Heroi tragjik dhe konflikti në katër tragjeditë e Shekspirit
Shkruar nga Halil Bashota
Që nga fillimi kritika për Shekspirin ka qenë në raport sinonimi me kritikën e heronjve të tij, të cilët domosdoshmërish paraqitën brenda kontekstit historik, social, politik dhe të imagjinuar. Heronj të njohur që vijnë në situata të veçanta. Shekspiri njohu mirë audiencën të cilës i drejtohej me karakteret e tij të çmuar.
Ai solli situata aktuale të asaj kohe, duke i sprovuar vlerat sociale në të gjitha kontekstet, që në përgjithësi në teatrin Elizabetian ishin të mirëpritura për audiencën e kohës.
Personazhet kryesor i pajiste me epitete të heronjve të mëdhenj të cilët tundoheshin nga fati, fatkeqësia, vendimmarrja e gabuar, si dhe paaftësia për të shmangur veprimet e tyre të cilat gjithashtu ishin të ndërlidhura me kontekstin social.
Situata të atilla ku personazhet paraqitën të motivuar, të udhëhequr nga ndjenjat dhe që veprojnë në afekt, e cila i bënë ata të duken herë si heronj të pa zëvendësuar, herë injorant që nuk arrijnë të kapin situatën në duart e tyre, siç e kemi Hamletin, hezitimin e tij dhe dilemën e pashpresë ndaj obligimit të madh dhe të tej çmuar në shoqërinë në të cilën ai i takon, si imazh i përvetesishëm dhe i nevojshëm.
Kjo e bënë edhe më të ndjeshëm komunikimin me audiencën që siç duket për ta, paraqitjet e tilla skenike flasin vet, një imazh të paqëndrueshëm, një situatë e brishtë, plotë aktivizëm, eufori dhe ndjenja.
Ku ngjyrimi artistik dhe ai përshkrues i japin edhe më shumë kohezion veprimit të tejskajshëm në aktivitetin letrar të tij, i cili aktivitet bëhet edhe më i qartësuar në skenë kur Shekspiri vjen në teatrin Elizabethian me heronjtë tragjik.
Heronjtë tragjik në tragjeditë e Shekspirit janë heronjtë që kanë famë dhe pozitë të mirë sociale. Nuk janë thjeshtë heronj të rastit, që papritmas ballafaqohen me fatin e tyre.
Ata janë heronj të përzgjedhur nga Shekspiri për ti sfiduar me konflikte të ndryshme siç janë: ambicia për pushtet, urrejtja, tradhtia, xhelozia dhe vet fati i tyre. Hamleti si princ i Danimarkës sfidohet nga dilema e madhe Hamletiane, e cila e ven në sprovë veprimin e tij pa të cilin e tërë skena do të ishte e papërfunduar.
Karakteri i Hamletit, jo vetëm që është një figurë e tejskajshme, gjithë përfshirëse, plot ngjyrime artistike, por ai me gjenialitetin që shprehë, fuqinë poetike, rrëfimin modular të ngjarjeve dhe elokuencën, e përmbushin aspektin kontekstual të përshkrimit që Shekspiri ka aloduar në katër tragjeditë e tij të famshme Hamletin, Makbetin Othellon dhe Mbretin Lir.
Avantazhi kryesor në këto katër tragjedi është doza e rritur e subjektivitetit që përdorët tek personazhet apo heronjtë për te tejkaluar sfidat individuale dhe ato rituale në kryerjen e veprimeve që dalin të përcaktuara nga konteksti social dhe rendi shoqëror.
Kemi Hamletin, i cili tejkalon të gjitha sfidat për te ardhur deri tek momenti i çmuar, hakmarrja. Zonja Makbet harron çdo gjë që është e shenjtë për të në fillim, për të çimentuar ndjenjat e saja ambicioze.
Othello nga injoranca e tij zhytet në thellësi të veprimeve duke mos i kontrolluar ato. Ndërsa Mbreti Lir, pëson nga vendimet e tij të marr si rezultat i mos barazisë atërore gjatë sundimit të tij.
Rrjedha e konflikteve në tragjeditë e Shekspirit është shkak pasojë. Gjithçka fillon nga një ide, mendim që ndodhët i ngulitur thellë në mendjen e heronjve të tij.
Më pastaj ajo shfaqet aty-për-aty dhe si rrjedhojë krijohet një ngjarje, e cila kërkon gjithë vëmendjen e karaktereve tjerë duke u instaluar si pasion tek shumica.
Dhe për të zgjidhur këtë ngjarje, Shekspiri modifikon qëllimin e tij me pasionet e çastit dhe krijon konfliktin që çon në tragjedi duke e bërë qe audienca të mbahet gjithë kohën aktive.
Ka dy lloj konfliktesh tek personazhet e Shekspirit, konfliktet e brendshme dhe të jashtme, që fillojnë gjatë rrjedhës së ngjarjes dhe më pastaj aty për aty konkretizohen, bëhen të paqarta dhe të pa evokueshme deri në një përfundim të papritur.
Konflikti i brendshëm tek Hamleti paraqitet si rrjedhojë e ndjenjave të tij, perceptimit, si dhe natyrës se si ai i qaset problemeve.
Hezitimi i tepërt për të besuar në fantazmën e babit të tij, paragjykimet, besëtytnitë, të gjitha këto e nxjerrin Hamletin të dal një personazh i heshtur, i pa natyrshëm, dhe shumë neglizhent.
Kjo dilemë Hamletiane është studiuar me vite si nevojë e kapjes së pjesëve të përbashkëta dhe të natyrshme të rrjedhës së ngjarjes. Ndërsa konflikti i jashtëm paraqitet si rrjedhojë e konfliktit të brendshëm, në formë të ngjarjeve dhe sekuencave tjera që zhvillohen gjatë gjithë kohës.
Hamleti nuk është thjeshtë një karakter i aty për atyshëm, Shekspiri e sprovoj artin e tij me gjithë fuqinë letrare për ta bërë atë një nga karakteret më të ndërtuara dhe më të ngritura në gjithë letërsinë e botës. Botëkuptimi i tij, elokuenca, fuqia për të fantazuar, të gjitha këto janë një version i të menduarit Shekspirian, i llojit të veçantë.
Pra, të menduarit Shekspirian është një çështje që duhet të studiohet dhe të sprovohet mirë para se të fillohet performimi eventual i ndonjë vepre të këtij autorit. Për më tepër, pa të menduarit Shekspirian, i gjithë koncepti ynë bie, mbetet i pa zbërthyer mirë, që në shumicën e rasteve audiencën e nxjerr të hutuar, ngase ngjarja ka një kronologji në mes të konflikteve të brendshme dhe të jashtme.
Ndërsa audienca nuk është gjithherë e gatshme të kap këtë përftim të natyrshëm të gjithë ngjarjes. Kështu që në shumicën e rasteve audienca rrallë here arrin të kuptoj saktësisht një mesazh të tillë.