08 Janar 2025

Heronjtë e "fitores në pjatë" dhe konspiracioni i një Komisioni

Shkruar nga Gani Qarri

Makinacionet që kanë vënë popullin e Kosovës në gjumë, vazhdojnë.

Amerika shpëtoi përjetësisht shqiptarët, kur çliroi ata nga Serbia, por gjymtoi shpresat e tyre, qysh në momentin kur vet lejoi “heronjtë e fitores në pjatë”, të cilën ajo ua servoi, që ata të vetëm, të marrin mbi vete primatin e çdo gjëje në Kosovën e shumëvuajtur dhe të sapo dalë nga lufta shkatërrimtare.  

Mjerisht, tash e 16 vite, kasta e kriminalizuar politike, përvetësuan dhe tjetërsuan të gjitha pasuritë dhe resurset e vendit tonë, bën zap çdo përparim të tij, dhe bllokuan të gjitha rrugët e mundshme të ecjes përpara, duke shfrytëzuar e keqpërdorur të gjitha mjetet dhe mundësit që u mundësoi ardhja në pushtet, si dhe shërbyer me të gjitha konspiracionet më perfide që njeh ky popull, për pasurim vetanak dhe mbetje të përhershme në pushtet. 

Pleqtë tanë ndjesë paçin, thanë gjithmonë “Prej të mirit-del i keqi,....!”

Ndryshe, nuk mund të sqarohet as kuptohet qëndrimi i habitshëm dhe arsyetimet tejet jo-bindëse të Murat Mehës, si pasardhës i një familje të njohur atdhetare, të cilën e turpëroi deri në fund.

Sjelljet aktuale të tij, provojnë mjaftueshëm dhe në mënyrë të bollshme, dyshimet e supozuara, se ai vërtetë subvencionohet mirë nga dikush i fortë në pushtet, ndaj dhe tregohet kaq dorëlirë e përherë i gatshëm, të bëjë “tregti të lartë” dhe shes shpejt e në mënyrë gjentëlmene, pjesë të shtrenjta të atdheut dhe tokat më të mira kufitare të Kosovës.

Siç thekson edhe dr. Shpejtim Bulliqi, Komisioni Shtetëror i Kosovës, në vend se të përdorte hartat e njohura autentike që gjenden me bollëk kudo dhe bazohej në kriteret që zbaton e gjithë bota për përcaktimin e vijave kufitare me shtetet fqinje, ai u shërbye me Projektrregullore dhe udhëzime të punës, hartuar dhe përgatitur nga Komisioni shtetëror malazez.

Madje, fatkeqësisht siç duket, malazezët ua bënë jo vetëm terr para syve me “projekt-rregullore” të modeleve të njohura sllave, por mjegulluan krejt dhe humbën tërësisht orientimin atyre me dhurata të stërmëdha, sa që Murat Mehës bashkë me (s)ekspertë e bashkëpunëtorë, tu binte \"mundi\" dhe rrokulliseshin pavetëdijshëm aq larg nga pikat autentike kufitare ndërmjet dy shteteve tona, shkaku i ekzaltimit dhe mbetjes pa mend të tyre nga shpërblimet marramendëse që mund tu jenë ofruar.

Njeriu normal, nuk di as arrinë ta shpjegojë në mënyrë tjetër, fenomenin e humbjes totale të orientimit të një “Komisioni Shtetëror” si ky, përveç ndikimit të mundshëm të “magjisë së zezë” lidhur në “një cep shamije” si bakshish eklatant me shumë para, për  rrëshqitjen kaq fatale në thellësi tejet të mëdha, rreth 12 kilometërshe, brenda territorit të Kosovës, duke marrë mbi qafë ,Murat Meha me shokë edhe mexhët kufitare, dhe bartur ato që nga Qakorri e Kulla, ku na ndanin me Malin e Zi, për ti vendosur pothuajse drejt e në para-lagjet e Pejës.

Ndaj, si qëndrimi luhatshëm, ashtu edhe sjelljet e tij jobindëse, provojnë mjaftueshëm dhe në mënyrë të bollshme dyshimet e arsyeshme, se z. Meha subvencionohet mirë nga dikush (“i pa njohur”), ndaj dhe tregohet kaq dorëlirë dhe përherë i gatshëm që pa fije frike as ngarkese personale të shes edhe pjesë të mëdha të atdheut dhe bëjë tregti shokuese me tokat e Kosovës.

