Informacionet asimetrike dhe hazardi i moralit, shkaktarë të krizave
Shkruar nga Fidan Kosumi
Epoka e sotme përkufizohet si epokë e informacionit. Gjenerator kryesor i zhvillimit të shoqërisë është teknologjia e informacionit, prandaj edhe shoqëria njerëzore sot përkufizohet si shoqëri e informacionit.
Nga perspektiva e biznesit, teknologjitë e reja janë esenciale për zhvillim ekonomik, ndërsa ky qëllim nuk mund të arrihet pa përdorim përkatës të teknologjisë së informacionit. Ambienti afarist dominohet nga informacioni ndërsa produktiviteti dhe konkurrenca në masë të madhe varen nga aftësia e ndërmarrjeve për të krijuar, përpunuar dhe përdorur informacionet si dhe nga përdorimi intensiv i teknologjisë së informacionit.
Përcjellja e informacioneve ju mundëson ndërmarrjeve një komunikim më të mirë në tregun botëror dhe rezultate më të mira ndërsa teknologjia e informacionit ju siguron fleksibilitet më të lartë.
Aktivitetin afarist ndërmarrjet bashkëkohore kryesisht bazojnë në informacione të cilat vijnë nga tregu i produkteve apo shërbimeve, nga tregu i punës, nga tregu financiar apo i kapitalit etj.
Për këto arsye, informacioni konsiderohet të jetë resursi më i rëndësishëm i biznesit bashkëkohor sepse me ndihmën e tij subjektet ekonomike formojnë politika menaxheriale, vendosin qëllime, hartojnë strategji, marrin vendime, lidhin kontrata, realizojnë transaksione etj.
Në epokën e informacionit, rreziku më i madh me të cilin përballet ekonomia është keqpërdorimi, fshehja apo shtrembërimi i tij për përfitime personale. Përveç kësaj, problem tjetër serioz që edhe më tej komplikon gjërat janë informacionet asimetrike apo informacionet jo të barabarta.
Për shembull shitësit e makinave të përdorura dinë më shumë për ato sesa blerësit potencialë, dentistët dinë më shumë për cilësinë e materialeve për dhëmbë sesa pacientët e tyre, personat të cilët sigurohen tek kompanitë e sigurimit dinë më shumë për shëndetin e tyre sesa kompanitë e sigurimit etj.
Në raste të tilla njëra nga palët gjithnjë është më mirë apo më shumë e informuar sesa pala tjetër dhe me qëllim mbulon apo nuk i bën të njohura dobësitë apo mangësitë e lëndës së transaksionit vetëm për të përfituar. Si pasojë e kësaj pala më pak e informuar dëmtohet.
Lufta për fitim sa më të lartë është e pamëshirshme dhe në këtë drejtim të gjithë janë makiavelistë - qëllimi arsyeton mjetin e përdorur.
Por nëse i qasemi ekonomisë si sistem, ndërsa njësisë ekonomike, ndërmarrjes, bankës apo organizatës financiare si pjesë të atij sistemi, çdo veprim në kundërshim me ligjet e sistemit do të shkaktonte pasoja të rënda, gjegjësisht do ta shkatërronte atë.
Çfarë do të ndodhte nëse do të ishim përfshirë në ndonjë punë me rrezik të madh, apo rrezik jo të vlerësuar mirë ku ekziston mundësia që pasojat e dështimit të bartë dikush tjetër?
Në këtë rast kemi të bëjmë me hazardin e moralit. Hazardi i moralit është gjendje kur të gjithë të cilët nuk bartin pasojat e sjelljes së tyre, në njëfarë mënyre janë të siguruar, janë të gatshëm të pranojnë rrezik më të madh.
Në botën e financave hazardi i moralit kuptohet si tendencë e bankave apo organizatave të tjera financiare që të pranojnë rrezik të madh në kredidhënie apo investime me qëllim të realizimit të profitit sa më të lartë duke pasur parasysh mundësinë se pasojat e këtij rreziku pjesërisht apo në tërësi të pësojë një palë tjetër, në rastin konkret shteti për të shmanguar kolapsin ekonomik.
Ky ka qenë skenari i krizës së fundit financiare të paraqitur në SHBA, ku në ndjekje të fitimit sa më të lartë dhe bashkë me të vlerësimit të keq të rrezikut, bankat apo institucionet e fuqishme financiare kanë falimentuar, ndërsa shteti, në instancë të fundit, taksapaguesit, janë ngarkuar me pasojat e humbjeve të mëdha të shkaktuara nga këto institucione.
Falë intervenimit të shtetit është parandaluar kolapsi ekonomik i vendit por kjo në anën tjetër ka vënë në pikëpyetje atë për çka SHBA-të kanë avokuar shumë, ato janë liberalizmi i tregut dhe mosndërhyrja e shtetit në ekonomi. Implikimi i shtetit përsëri ka luhatur teorinë e liberalizmit në ekonomi.
Për të eliminuar hazardin e moralit në nivel lokal dhe ndërkombëtar, Bordi i Stabilitetit Financiar (FSB) në vitin 2011 ka miratuar standardin e ri ndërkombëtar në samitin e G20-s në Kanë, i cili përmban përgjegjësi, instrumente dhe autorizime për riorganizimin e institucioneve financiare me rëndësi sistemike (SIFI-s).
Ky standard ka për qëllim forcimin dhe disiplinimin e sistemeve financiare, forcimin e rezistencës së tyre, forcimin e autoriteteve kombëtare, identifikimin e hershëm të institucioneve jostabile financiare me rëndësi sistemike, monitorimin dhe dhënien e mundësisë për sigurim të stabilitetit financiar etj.
Praktikat e deritanishme janë treguar shumë të dëmshme në ekonomi dhe si pasojë e të njëjtave bota ende nuk ka dalur nga kriza globale ndërsa askush nuk mund të vlerësojë me saktësi se kur do të ndodhë dalja e vërtetë.
Sot në tërë botën bëhen thirrje për reduktim të hazardit të moralit dhe për rritje të transparencës në biznes. Sigurisht se krizat apo efektet e krizave do të minimizoheshin atëherë kur do të eliminohej hazardi i moralit ndërsa të rritej transparenca.
Një sistem i shëndoshë ekonomik duhet të dallohet me ndershmëri, me cilësi, me vlera, me transparencë. Ne si komb kemi qenë dhe jemi të njohur në botë për nga ndershmëria. Ky tipar shumë i çmueshëm i kulturës sonë kombëtare duhet të qëndrojë dhe pse jo të aplikohet edhe në biznes si pjesë e kulturës së biznesit shqiptar.
Përveç efekteve pozitive që do të kishte aplikimi i vlerave kombëtare në biznes do të mundësohej edhe dallimi i ekonomisë sonë me tipare fisnike duke e bërë atë më të sigurtë, më të pëlqyer dhe më të njohshme.
Është më se e qartë se vetëm me vlera mund të ndërtohet një ekonomi e shëndoshë dhe të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm.
Nga gabimet duhet mësuar, prandaj duhet luftuar hazardin e moralit dhe asimetrinë e informacioneve në biznes për të mirë të ekonomisë. Nga këtu duhet filluar për të shpresuar për një rikuperim ekonomik dhe një të ardhme më të mirë.