Heroizmi i Jakupit dhe lopatat e Hashimit
Shkruar nga Gani Qarri
Kohët e vështira thuhet se gjithmonë lindin edhe heronj të rinj. Kjo u pa edhe me 18 tetor të këtij viti kur Policia e Kosovës devijoi misionin e saj ligjor për mbrojtjen e rendit dhe ligjit,nën urdhëratë e Bajram Rexhepit, i cili ndoshta pas pirjes së ndonjë gote \"rakie të fort\" kishte humbur busullën.
Dhe në vend se ai ti orientonte këto dhe forca tjera në drejtim të Urës së Ibrit, për të çliruar Veriun e okupuar të vendit,pasi që vet kishte qëlluar \"me punë\" në Prishtinë, (ndoshta) \"gabimisht\" kishte nisur edhe policinë për të sulmuar fshehurazi dhe pa asnjë paralajmërim,Kuvendin e Kosovës, të cilin në \"dyluftim\" me të, e mbrojti me heroizëm i vetëm dhe me dinjitet, Kryekuvendari - Jakup Krasniqi.
Siç u cek edhe në fillim të këtij shkrimi, kohët e vështira prodhojnë heronjtë e tyre,ndaj hero i parë që do tu kundërvihej veprimeve të tilla pa përkrahjen e askujt, edhe pse fjala ishte për mbrojtjen e ligjit dhe parimeve demokratike të të gjithë vendit,kësaj radhe u dëshmua kryeparlamentari Jakup Krasniqi i cili derisa të tjerët në mënyrën më të çuditshme- heshtnin,madje edhe e ashtuquajtura \"opozitë\" që me asgjë nuk e dëshmon se është e tillë,ai luftoi i vetëm kundër të gjithëve për mbrojtjen e Kuvendit, Ligjit dhe rregullave demokratike të cilat siç duket ministri i punëve të brendshme,ato i kishte kuptuar ndryshe.
Për çudi \"Opozita\" heshtë edhe kur nuk duhet, madje për më keq, vet pjesëtarët e pozitës edhe atëherë kur kryekuvendari u kundërvihet veprimeve të pa matura të ministrit të brendshëm,zëri tyre nuk dëgjohet.
Me-gjithë rrahagjokset e panumërta për luftërat e gjata dhe patriotizmin e vërtet e të pa fund- \"vetëm\" të tij,ministri i brendshëm, në opinion krijoi përshtypjen se ka raste kur ai nuk është plotësisht i qartë për aktet e pa studiuara mirë që bënë, vepron siç e urdhërojnë të tjerët, apo është kundër demokracisë dhe vendosjes sipas rregullave të saj, në mbrojtjen e të cilave do duhej të ngrihej edhe opozita po të ishte një opozitë e mirëfilltë sa dhe si duhet.
Derisa përditë e më tepër po dëshmohet se në radhët e partisë kryesore qeveritare, kur janë në pyetje interesat e vendit, Ligji dhe Demokracia,ka edhe mbrojtës të vendosur të tyre, e ashtuquajtura \"opozitë\" më mirë do të ishte të quhej, hopo-zitë-,ngase përveç hopeve të saja pa takt as plan,sa andej sa këndej nuk ka mbetur më as \"mish\" as \"peshk\", bile shpesh krijohet bindja sikur ajo nuk ekziston ,pasi që përpos \"amin-it\" dhe heshtjes për çdo gjë, zëri i saj pothuajse nuk dëgjohet fare dhe për asnjë punë.
Siç u pa edhe me 18 tetor, Jakup Krasniqi i vetëm, guxoi ti nxirrte jashtë forcat policore të cilat për herë të parë që nga paslufta-kishin guxuar ta \"pushtonin\" parlamentin, duke vërshuar edhe në hapësirat brenda Kuvendit të Kosovës, si dikur forcat policore pushtuese të Serbisë, të cilat në vitin e mbrapsht 1989, jo vetëm se okupuan Vendin dhe Kuvendin, por suprimuan edhe Kushtetutën duke marrë me forcë edhe atë pak autonomi që atëbotë kishte Kosova.
Por ,Bajram Rexhepi, çfarë donte të bënte vallë kësaj radhe me gjithë ata alamet Policësh dhe ushtar të dëgjueshëm të tij,pa qen më parë e shpallur kurrfarë gjendje e jashtëzakonshme, kërcënim lufte nga jashtë apo brenda, sikur të mos reagonte me kohë dhe vendosmëri Kryekuvendari Jakup Krasniqi? ngase opozita prapë heshti, siç di vetëm ajo të bëjë!
A ishte në pyetje vetëm imponimi i rezolutës për \"përmirësimin\" e marrëdhënieve me Serbinë, të cilën ai dëshironte ta arrinte me dhunë dhe forca policore,apo ky njeri është përmalluar për luftë dhe kësaj radhe këtë donte ta bënte kundër vendit të tij dhe kundër vullnetit të popullit shumicë të Kosovës,për të cilin ai dhjetëra herë me mburrje na thotë se për kohë të gjatë ka luftuar ?!
Apo, çka në fakt fshihej prapa këtij aksioni misterioz, dhe çfarë në të vërtetë do të ndodhte me atë datë, sikur mos të reagonte edhe Jakup Krasniqi, siç i ka hije një politikani të denjë të popullit me qëndrime të çarta kombëtare?!
