Imzot Mark Sopi, misionar i shkrirë për Atme e Fe
Shkruar nga Gani Qarri
Emrat kombëtar, të cilët jetuan dhe vepruan, sipas maksimës së Fishtës për Atme e Fe , jo vetëm që ndrisin historinë tonë si margaritar dhe ngrijnë lartë personalitete të tilla, por sot e përgjithmonë, tek të rinj e të vjetër dhe brezat që do të vijnë, ata shtojnë përjetshëm e deri në pakufi, edhe dashurinë për origjinën dhe krenarinë për paraardhësit e vet!.
E, imzot Mark Sopi, ishte njëri nga këta emra dhe personalitete të dalluara, i cili erdhi në jetë, më 26 shkurt të vitit 1938 në fshatin Binçë, afër qytetit të vogël të Vitisë dhe vdiq më 11 janar të vitit 2006,në Prishtinë.
Shkollimin fillor ai e mbaroi në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Pazin të Kroacisë. Studimet për filozofi dhe teologji i filloi në Zagreb dhe përfundoi në Romë të Italisë.
Ai, duke ndjekur shembullin sublim të ish presidentit historik të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, i cili udhëtoi në shumë kryeqytete të Botës së përparuar, për të bërë të njohur gjendjen dhe problemet që rëndonin mbi popullin e pushtuar shqiptar si dhe kërkuar të drejtat që i takonin vendit tonë të vogël, për të cilin ende dihej shumë pak në botën e madhe, edhe imzot Mark Sopi, kurdo që iu dha mundësia, ofroi pa kursim, gjithë ndihmesën e mundshme në këtë drejtim, me punën dhe veprën e tij, të ndritshme.
Nuk duhet të harrojmë, që ta përsërisim me nderim edhe me këtë rast, se Imzot Mark Sopi, përveç profesionit fetar, ishte edhe përçues i denjë e besnik i identitetit kombëtar shqiptar. Mision fisnik ky, të cilin ai e dëshmoi sidomos me rastin e vizitës së tij në maj të vitit 2005, në SHBA, kur para kamerave televizive, diskreditoj hapur mitin e rrejshëm të propagandës së huaj, kinse përpjekjet e popullit tonë për çlirim e mëvetësi, bëheshin për krijimin e një strofulli ekstremist musliman në Ballkan, e jo për një shtet të pavarur, për të gjithë shqiptarët në Kosovën e lirë.
Madje, duke e ditur deri në imtësi mentalitetin dhe traditën shqiptare, edhe në realitetin e ri të krijuar pas çlirimit të Kosovës, në mjegullnajën e UNMIK-ut, i cili me gjithë kalimin e viteve, vazhdonte ta bllokonte, nuk i epte rrugë dhe vononte fillimin e zgjidhjes së statusit të mbetur pezull të Kosovës, gjë që krijoi frikë e pasiguri dhe qoi të rinjtë deri te trazirat e vitit 2004, ai si njohës i mirë i ngjarjeve dhe shpjegues profesionist e bindës i tyre, deklaroi se mllefi i shqiptarëve nuk ishte i drejtuar kundër kishave ortodokse serbe, përkundër dëmtimeve të aty-këtushme nga një grup i vogël huliganësh, të inkorporuar pahetueshëm, në masën e madhe të demonstruesve, ngase shqiptarët ,tradicionalisht vet i kanë ruajtur edhe objektet fetare të serbëve në Kosovë, ata u ngritën për përcaktimin e statusit të shtetit tonë dhe kundër pretendimeve të Serbisë, që të rikthehej përsëri si pushtuese, në Kosovën e sapoçliruar.
Pra, ai si dashamirë i kombit, njeri i Zotit dhe krijesë e përzgjedhur e Perëndisë, si nga pikëpamja burrërore e ngritja intelektuale ashtu edhe nga qëndrimet kombëtare e njerëzore, të rrallë i pati shokët dhe nuk na zhgënjeu asnjëherë, duke mbrojte me dinjitet atdheun dhe popullin e tij, si dhe të drejtën e shqiptarëve për realizimin e idealeve të tyre kombëtare e njerëzore, kudo që mundi dhe arriti.
Përkufizuar shkurt dhe shqip, Imzot Mark Sopi ishte njëri ndër personalitetet më të vlerësuara që pati vendi ynë, një dhuratë që vet Perëndia ua bëri këtyre trojeve. Një burrë i zgjuar e dinjitar, ligjërimit të të cilit, ia kishin lakmi jo vetëm meshtarët por edhe diplomatët më me përvojë.
