23 Dhjetor 2024

Humbjet e radhës, taktikë e LDK-së

Shkruar nga Mentor Barani

Edhe pas fiaskos së fundit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Kaçanik, por edhe pas humbjes së thellë në Ferizaj, Lidhja Demokratike e Kosovës as e ka bërë dhe duket as që e ka në plan të bëj një analizë qoftë edhe sipërfaqësore për dy humbjet e radhës.

Është tejet e çuditshme se si kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës në Ferizaj, Adem Salihaj, nuk denjoi që të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në këtë qytet.

Ndërkohë është po aq e çuditshme se si nuk dha dorëheqje të menjëhershme edhe kryetari i Degës së LDK-së në Kaçanik, Lutfi Zharku, i cili njëherësh është edhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

A thua edhe çfarë duhet të ndodhë në këto dy degë të LDK-së dhe a thua edhe çfarë “tërmeti” duhet të ndodh në LDK, që kjo parti një herë e mirë të vendos rend, rregull dhe përgjegjësi morale, kur ndodhin humbje të thella dhe vështirë të riparueshme?

Dy humbjet e fundit janë edhe më të dhembshme për LDK-në, në veçanti kur të kihet parasysh se dy palë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Ferizaj e Kaçanik ndodhën për faktin se dy ish-kryetarët e komunave u dënuan për vepra penale, ndërkohë që Partia Demokratike e Kosovës përkundër përballjes së kryetarëve të saj me ligjin, i fitoi zgjedhjet sërish.

Pas dy humbjeve të fundit, elektorati i LDK-së është i shqetësuar edhe për faktin se lideri i LDK-së nuk ka ndërmarrë asnjë masë, ndërkohë që dy kryetarët e dy degëve që pësuan humbje katastrofale, vazhdojnë të qëndrojnë komod në strukturat e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtarësia e gjerë e LDK-së, por edhe strukturat e saj janë në pritje të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa që të plotësojë premtimin e madh dhe të vetëm; reformimin e LDK-së, i cili qe zotuar se do t’i realizojë pas Kuvendit VII zgjedhor të LDK-së. Reformat nuk kanë ndodhur dhe as do të ndodhin në të ardhmen, ndërsa mjegullnaja, tensionet dhe zemërimi brendapërbrenda LDK-së po rriten.

Lideri i LDK-së duhet të jetë i vetëdijshëm se në krye të kësaj partie ka ardhur falë premtimeve të tij për të bërë reforma në parti, por që edhe pas tri vjetësh reformat nuk kanë ndodhur, madje edhe tendencat sado të vogla veçse e kanë deformuar edhe më shumë.

Kryesia e LDK-së vazhdon të qëndroj indiferente, ndërkohë që udhëheqja e saj jo rrallë po bën edhe gafa neveritëse. Duket që hija e ish-partisë reformiste Ora ka vendosur ta shkatërrojë LDK-në.

Ish-kryetarja e partisë reformiste Ora dhe aktualisht nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatçija, muajve të fundit nuk është duke u sjellë si nënkryetare e LDK-së, por si të ishte zonja e parë e Republikës së Kosovës. Ajo është lëshuar në fushata humanitare si në luftë kundër kancerit të gjirit, por edhe në fushata të tjera me karakter OJQ-sh.

Para pak ditësh kur po merrja pjesë në akademinë përkujtimore për të ndjerën Nekibe Kelmendi, ish-themeluese e LDK-së, jo pa shkas e pyeta Arben Gashi, deputet dhe njëri nga më të përkëdhelurit e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për humbjet e radhës në Ferizaj e Kaçanik.

Deputeti Gashi me injorancë dhe prepotencë që duket se këtë të fundit e ka edhe meny të preferuar u përgjigj: “Humbjet në Ferizaj dhe Kaçanik janë taktikë e LDK-së!” Po a thua çfarë përgjigje do të jepte ndonjë funksionar i partisë në pushtet, për fitoret e radhës?! Këtë “sekret” e di vetëm i përkëdheluri i kryetarit të LDK-së, Arben Gashi!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)