin e pikës së kthesës në një sëmundje. Po pra, duke na thënë që jemi në krizë, duan të na hospitalizojnë, të na shndërrojnë në pacientë, pacientë që presin, pacientë që duhet të kenë durim, në përputhje me etimologjinë e fjalës pacient: të vuash, të presësh të pësosh vuajtjen me durim, nga latinishtja.

Jemi në krizë? Njëmend? Çfarë krize? Kush po thotë? Për kënd po thonë? 11 qershori e ka zbritur PDK-në në pikën e saj më të ultë historikisht. 23 deputetë. Vetëm 23 deputetë. Ajo në opozitë kishte më shumë deputetë sesa tash që synon sërish qeverisjen me kaq pak deputetë. Udhëheqja e PDK-së ka gabuar.

Një mëngjes të mugët pas një ndeje të harrueshme është zgjuar si djathtiste me parullën ‘Familja, Prona, Shteti’. Ka braktisur qytetarin e shoqërinë, individin e publiken, kombin dhe republikën. Jo vetëm që ka gabuar. Ajo nuk ka mundur të gabojë më shumë se kaq.

Kriza e kësaj partie, kriza e një partie, po synon të institucionalizohet, të bëhet krizë institucionale. Krizën e PDK-së si parti po orvaten da transformojë në krizë të institucioneve të shtetit.

Duke zvarritur e duke mohuar, duke bojkotuar e duke bllokuar, duke mbajtur anë presidenti e duke lobuar me kriminelë, duke joshur e duke kërcënuar, të afërm të deputetëve e me të afërm gazetarë të tyre mbi vetë deputetët. Këto janë shkelje të ligjit e kushtetutës, janë vepra penale. Sikur të kishim shtet demokratik.

Ata që i kanë kapur institucionet duan që kriza e tyre t’i kaplojë institucionet. Që populli të vuajë e të presë, si pacient e në spital, të pasivizohet e të rikthehet në spektator, që shikon e dëgjon mjekun, tërë sy e vesh e… pa zemër.

Kjo kundërthënie është e vjetër sa vetë politika: në njërën anë shteti i kapur sepse kapësit e shtetit, në anën tjetër, lëvizja progresive sepse demokracia qytetare.

Duke u vënë kurthe të tjerëve, PDK-ja ka pësuar vetë: nga fitorja në fitore, deri në humbjen përfundimtare. Prej tri kurtheve që u përgatisin të tjerëve, krerët e PDK-së tashmë bien vetë brenda në katër sosh. Kurthimi bëhet kurth për kurthuesin. Paul Valery thoshte: “Ruhu prej aftësisë më të madhe që ke, se ajo ta sjell fundin”.

Qytetarët duan një shtet për të qenë, një shtet të mirëqenies. Republika jonë e përbashkët nuk do të ndalet prej një partie në krizë e prej krizës së asaj partie. Dhe, nuk ndalet dyfishimi i 11 qershorit. Shënojeni 22 tetorin në kalendar. Kriza është e tyre. E ardhmja është e jona. Sepse me zemër.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)