Ndaj, pa marrë parasysh mendimet e dashakëqijve, ne siç kemi mësuar edhe nga historia dhe e kaluara jonë e lavdishme, kodi i nderit dhe i mikpritjes, i njohur si Besa Shqiptare, nuk ishte thjeshtë, vetëm premtim për kujdes ndaj vendorëve, por edhe betim për ruajtjen e të dobëtit, virtyt të cilit ia panë hairin edhe të huajt, sa herë që qenia e tyre kërcënohej nga rreziku për jetë.
Ky virtyt, u bë traditë dhe kthye në ritin më të ndritur të mbrojtës së jetës dhe qenies njerëzore, i inkorporuar me dinjitet në vetë kulturën tonë kombëtare, fakt të cilin shqiptarët e dëshmuan edhe me rastin e Luftës së Dytë Botërore, duke marrë në mbrojtje dhe shpëtuar hebrenjtë e rrezikuar me shfarosje, nga pushtuesit fashist, në tokat tona kombëtare.
E, si bir i lindur dhe rritur në këto troje, edhe Imzot Mark Sopi, nuk mund të ishte ndryshe, ani pse, atij do ti binte një barrë të cilën nuk mund ta mbante as misiononte secili, ngase tani, pikërisht historia e bashkëkombësve të vet, e popullit dhe njerëzve të vendit të tij, me të gjitha idealet, përpjekjet dhe heroizmat e dëshmuara, ishin vënë në rrezik të madh për jetë a vdekje, ndaj dhe duhej, që sa më parë, ti bëheshin të njohur Botës anë e këndë, krejt përmasat e tragjedive biblike që shqiptarët ato vite përjetonin nga pushtuesit barbar serb.
Edhe në këtë gjendje, ai me bashkëpunëtorë dhe bashkëkombësit kudo, punuan pa reshtur dhe secili në mënyrën më të mirë që dinte dhe mundej, bënë promovimin e çështjes kombëtare, për lirinë e ëndërruar ndër breza dhe jetësimin e idealit të kamotshëm të popullit të tij, të shumë vuajtur, i cili për vite dhe dekada, dha aq shumë për çlirim dhe shtet të pavarur.
Imzot Mark Sopi, krahas detyrës zyrtare që kishte, si drejtues i Kishës Katolike të Kosovës, edhe në ato vite të vështira, mundi që me dije e urtësi, ti bashkë- dyzoj dhe qojë me sukses përpara, kombëtaren dhe fetaren, duke arrit ti bashkërendoj ato mirë e me dinjitet dhe dalë mbarë e me faqe të bardhë, ashtu siç edhe pritej nga një njeri si ai.
Imzot Mark Sopi pas mbarimit të studimeve, në vitin 1968, fillimisht punoj si prift në Ferizaj, për të kaluar nga viti 1974, në Zllakuqan, ku do të punonte famullitar në Kishën e atij fshati.
Pasi që, jo vetëm priftërinjtë por gati askush nuk lejohej të udhëtonte brenda kufijve të Shqipërisë gjatë kohës së diktaturës komuniste, vetëm pas vendosjes së sistemit demokratik, në vitin 1991, ai do të kalonte për herë të parë rrugëve të \"pashkelura\" nëpër malet piktoreske shqiptare, për tu vendosë në qytetin port, më të madh e më të bukur shqiptar, në Durrës, ku ishte caktuar të punonte si meshtar katolik, qytet i cili mëngjese e mbrëmje, shpërlahet nga ujërat e freskëta dhe të kaltra bregdetare, me perëndime të ndritshme diellore që nuk i kishte parë kurrë deri atëherë.
Si prift i Kishës katolike, atje ai qëndroi nga viti 1991 e deri më 1995, ku shërbeu me shumë mirësjellje, përkushtim dhe dashuri njerëzore.
Falë punës së mirë e dinjitetit të tij të lartë, në nëntor të vitit 1995, Imzot Mark Sopin, Selia e Shenjtë do ta emëronte ipeshkëv të komunitetit katolik shqiptar të Kosovës.
Ndaj, ai jo vetëm e mirëpriti por i tha me dëshirë- Po! këtij emërimi dhe u kthye me gëzim të madh në gjirin e vendit amë, detyrë në të cilën, trashëgoi Imzot Nikë Prelën.
