Hija e një Republike, mesazh pozitës dhe opozitës
Shkruar nga Durim Berisha
Për studiuesit e Historisë Kushtetuese Republika e Vajmarit jo vetëm që është e njohur, por vazhdon të mbetet ndër periudhat më të fokusuara për studim.
Ata lexues të cilët nuk kanë pasur mundësi të njoftohen me njërën ndër periudhat më të ndjeshme të shtetit dhe popullit gjerman duhet të kenë parasysh se Republika e Vajmarit është vazhdimësi e Perandorisë Gjermane dhe paraqitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Është hera e parë në historinë kushtetuese gjermane kur u krijua një lidhje direkte në mes të sovranit dhe bartësit të pushtetit shtetëror.
Sistemi Kushtetues i Vajmarit kishte zgjedhur një mes midis sistemit kushtetues francez dhe atij amerikan, ai ishte përcaktuar për zgjedhje të drejtpërdrejte nga populli si në SHBA, por me një mandat 7 vjeçar (për dallim) dhe njëkohësisht për një qeveri llogaridhënëse ndaj Parlamentit sikurse në Francë.
Pa dashur të lëshohem më tepër në shpjegimin me të thelluar të organizimit të sistemit politik, por duke mos lejuar që të mbetet pezull një sqarim sipërfaqësor është i nevojshëm. Sistemi kushtetues i Vajmarit ishte përcaktuar për një balancë direkte në mes të organeve shtetërore. Etërit e Kushtetutës kishin vendosur një kontroll reciprok në mes të Presidentit të Shtetit dhe Parlamentit Shetëror.
Mirëpo duke marrë parasysh se parlamentarizmi nuk ishte i njohur në gjermani ata kishin pajisur Presidentin me kompetenca legjislative në rast se parlamenti nuk do të mund të përmbushte detyrimet kushtetuese.
Ndonëse dihet botërisht se ndër faktorët e shkatërrimit të Republikës së Parë Gjermane ishte keqpërdorimi i Nenit 48 i cili kishte fuqizuar Presidentin përmes kompetencave të jashtëzakonshme, ndër të cilat kompetencat legjislative.
Mirëpo ajo që më bëri në fakt përshtypje ishte një analizë tjetër e cila fokusohej ndër të tjera edhe në dy faktorë shumë të rëndësishëm. Mungesën e origjinalitetit kushtetues në procesin kushtetutëbëres dhe rolin e partive politike gjatë periudhës së Vajmarit.
Për dallim nga legjislacioni civil të cilin e kishin zhvilluar si reaksion ndaj Kodit Civil të Napoleonit, në sferën e të Drejtës Kushtetuese ata ishin munduar të kopjonin (përdornin si model) shtetet të cilat në atë kohë kishin një traditë republikane dhe parlamentare.
Mirëpo huazimi i tepruar nga shtetet tjera shkakton një mungesë të origjinalitetit. Shkakton shpërputhje të raportit material të saj. Shpërputhje e cila nënkupton se korniza ligjore nuk përputhet me frymën e popullit. E nuk janë të paktë ata autorë që kanë shkruar se fryma e ligjit duhet të përputhet me frymën e popullit, sepse këto ligje janë krijuar nga njerëzit dhe jo njerëzit nga këto ligje.
Ky faktor kishte ndikuar që partitë politike në periudhën e Vajmarit të polarizohen në partitë që pranuan republikën dhe ato të cilat çdoherë vunë në pikëpyetje atë. Faktor determinues i cili ndikoj në dështimin e Republikës së Vajmarit.
Në Republikën e Vajmarit partitë opozitare qëndronin në një distancë nga Republika. Prandaj një pozitë kushtetuese nuk kishte një opozitë kushtetuese. Mungesa e një opozite kushtetuese shkakton mungesën e një alternative, sepse askush nuk i beson fatin e shtetit dikujt që e konteston atë.
Përderisa po lexoja këta rreshta mu krijua përshtypja se po lexoja mbi rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë, mbi atë që po përjetojmë që sa kohë. Një klasë politike e cila ende nuk ka arritur të përfundojë klasifikimin e patriotëve, të shiturve dhe tradhtarëve.
Një elitë politike e cila ende nuk a ka zgjidhur përfundimisht fatin e Kosovës. Një pozitë skajshmërisht liberale dhe një opozitë skajshmërisht patriotike. Jo pse vërtetë janë të tilla, por se pazari politik i ka lënë jashtë loje, dhe tani duhet përdorur këto karta. Sepse alternativë reale nuk ka.
Të luhet me fatin e një populli për të kënaqur apetitet personale jo vetëm që është e turpshme, por është e pafalshme. Këto parti politike na kanë dëshmuar se kur në pyetje është marrja e pushtetit, bëhen fleksibile edhe në parimet e palëkundshme.
Përfundimisht, kjo klasë politike do ta fundosë shpresën, do ta fundosë Republikën të cilën ende nuk e kanë njohur ende të gjitha partitë politike. Kam frikën se rezultati ynë do të jetë po aq fatal sa i Gjermanisë pas ngjarjeve 1933-1945. Kjo frikë argumentohet edhe më tepër me indiferencën e diasporës tonë të arsimuar. Sepse të tillë që po marrin diploma jashtë vendit por jo arsimim dhe kulturë shtetërore na është mbushur Kosova.
Pozita dhe opozita në Kosovë duhet ta kuptojnë se patriotët dhe tradhtarët i klasifikon historia, kjo nuk është detyrë e tyre. Detyrë e pozitës është të i shërbej mirëqenies, ndërsa detyrë e opozitës është të shërbej si alternativë racionale dhe reale për ndryshim pozitiv nëse pozita dështon në punën e saj.
(Autori është Kandidat për Doktoraturë në Katedrën e të Drejtës Publike, Doktrinës Shtetërore dhe Historisë Kushtetuese në Universitetin Bielefeld Gjermani)