Heshtje apo hipokrizi
Shkruar nga Xhavit Beqiri
Është krejtësisht e pakuptimtë që breshëria e sulmeve të paprincipta që i bëhen Republikës së Kosovës të mos marrë asnjë përgjigje meritore nga përfaqësuesit e institucioneve tona, të cilët, fundja, edhe e kanë obligim ta mbrojnë dinjitetin e shtetit të porsalindur, rrita e të cilit, me gjasë po ua penguaka njësoj si atyre në Beograd, ashtu edhe disa qarqeve kuazipatriotike në Prishtinë dhe në Tiranë.
Beogradi zyrtar vazhdon të trumbetojë ndarjen e Kosovës. Përveç ndonjë zëri të mjegullt, asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës nuk denjoi ta prishte rehatinë dhe tu përgjigjej pa dykuptimësi këtyre pretendimeve obskurantiste.
Çuditërisht, Prishtina zyrtare ka zgjedhur heshtjen kur të tjerët flasin hapur kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Prishtina nuk e vlerëson të nevojshme ti përgjigjet as Tadiçit, kur ai i çon selam Tiranës hajde merremi vesh si ti zgjidhim problemet tona, as ish-Presidenti Moisiu Republikën e Kosovës e quan krahinë të Shqipërisë, si të ishte ajo farë Mallakstre a Muzeqeje!
Tadiçi e fton Tiranën për marrëveshje duke e injoruar ekzistencën e Republikës së Kosovës. Ai hedh karremin dhe pret ta përpijnë shqiptarët, andej e këndej Bjeshkëve të Nemuna. Presidenti serb luan lojën e tij dhe kjo është tërësisht e kuptueshme. Ai flet në emër të Beogradit zyrtar dhe, sado që shtiret si më i moderuar, në raport me shqiptarët, dhe sidomos më Republikën e Kosovës, është njësoj si të gjithë nacionalshovinistët e tjerë të Serbisë.
As Tadiçi, as ministrat e tij që bredhin nëpër botë duke llomotitur Kosova është djepi serb!, nuk morën një përgjigje zyrtare dhe të qartë nga Republika e Kosovës. Rrjedhimisht, si shpeshherë kohëve të fundit, zyrtarëve serbë, të cilët duke kërkuar ndarjen e Kosovës bëjnë thirrje për kasaphane të reja në këtë pjesë të Evropës Juglindore, përgjigje u dhanë përfaqësuesit e vendeve mike të Kosovës.
Së fundmi, ideve të çmendura për ndarjen e Kosovës u thanë jo në mënyrë të prerë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Kristofer Dell dhe Ambasadori i Republikës së Francës, Jean François Fitou. Natyrisht, JO-ja e qartë e tyre është shumë domethënëse, por kjo nuk e përjashton domosdonë e të folurit zëshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat gjumi i gjatë dimëror nuk po i lëshon ende.
Unë nuk e di se pse disa ministra në Serbi flasin për një zgjidhje që as nuk është në tavolinë dhe asnjë shtet serioz nuk e mbështet. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë nga ndonjë shtet serioz që ka njohur Kosovën e që është në favor të ndarjes së Kosovës, tha Ambasadori francez Fitou.
Duke ua rikujtuar disa miopëve politikë në gjithë rajonin se ndarja e Kosovës nuk është në tavolinë dhe as që do të jetë, Ambasadori Fitou, ashtu si edhe homologu i tij amerikan Dell, tërthorazi godet edhe institucionet tona të përgjumura, të cilat nuk janë as përafërsisht kaq të kujdesshme ndaj zërave (të paktë) kritikë të shoqërisë sonë, sa janë ndaj të gjitha atyre që sulmojnë ditë e natë, fare pa fre, shtetin tonë, Republikën e Kosovës.
Institucionet e Republikës së Kosovës mund të dëshmojnë kujdes e maturi në qindra mënyra, mirëpo nuk kanë pse të janë kaq të mirësjellshme ndaj atyre që paturpësisht e mohojnë ekzistencën e vendit tonë. Në këtë kontekst, heshtja kryeneçe e institucioneve të Kosovës vërtet të zgjon ndjenjën e keqardhjes.
Është krejtësisht e pakuptimtë që breshëria e sulmeve të paprincipta që i bëhen Republikës së Kosovës të mos marrë asnjë përgjigje meritore nga përfaqësuesit e institucioneve tona, të cilët, fundja, edhe e kanë obligim ta mbrojnë dinjitetin e shtetit të porsalindur, rrita e të cilit, me gjasë po ua penguaka njësoj si atyre në Beograd, ashtu edhe disa qarqeve kuazipatriotike në Prishtinë dhe në Tiranë.
Ndoshta rastësisht, ndoshta jorastësisht, porse, sa herë që dikush në Beograd llomotit për ndarjen e Kosovës, këto qarqet tona fort patriotike, fort panshqiptare, turren sekush më parë ta mohojë faktin se Republika e Kosovës është realitet, është realitet që ekziston dhe merr formë çdo ditë, paçka se ndokujt kjo nuk po i pëlqen hem nga veriu, hem nga jugu.
Dhe, me gjasë, kështu do të jetë edhe ca kohë, derisa Republika e Kosovës të ketë institucione që nuk kanë gjë më të shenjtë sesa Republikën e Kosovës. Fatkeqësisht, përderisa disa institucionalistë tanët ende mendjen e kanë te vizatimi i hartave të reja, për integritetin e vendit tonë do të flasin ambasadorët e vendeve mike, të cilët, sigurisht,, nuk mund të mos e shohin hipokrizinë e atyre që përfaqësojnë institucionet të Republikës së Kosovës, por mburren që qëllim jetësor kanë zhbërjen e saj.