Gjendja e rëndë në Kosovë, bëri që në Janar të vitit 1996, Imzot Mark Sopi, të shugurohej në Romë, dhe nga atëherë deri më 2006,për dhjetë vjet me radhë të shërbejë si Ipeshkvi i Kosovës.
Gjatë kohës sa qëndroi në këtë post, Imzot Mark Sopi punoi shumë, jo vetëm në çështjen fetare por edhe atë kombëtare, në vend dhe jashtë tij, e kjo u vërejt më së miri, në takimet që ai pati me personalitete dhe politikanë evropianë e ndërkombëtarë.
Ndaj dhe me të drejtë mund të thuhet se, për gjendjen nëpër të cilën ato vite kalonte vendi ynë, Imzot Mark Sopi, ishte pikërisht njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur, sidomos në rrethanat nëpër të cilat ai veproi si meshtar dhe patriot i denjë.
Me këtë rast më duhet, ta veçojë vizitën e tij më 18 maj të vitit 2005,në Kongresin Amerikan, ku si një nga personalitetet e rralla fetare me krenari dhe kompetencë i dëshmoi botës, se ai aty, nuk përfaqësonte vetëm kishën por të gjithë shqiptarët dhe në emër të tyre kërkoi edhe pavarësinë e Kosovës.
Ndaj nuk ishte befasi ,që pikërisht Imzot Sopi, gëzonte një respekt të veçantë dhe besim të madh tek presidentit historik i Kosovës, z.dr. Ibrahim Rugova, i cili siç do ti premtonte Imzot Mark Sopit, edhe do ta realizonte zotimin e tij, dhe përfundimisht vetëm disa muaj para se të ndërronin jetë të dy këta burra të mëdhenj të kombit, më 26 gusht të vitit 2005, bashkë dhe dorë për dore, do t`ia venin gurë- themelet, Katedrales së mrekullueshme e cila u ngrit e ndërtua dhe u shërben besimtarëve për t`iu lutur zotit, mbi po ato bazamente, ku ka vite që shkëlqen në mes të kryeqendrës së shtetit tonë të ri, në Prishtinë.
Fatkeqësisht, ende pa kaluar pesë muaj të plotë, nga ajo ngjarje e shënuar, së pari pas një sulmi të rëndë në zemër, më 11 janar, në moshën 67 vjeçare ndërrojë jetë Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, kurse më 21 janar të vitit 2006 edhe Presidenti Rugova, vetëm dhjetë ditë më vonë në Prishtinë.
Ndoshta, puna e madhe dhe virtytet e tij të veçanta, ishin argumentet kryesore dhe arsyeja vendimtare, që Imzot Mark Sopi, si meshtari i parë dhe i vetmi deri më tani, të varroset në brendinë e Kishës Katolike në vendlindjen e tij, në Binçë të Kosovës.
Siç thuhet edhe në një shkrim në \"bbc.co.uk/albanian\", ky është rasti i parë, që një udhëheqës fetar varroset në brendi të kishës.
(Nderohet në Kosovë kontributi i Imzot Mark Sopit - BBC
www.bbc.co.uk/albanian/16.01.2006 -)
Sidoqoftë, duke pasur parasysh punën e tij të madhe dhe jetën e bujshme që ai kaloi, ky është vetëm një shkrim modest dhe pjesë e vogël e historisë së rrugëtimit të tij të gjatë jetësor, nga vepra brilante dhe ilustrimi i përpjekjeve personale e njerëzore , në gjurmët e rrënjëve të të parëve dhe historisë qindravjeçare të shqiptarëve, të trasuar në mënyrën më të mirë dhe rrugën më shembullore nga Imzot Mark Sopi.
Vepra e tij është dhe mbetet testament tipik, që dokumenton në pika të veçanta, punën dhe përpjekjet e pareshtura për ruajtjen e atdheut dhe trojeve të shenjta të stërgjyshërve tanë, si trashëgimia më magjike që patëm fatin ,të na e dhuronte vet Zoti, si amanet për brezat e ardhshëm. Ai mbetet njëri nga bijtë më të devotshëm të këtij vendi dhe shembulli më i denjë për motrat dhe vëllezërit e një gjuhe e të një gjaku, të cilët pa dallim, personalitetet e tilla, përherë do ti kujtojnë shqiptarisht, dhe me pietet e krenari të lartë kombëtare.