Kështu, me vendimin konspirativ të të ashtuquajturit “Komision qeveritar“, shpejt dhe papritur u tjetërsuan mbi 8230 hektar të vendit tonë dhe sa qel e mbyllë sytë,nga pronësia e Kosovës mbi to, kaluan nën sundimin e Malit të Zi.

Por, për t`ia rritur sikletin Murat Mehës, malazezët e “pakujdesshëm” nuk u treguan sa duhet vigjilent dhe mirënjohës, ndaj bënë një “gafë të pafalshme”, kur, përkundër tregtimit mafioz të territorit tonë, ata në hartat shkollore malazeze, lan në fuqi kufirin e vjetër, sipas të cilit vërtetohet se Qakorri bashkë me Kullën dhe mbi 8230 hektarët e shitur,përkundër dëshirës së (sulltan) Muratit me shokë, ende vazhdojnë të figurojnë si territor i Kosovës, ashtu siç ishin dhe duhet të mbeten tani e përgjithmonë, deri në kthimin e mundshëm të trojeve tjera të okupuar ,kohë pas kohe nga ky shtet fqinj.

Kjo, më së miri, u pa edhe në një hartë që e ofroi dr. Shpejtim Bulliqi, nxjerrë nga librat me të cilat nxënësit malazez edhe sot mësojnë, ku shkruan e dëshmohet, por dhe ilustrohet qartë e bindshëm me pamje autentike, se Qakorri dhe Kulla, janë toka të Kosovës!

Ndaj, dhe kuptohet mirë se si zoti Meha, për asnjë moment, nuk mundi të argumentoj me asgjë, atë që pretendon, pavarësisht gjestikulimeve të improvizuara bajate me këmbë e duar, bashkë me ndihmësit e tij, edhe ata më hileqar si ai vet, aspak serioz dhe tërësisht të padenjë për detyrën që u është besuar, pa meritë as të drejtë.

Kështu bëhet e kuptueshme plotësisht se pse ai me bashkëautorët e shitjes, nuk pranun gabimin, as ballafaqimin e hapur me ekspert të njohur e të paanshëm dhe profesionist të dalluar, si dy profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës.

Për çudi, edhe ish kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, përmes një letre publike drejtuar Murat Mehës, si bashkëvendës që e ka, i kërkon atij vetëm dorëheqjen nga Komisioni Qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi dhe një kërkim falje të thjeshtë publike drejtuar qytetarëve të Kosovës për punën jo profesionale që ka bërë në krye të atij Komisioni.

Por, fatkeqësisht ,ai për asnjë çast nuk përmend fare domosdonë e patejkalueshme për ballafaqimin e Murat Mehës & CO, me drejtësinë, lidhur me tradhtinë që i kanë bërë ata atdheut me shitjen e tokave tona vendit fqinj.

Madje, Jakupi shprehet; \"unë të këshillova, i nderuari Murat Meha! Ndërsa, Ju veproni si t’ju thotë ndërgjegjja juaj “kombëtare, intelektuale e profesionale!\".

E si dhe në ç`formë mund të matet në të vërtetë, ndërgjegja kombëtare e Murat Mehës dhe anëtarëve tjerë të Komisionit, pas këtij akti konspirativ, ç`drejtpeshim intelektual dhe aftësi profesionale kanë ata që sillen në këtë mënyrë me tokat e shtetit të tyre?!

Njeriu me ndërgjegje të pastër kombëtare ,kurrsesi nuk shet tokat e vendit të vet!

Intelektuali i njëmendët nuk shërbehet me projektrregulloret të vendeve fqinje, as kërkon udhëzime pune nga pala kundërshtare për caktimin e kufijve të vendit të vet, sidomos kur dihen orekset e pangopura të vendeve sllave , përfshi edhe Malin e Zi, në përvetësime tokash shqiptare dhe janë në pyetje pikërisht kufijtë e atdheut, me të!

Profesionisti i dëshmuar, nuk përcakton vijat ndarëse ndërshtetërore me kuazi dokumente hipotetike dhe inekzistente.

Komisioni i vërtetë, shërbehet me dokumente origjinale të cilat për rastin në fjalë, siç u pa edhe në emisionet e kaluara televizive, që të gjitha si një- vërtetojnë katërçipërisht se pa marrë parasysh vendimin e dyshimtë të Murat Mehës me shokë, Qakorri dhe Kulla ,ishin dhe duhet patjetër të mbeten edhe në të ardhmen,toka të Kosovës.

