24 Dhjetor 2024

Heronjtë

Shkruar Agim Kuleta

Një njeri për të qenë hero duhet të jetë i tillë çdo ditë. Pra, një hero duhet të jetë gjithmonë i guximshëm, të jetë i vullnetshëm ta shprehë atë para çdo mundësie, dhe që këtë guxim ta shoqëroj me mirësi.

Një njeri i guximshëm por pa vullnet për ta shpërfaqur atë, përbën një trim të parëndësishëm e të pavërejtshëm. Një njeri i guximshëm, i vullnetshëm por pa mirësinë shpirtërore, përbën një trim keqbërës.

Një njeri me vullnet për të bërë diçka, i pajisur me mirësi shpirtërore por pa guxim për të vepruar, përbën një njeri të ndershëm por të padobishëm.

Jo rrallë herë, duke dashur t’i nderojmë heronjtë, ne, pa dashje, ua zvogëlojmë vlerën atyre.  Ne përpiqemi t’i përshkruajmë ata si të jashtëzakonshëm e me cilësi mbinjerëzore. Dhe këtu fillon gabimi. Në radhë të parë heroi është njeri.

Për më tepër, ai është njeri i zakonshëm. Ai di të vuajë, të zhgënjehet, të mallëngjehet, të dashurojë, të gëzohet të qeshë e të qajë. Por ai nuk di kurrë të ndalet. Ai nuk është figurë mitike e nuk përbën mbinjeri.

Ai qëllon të jetë historian, student, këngëtar, tregtar e bujk. Ai bën pjesë në grupin e të vdekshmëve. Vepra e tyre JO. Dhe ky është dallimi. Duke qenë njerëz të zakonshëm e të përkohshëm ata bëjnë vepra të jashtëzakonshme e të përjetshme. Kjo është veçantia e këtyre njerëzve të zakonshëm.

Duke qenë se frika është njerëzore, heroi është njeri i zakonshëm edhe për këtë fakt. Pra se edhe ai e njeh frikën. Dhe e veçanta e tij këtu është se ai nuk i dorëzohet kësaj frike por ballafaqohet me të. Dhe ky është ai që ne e quajmë guxim. Dhe ky është ai veprimi i jashtëzakonshëm nga një njeri i zakonshëm.

Duke qenë njerëz të zakonshëm, heronjtë, sikur edhe të tjerët, ndjekin qëllimin e tyre personal. Por dallimi midis heronjve dhe të tjerëve qëndron në atë se çka përbën qëllim personal për ta.

Përderisa për të tjerët qëllimi personal nënkupton arritjen e të mirave për veten, për heroin qëllim personal është interesi i përgjithshëm, është e mira e të tjerëve. Heroi e ndjen veten të lumtur vetëm kur të tillë ndjehen të tjerët rreth tij. Ai aq shumë e do jetën e lumtur të të tjerëve sa ndjehet i lumtur ta jap jetën e vet për ta.

Heroizmi është një cilësi që e ka admirimin e të gjithëve, në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet. Duke qenë se çdo hero është njeri i zakonshëm, çdo njeri i zakonshëm do të dëshironte të ishte hero.

Por, jo secili e gjen brenda vetes guximin, vullnetin e mirësinë shpirtërore të arrijë këtë status. Dhe këto tri elemente, pra, guximi, vullneti dhe mirësia shpirtërore, të pandashme nga njëra-tjetra dhe vetëm si të tilla mund ta bëjnë një hero.

Një njeri, për të qenë hero duhet të jetë i tillë çdo ditë. Pra, një hero duhet të jetë gjithmonë i guximshëm, të jetë i vullnetshëm ta shprehë atë para çdo mundësie, dhe që këtë guxim ta shoqëroj me mirësi.

Një njeri i guximshëm por pa vullnet për ta shpërfaqur atë, përbën një trim të parëndësishëm e të pavërejtshëm.

Një njeri i guximshëm, i vullnetshëm por pa mirësinë shpirtërore, përbën një trim keqbërës. Një njeri me vullnet për të bërë diçka, i pajisur me mirësi shpirtërore por pa guxim për të vepruar, përbën një njeri të ndershëm por të padobishëm.

Shumë njerëz, në situata vendimtare e gjejnë veten në pozicione kyçe, por jo çdo njeri që gjendet në situata e pozicione të tilla bëhet hero. Askush nuk mund të bëhet hero duke qenë i detyruar nga situata të jetë i tillë.

Heroi është i natyrshëm, spontan. Pozicioni e situata janë vetëm rrethana që e nxjerrin në pah atë. Pra, pjesë të heroizmit mund të shfaqë secili njeri por vetëm ai që i shfaqë të gjitha përnjëherë është hero.

Secili njeri ka brenda vetes potencial për të qenë hero, por shumë pak prej tyre bëhen të tillë.

Dhe në mesin e këtyre të paktëve i gjejmë edhe Bahriun e Agronin.

Bahri Fazliu

Për ta kompletuar imazhin për figurën e Bahriut do të ishte mirë të gjendet ndonjë armik i tij që të fliste për të metat e tij. Bahriu nuk do të ishte kaq madhështor sikur të ishte i përsosur e pa të meta.

Madhështia qëndron në atë që një krijesë e papërsosur të arrijë të krijojë vepra aq të përsosura. Simfonia e 9 e Betovenit, sado që për mua është kulmi i artit muzikor, pa informatën se kjo vepër është krijuar nga Betoveni i shurdhër sigurisht që do të ishte në një shkallë më poshtë nga ajo që është.

Agron Rrahmani

Kam pasur përshtypjen se njerëzit me sens të theksuar humori nuk janë ballafaquar kurrë në jetën e tyre me problemet e jetës në përmasat reale të seriozitetit të kësaj fjale. Demanti për këtë përshtypje më erdhi pikërisht nga Agroni.

Ai, të kundërtën, e dëshmoi me veprën e tij. Unë nuk di dëshmi më të fuqishme se fakti që ky njeri tallej vazhdimisht edhe me bashkudhëtaren e pandashme, atë që i ishte betuar se kurrë nuk do të hiqte dorë prej tij – tallej me vdekjen.

Ai ishte një njeri i qetë e i buzëqeshur me fatin e tij të vrazhdët. Kjo e bën të padurueshme ironinë me të cilën fati iu përgjigj kësaj buzëqeshjeje.

Bahri Fazliu e Agron Rrahmani tani janë dëshmorë. E dëshmorë janë njerëzit e zakonshëm që me vdekjen e tyre i vënë kurorën e përjetësisë veprave të tyre të jashtëzakonshme. Veprave që ata i bënë të veçantë, pra heronj. Për dallim nga të zakonshmit e tjerë.

 (Deputet i LB-së në Kuvendin e Kosovës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)