28 Dhjetor 2024

Hienat e inkriminuara në aksion

Shkruar nga Margarita Kadriu

Hienat e nëntokës se inkriminuar  dhe mercenarët mediatikë qenkan aktivizuar sërish për të shpifur kundër meje, sepse po u djeg fort e vërteta e tyre kriminale, që ka filluar të zbardhet rreth mafisë politike, biznesore dhe mediale.

Pluhuri që po çohet në disa artikuj anonimë, pa autor, rreth veprimtarisë sime parlamentare, për votën si deputete e pavarur e Kuvendit të Kosovës, është shantazh i grupeve të rrezikuara të interesit, të cilave po u rrezikohen përfitimet e pista marramendëse në vendin tonë të vogël e të varfër.

Jo rastësisht, nga mediet dhe portalet e varura nga monopolistët dhe mafio- bizneset, lansohen pikërisht tash pamflete të tilla shpifëse dhe fyese.

Në vazhdim ua zbardh të vërtetën se ku po u dhemb porositësve të këtyre shkrimeve.

Siç edhe është i njoftuar opinioni publik, unë së bashku me 9 deputetë të tjerë kërkuam për ta shtruar si çështje urgjente në seancën e Kuvendit, në bazë të nenit 49 të Rregullores së Kuvendit, rrezikun e madh që po i kanoset buxhetit të Republikës së Kosovës, gjegjësisht buxhetit të qytetarëve të Kosovës nga arbitrazhet ndërkombëtare, edhe atë hiç më pak se gati 500 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet e avokatisë, kërkesë kjo e cila u dorëzua në Sekretarinë e Kuvendit më 26 shtator 2016. Edhe pse çështje urgjente, u deshën 2 muaj pritjeje për t`u futur kjo pikë në rendin e ditës!

Por, nuk ishte ky problem që i ndezi mafio-bizneset që të hidhen në fushatë linçuese kundër meje, por janë pikërisht rekomandimet që i kam propozuar, e të cilat ende po e presin votën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për hir të transparencës me qytetarët, dua t’ju informoj se njëri nga rekomandimet e kërkuara nga unë është që “Qeveria e Republikës së Kosovës  të kërkojë nga Prokuroria që  menjëherë  të  fillojë hetimin për  të verifikuar nëse zyrtarët e  përfshirë në  këto procedura të prokurimit kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe për këtë të njoftojë Kuvendin”.

Rekomandimet e mia për të kërkuar hetime, përgjegjësi penale dhe adresim të përgjegjësisë për arbitrazhet ndërkombëtare, nga të cilat taksapaguesit kosovarë mund të dëmtohen me gati gjysmë miliardi euro, i kanë tronditur bandat e nëntokës, edhe pse Kuvendi po i mbyll sytë përballë skandalit, ndërsa drejtësia hesht e nuk vepron.

Por, një ditë, me siguri, secili, pavarësisht sa i madh ishte ose është në pushtet, do të japë llogari për dëmet që ia ka shkaktuar këtij populli të lodhur nga korrupsioni dhe varfëria, keqqeverisja dhe padrejtësitë.

Unë jam deputete e pavarur e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin, për qëndrimet e mia politike, për çdo votë timen.

Unë mbaj përgjegjësi para votuesve që më kanë zgjedhur, para qytetarëve, të cilët kërkojnë transparencë dhe mirëqenie, barazi dhe drejtësi, liri dhe demokraci.

Aktivizimi i hienave, më kujton fushatën e tyre të pështirë para dy vjet e gjysmë, me rastin e aderimit tim në jetën politike. E nisën me fushatë linçimi, vazhduan me billborde dhe tani sërish aktivizohen me fushatë linçimi.

Të më akuzojnë individë aq të ulët, që fshihen pas hapësirave virtuale, pa emër e mbiemër dhe përhapin të pavërteta, kjo mund të ndodhë vetëm në një shtet ku nuk sundon ligji. Opinioni publik e di fare mirë se kush janë këta burracakë, edhe pse tentojnë të fshihen.

Secili prej tyre dhe urdhërdhënësve do të ketë punë me ligjin. Zyra e avokatisë e autorizuar po përgatit paditë ndaj shpifësve. Një ditë, besoj se do të ketë drejtësi,kur porositësit dhe shpifësit do të pendohen!

Për dallim nga burracaku që i shkruan këto shkrime dhe ka frikë ta vërë emrin e tij në fund, i cili jeton në një shtëpi të blerë  mbi 500 mijë euro në fshatin ndërkombëtar dhe ka pasuri që as vetë fundin nuk ia di, dhe sigurisht jo vetëm atë shtëpi, por edhe shumë pasuri të tjera, që me profesionin që ka në një shtet normal as që mund të ëndërrohen, unë Margarita Kadriu, deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovë, mbi 16 vjet vazhdoj të jetoj në një banesë dydhomëshe dhe e kam ndërgjegjën shumë  të pastër! 

E kam thënë edhe më herët, Margarita Kadriu asnjëherë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk planifikon të ketë asnjë terminal doganor, andaj vazhdimit të shpifjeve të tilla të nëntokës, duke menduar se një femër mund ta sulmojnë kur të duan dhe t`ia mbyllin gojën,i ka dalë boja.

Ua kam thënë dhe po ua përsëris burracakëve që frikësohen të shkruajnë emrin e tyre dhe që paguhen goxha mirë që të shkruajnë nga mafio -biznesmenët e tejinkriminuar, por që as shkrim e lexim nuk dinë: JENI NË ADRESË TË GABUAR!

Ftoj institucionet kompetente te shtetit që të reagojnë kundër kësaj fushate linçuese ndaj një deputeteje të pavarur të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar zbatimin e standardeve etike të medias, ndaljen e shpifjeve dhe luftës speciale që po bëhet kundër lirisë së shprehjes, parlamentarizmit, kundër vlerave të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Natyrisht, siç nuk kanë arritur të më ndalin kur hyra në politikë, as kësaj radhe nuk do të më stepin, pavarësisht shpifjeve, shantazheve dhe gënjeshtrave të tyre të ndyra!

(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)