Ndaj, ata assesi nuk guxonin ti falnin as shitnin ato, siç dyshohet mjerisht,se mund të kenë vepruar.

Për dëmin e madh që i kanë bërë vendit, rrezikimin e tërësisë territoriale dhe tjetërsimin e pronave të shqiptarëve, njerëz që shesin interesat e atdheut, duhet të dënohen më së rëndi me ligjet e shtetit!

Në të kundërtën, po-qese edhe pas këtij rasti, ai dhe bashkëpunëtorët nuk dënohen ashtu siç edhe e meritojnë, ka rrezik që edhe në të ardhmen, tradhtia e bërë model pune nga njerëz si ata, të kthehet në ligj veprimi me dëme të përjetshme për vendin dhe pasoja të paparashikueshme për shqiptarët.

Vet fakti që vendosja e këtij kufiri prodhon kaq shumë frikë, pasiguri e trishtim në popull, është edhe një argument më tepër se Murat Meha, vërtetë i ka bërë një të zezë të madhe vendit tonë. 

Kështu që vendimi i të ashtuquajturit “Komision Shtetëror” për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duhet të shfuqizohet menjëherë!

Akti në fjalë, jo vetëm se ka shqetësuar me të drejtë, tej mase banorët e zonave të prekura kufitare dhe ngritë tensionet e brendshme, në vend, por ka mundësi të kërcënoj edhe qetësinë rajonale si dhe të prish në mënyrë afatgjate, paqen e brishtë me shtetet fqinje.

Për ti hequr dilemat, profesorët e nderuar,dr. Shpejtim Bulliqi dhe dr.Florian Isufi, siç pamë në paraqitjet e tyre televizive, ata ofruan aq shumë argumente dhe dokumente autentike bindëse, sa që anashkalimi i qëllimshëm i fakteve të tilla, herët a vonë do ti qoj para drejtësisë, Murat Mehën dhe pjesëtarët e tjerë ( të paturp) të të ashtuquajturit Komision Shtetëror.

Mjerisht, edhe në emisionin e zhvilluar televiziv, më 14 nëntor 2015 në RTK, u pa se anëtarët e këtij komisioni, vërtetë më tepër sillen si argatë të Hashimit se sa si një komision i njëmendët dhe i pavarur shtetëror, të cilët edhe një herë dëshmuan se nuk janë të rritur për çështje kaq të mëdha, tregohen tërësisht, të pa-përgatitur dhe jo-profesionist në provat e tyre.

Madje, pas mospranimit për ballafaqim nga ana e Murat Mehës dhe bashkëpuntorëve të tij, me profesorët e nderuar, si dr.prof. Shpejtim Bulliqi dhe dr.Florian Isufi , të cilët në pjesën e dytë të emisionit të lartcekur, nxorën në dritë të plotë gjithë të palarat e konspiracionit errësues dhe të dënueshëm penalisht të të ashtuquajturit Komision (tragjikomik) Shtetëror për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, lind dyshimi se nga ata, vërtetë po luhet një konspiracion i komplikuar në dëm të Kosovës.

Murat Meha mund të jetë edhe i shantazhuar. Ai, si anas i ministrit të jashtëm dhe mësit i mirë që njihet në anën e tije, ndoshta është emëruar me kusht-që të jetë i dëgjueshëm, si kryetar i Komisionit, dhe ka marrë për obligim grumbullimin e mjeteve, për pagimin e “shfajësimit” të bashkëvendësve dhe kandidatëve të mundshëm para Gjykatës Speciale, që së shpejti pritet të aktivizohet.

Ndaj, sikur të shërbeheshin me dokumente të bollshme autentike e zyrtare, Komisioni Shtetëror, nuk mund të luante rol të dyfishtë e sigurisht as të merrte shumën e supozuar të parave dhe shpërblimin hipotetik monetar, për pagimin e “shfajësimit” dhe lirimin nga akuzat rënduese të Gjykatës Speciale, mbi emra të mbështjellë me pushtet në Kosovë.

