24 Dhjetor 2024

Heroi im

Shkruar nga Afrim Berisha

Nuk e di nëse ju ka rastisur të shkoni në zonën ku ka vepruar Brigada 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.  Nuk e di nëse keni pasur rastin të vizitoni Llapushnikun, Kleçkën, Berishën, Tërpezën, Lladrovcin, Arllatin, Malishevën, Komoranin, Shalën, Luzhnicën e vende tjera gjithandej Pashtrikut, Drenicës e Llapushës ku ka vepruar Fatmir Limaj- Komandant Çeliku.

Nëse i vizitoni vendet që i përmenda më lartë, kudo mundë të gjeni mbishkrime si: “Heroi im është Fatmir Limaj”, “Brigada 121, Krenaria jonë”, “Fatmir, krenohemi me ty”, e porosi tjera me përmbajtje të ngjashme.

E këto porosi miqtë e mi, janë shkruar, vazhdojnë të shkruhen dhe do të shkruhen gjithmonë pavarësisht akuzave e etiketimeve që i bëhen sot Fatmir Limajt dhe shokëve të tij nga Brigada 121 por edhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së qofshin ata nga grupi i Drenicës apo ai i Llapit.

A e dini pse? Sepse, pavarësisht zhvillimeve politike, pavarësisht proceseve gjyqësore e aktakuzave. Fatmir Limaj dhe shokët e tij do të mbesin heronjët më të mëdhenjë për njerëzit e këtyre anëve.

Ata, do të mbesin heronjë, pavarësisht se për dikë tjetër mundë të jenë të dyshuar për vepra penalë. Ata do të mbesin heronjë edhe nëse nga dikush shpallen fajtorë për ato vepra nuk i kanë kryer. Ata do të mbesin heronjë të përjetshëm, në zemrat dhe në mendjet e tyre.

Do të mbesin heronjë sepse, falë tyre banorët e këtyre viseve gjetën mbrojtjen nga tmerri, nga dhuna dhe vrasjet e forcat serbe. Falë kontributit të tyre njerëzit e këtyre anëve fituan lirinë që dikur ishte ëndërr shekullore. Falë tyre sot ata guxojnë të mendojën lirshëm dhe të thonë fjalën e tyre lirshëm dhe pa u frikësuar nga askush.     

Nuk i kam besuar asnjëherë aktakuzat që dikur ishin ngritur nga Tribunali i Hagës për krime lufte ndaj Fatmir Limajt. Nuk i besoj as sot aktakuzat me të njëjtën përmbajtje nga EULEXI.  Nuk dua ti besoj as për përmbajtjen që kanë, as për mënyrën se si janë bërë dhe as për atë se nga kush janë bërë. Nuk dua ti besoj thjesht sepse edhe unë jam një nga këta banorët që vijnë nga Zona ku ka vepruar Brigada 121.

Nuk dua ti besoj, sepse edhe unë jam një nga pjesëtarët e Brigadësi 121 dhe të njëjtat akuza nesër do të mundë të bëhen ndaj secilit pjesëtarë të kësaj brigade, sikurse po ndodh këto ditë edhe ndaj grupit të Drenicës.

Nuk dua të besojë diçka që tenton të njollosë krenarinë më të madhe të banorëve të kësaj ane. Nuk dua të besojë diçka që tenton ti qet hije të keqe lavdisë së një lufte. E ajo është lufta e shenjtë e UÇK-së, që në shumë raste personifikohet me Komandant Çelikun dhe me pjesëtarët e Brigadës 121.

Nuk dua ti besojë aq më tepër kur për të njëjtat aktakuza, Fatmir Limaj është shpallur i pafajshëm nga Tribulali i Hagës. Andaj gjithçka tjetër që tentonë të sjellë dikush, në lidhje me këto aktakuza, është përpjekje jo për të zbardhur krime që nuk ekzistojnë, por për të thyer moralisht një komandat të pamposhtur të UÇK-së, dhe një politikan të dëshmuar, sikurse ishte Fatmir Limaj.      

Miqtë e mi, më besoni edhe për një gjë. Diçka që unë dhe shumica e njerëzve si unë e kanë ndjerë thellë në shpirt. Më besoni kur ju them se përlotja e Fatmir Limajt, para trupit gjykues në seancën e fundit, nuk ka qenë përlotje dobësie e dorëzimi.

Sepse Fatmiri dhe shoket e tij, nuk janë gjunjëzuar dhe nuk janë dorëzuar as atëherë kur Kosova ka qenë në kulmin e ofenzivave shkatërruese të forcave serbe. Ata nuk janë dobësuar dhe nuk janë dorëzuar as para aktakuzave për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Ata nuk janë dorëzuar asnjëherë në të tilla raste sepse lufta e shenjtë e UÇK-së, ishte dhe mbetet frymëzim krenarie.

Kjo përlotje më shumë se gjithçka tjetër, ishte shprehje e revoltës. Ishte shprehje e mllefit për akuzat e pabazuara që rëndojnë në krenarinë, nderin dhe në shenjtërin e një luftëtari dhe komandati të UÇK-së. Ishte shprehje e mospajtimit për mënyrën se si po vepron misioni i EULEXIT për të njollosur me çdo kusht një figutë emblamatike të luftës së UÇK-së. Ishte shprehje e qëndrimit se ky mision, ka zgjedhur një rrugë të gabuar për të arsyetuar dështimin e tij në Kosovë.   

Dhe në fund të këtij shkrimi, du ta bëjë të qartë edhe një gjë. Unë sikurse të gjithë banorët e Pashtrikut, Llapushës e Drenicës dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve që e kanë çmuar luftën e UÇK-së,  besojmë fuqimisht në pafajësinë e Fatmirë Limajt dhe shokëve të tij. Besojmë në luftën e shenjtë të UÇK-së, e cila pavarësisht zhvillimeve do të mbetet e tillë përgjithmonë në historinë e Kosovës.

Fatmir Limaj, është heroi im. Pjesëtarët e Brigadës 121, janë krenaria jonë kombëtare dhe të tillë do të mbesin sa të ekzistojë shqiptaria.

/Autori është ish pjesëtarë i Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)