Pse nuk reagon edhe opozita sado e mekur që është, të paktën në raste të tilla,me vendosmëri,pasi që është në pyetje mbrojtja e ligjit dhe parimeve të demokracisë, por lakohet aq lehtë nga peshat e interesave klanore të cilat jo vetëm rëndojnë por edhe arrijnë të vendosin diktate mbi politikën e disa partive kosovare.
Nëse Bajram Rexhepi paska luftuar që nga vitit 1996, siç thotë ai... kundër forcave pushtuese të regjimit serb dhe \"Pragave\" të tyre të pajisura me gulinovë, të cilat ai (nga përvoja e tij) ato i konsideron si armët më të rrezikshme,a donë të thotë kjo se ministri ynë (luftarak) i brendshëm, paska fituar të drejtën që tani ta sulmoj edhe Parlamentin e popullit të tij- kokë më vete apo sipas porosive të padronëve të tij, duke anashkaluar çdo rregull ligjor dhe shkelur Kushtetutën e vendit,të cilit për nga funksioni i takon ta mbroj me të gjitha mjetet e mundësit që ia ofron ligji dhe posti ministror, madje ti shërbej asaj me dinjitet dhe besnikëri,siç i ka hije një ministri të këtij rangu ?!
Kundër kujt dëshironte ta niste këtë herë luftën Bajram Rexhepi dhe si guxoi ai të bie deri në atë shkallë sa që pa asnjë paralajmërim të dërgoj edhe forca policore , për ta pushtuar fshehurazi Parlamentin e Kosovës dhe imponuar popullit të tij me forcë , miratimin e Rezolutës për bisedime me Serbinë?!
Pse ,deri tani me përkrahjen e ndonjë bashkë partiaku,vetëm Jakup Krasniqi i qëndroi besnik parimit të një politikani i cili lufton për mbrojtjen e të Drejtës, Demokracisë dhe Ligjit, kurse partitë \"opozitare\" edhe pse kanë vërejtur që moti se qeveritarët sa herë që munden e keqpërdorin ligjin, dhe shkelin mbi te me të dy këmbët,nuk kanë reaguar asnjëherë si duhet dhe as nuk janë mërzitur kurrë për shkelje dhe anashkalime të tilla ligjesh të këtij vendi.
Madje derisa udhëheqja e ç`akorduar e AAK-s, siç duket ka probleme organizimi ndaj pret kthimin e të zotit të shtëpisë për tu unifikuar më mirë dhe aktivizuar si duhet,kryesia e LDK-s është konsumuar deri në atë masë sa që siç thotë një shprehje e njohur popullore; ata,\"nuk kanë mbetur më as sherr i kujt dhe as hairi i vetes.
Udhëheqja e tanishme e LDK-s, më tepër të krijojnë përshtypjen e një grupi muzikantësh popullor-si, Isa Mustafa e Sabri Hamiti -gajdexhi, kurse Ismet Beqiri e Lutfi Haziri -daullexhi,të lodhur - si pas ndonjë dasme të mundimshme dhe të sapo-përfunduar,të cilët e marrin edhe bërjen politikë si bërje muzike, sikur të ishin ftuar për të rregulluar disponimin e dasmorëve,kësaj radhe të qeverisë dhe ministrave të saj edhe në këto kohë të trazuara, kur nga ta pritet më shumë punë dhe angazhim politik opozitar.
LDK, që nga lufta e zhvilluar (me karrige)për ndarje, jo vetëm se nuk i`a prish terezinë asnjë qeverie, por ajo bashkë me AAK-në, nuk është hera e parë që e mbështesin çdo veprim të Kryeministrit, sikur këta të ishin anëtarët të përbetuar të partisë që ai drejton dhe përkrahësit më besnik të tij, sa që e kanë humbur tërësisht edhe kuptimin e të quajturit të tyre \"opozitë\".
Si pjesëtarët e saj jashtë edhe deputetët e opozitës në Parlament nuk reagojnë pothuajse asnjëherë madje as atëherë kur brenda vetë PDK-së, me të drejtë krijohen opozita të njëmendta, për mbrojtjen e Ligjit dhe Demokracisë së këtij vendi dhe të drejtën e këtij populli pa refleksione i cili për fat të keq të lë përshtypjen se ende nuk ka arritur në nivel të mjaftueshëm ngritje dhe vetëdijesimi për veprime të duhura edhe në situata të tilla.
Ndaj,qeverisja e PDK-s, sot, zhvillohet pa asnjë mundim të brendshëm-përderisa problemi i Veriut konsiderohet i harruar nga ajo, e qet dhe e pa trazuar edhe nga jashtë,pasi që gëzon përkrahjen e shumicës së vendeve të huaja, me një fjalë-PDK, ushtron e qet -qeverisje me lezet dhe shije të veçantë,aq sa secila qeveri e cilit do vend tjetër përreth, do t`ia kishte shumë lakmi.
Madje edhe vet Kryeministri,si duket ka qëlluar njeri me fat, pasi që si LDK -n, ashtu edhe AAK-n, as britmat me zë të Jakup Krasniqit, nuk i përmendin nga gjumi i tyre i rëndë,të cilat ka kohë që për asgjë ,nuk përbëjnë më kurrfarë opozite serioze në këtë vend.
Bile për ti ardhur në ndihmë,sa më mirë dhe në çfarëdo situate të papërshtatshme për qeverinë dhe Kryeministrin, që të dy këto parti janë kthyer në Lopata besnike të Lundrës së Hashim Thaqit, për ta nxjerr atë në breg,edhe atëherë kur ujërat e trazuara vlojnë nga brenda dhe rrezikojnë seriozisht luhatjen e barkës së tij.