Në anën tjetër, pas harxhimit të resurseve kombëtare, edhe nuk kishte ilaq tjetër përfitimi të madh,kështu që si njeri i besueshëm i qeverisë,ai bashkë me anëtarët e tjerë të zgjedhur pikë e pikë dhe “ku janë, e ku nuk janë”, të Komisionit, mund të kenë marrë përsipër shitjen e shpejtë e konspirative të pjesëve kufitare dhe tokave më të mira të Kosovës, me shuma sa më të larta parash, në mënyrë që të grumbullonin mjete të mjaftueshme pagese, për mbrojtjen e të akuzuarve para Gjyqit special të Hagës.

Madje, përveç mbrojtjes, ata ndoshta kanë për detyrë që jo vetëm, t`ua blejnë lirinë dhe ndërmjetësojnë (financiarisht) pafajësinë e të akuzuarve të mundshëm, por edhe ti nxjerrin qoftë edhe me para, sa më të larë penalisht dhe me grada sa më të larta heroizmi, nga bankat e Gjykatës Speciale e cila pritet të aktivizohet në fillim-vitin e ardhshëm.

Pra, poet të njohur dhe këngëtarët më të mirë e më në zë të kombit, kudo që jeni, bëhuni gati pa humbur kohë dhe tregohuni maksimalisht të kujdesshëm, në mënyrë që qysh tani të filloni përgatitjen intensive për nxjerrjen e këngës së dytë dhe një balade sa më historike, mbi heroizmat e \"Qorr Ilazëve\" të kohës sonë.

Ngase ,për dallim nga ai i pari, i cili arriti të lironte nga burgu famëkeq serb, vetëm babanë e tij, të veshur me rroba dhe uniformë “Kapetani”, “kamikazi” ynë modern, duhet të shpëtojë nga dënimi i mundshëm jo një ,por disa “heronj” dhe pasi që ata, siç pritet mund të shkojnë atje me paleta gjenerali, ai ka për obligim ti nxjerrë ata prej andej më të “madhërishëm” dhe stolisë mundësisht me grada sa më të larta, deri në mareshal...

Kurse shkaku kryesor, se pse Opozita, nuk e bënë zbardhjen e arsyes së plotë mbi shitjen e mbi 8230 hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi nga Murat Meha me bashkëpunëtor, të pa njohur për popullin, por të ditur shumë mirë nga të dy palët(pozitë dhe opozitë), mund të jetë fakti se edhe pozita  ,sidomos pas daljes së incizimeve më të reja mbi mënyrën e vrasjes së ish luftëtarëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, e disa edhe pas dorëzimit të tyre, në objektet  e organeve të sigurimit sllavomaqedonas, ka informata të mjaftueshme me të cilat jo vetëm mund ti tmerroi familjarët e viktimave por të tronditë opozitën dhe gjithë opinionin shqiptar.

Pra, hipotetikisht, arsyet mbeten një e fshehtë e ditur, për të dy palët, ndaj me dakordimet e tyre taktiko-teknike, vazhdon me sukses tymosja e rregullt e parlamentit dhe mjegullimi i kontrolluar i popullit të Kosovës, siç dihet- jo për zbardhjen e mijra vrasjeve të para dhe pas luftës, por për ruajtjen e konspiracioneve të dyanshme të tyre.

Është fakt se pozitë dhe opozitë, përpiqen bashkërisht të shtyjnë sa më larg daljen publike të fakteve të dhembëshme, në mënyrë që njerëzit e vënë në gjumë, ti votojnë ata edhe për disa vjet të tjera, për qeverisje dhe drejtim shteti, para se opinioni i gjerë ta kuptoj të vërtetën mbi tmerrin që të dy palët, tash e 16 vite, vazhdojnë t`ia shkaktojnë këtij vendi dhe populli të shumëvuajtur. 

Ndaj të gjithë ata që me hile dhe pa të drejtë e sollën në këtë gjendje poshtëruese popullin shqiptar dhe kthyen Kosovën në pozita vasale karshi shteteve fqinje, përfshi copëtimin e brendshëm me “zajednica” dhe shitjen konspirative të tokave tona në zonat kufitare,duhet të dënohen.

Dhe përfundimisht, për \"argatin\" e keq të tyre, të cilin gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, ata me vetëdije ia bënë këtij vendi, e kanë hak që me ndihmën e SHBA-s, në mënyrë të përshpejtuar dhe sa më parë, të marrin gjykimin e merituar e mundësisht atë më të rëndin ligjor, duke mos harruar as Murat Mehën me shokë dhe sidomos padronët e tij në “Casa nostra”,që kanë fut rrënjët thellë dhe shtri degët kudo në truallin tonë skajshmërisht të traumatizuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)