24 Dhjetor 2024

Hashim, jo që nuk do ta kalosh Rubikonin, por do të mbytesh në një përrockë katundi

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Ka diku 3 apo 4 vite kur  në një shkrim timin pata parashikuar se Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i gjithëpushtetshëm dhe pronar i skenës politike në Kosovë përkundër faktit se i ka bërë ballë të gjitha furtunave, fundin do ta ketë shumë të keq sepse do të mbytet në një përrockë...katundi.

Gjenial jam dhe çuditem si jam aq i mençur apo, realisht, budalla sui generis ; unë bëja parashikime që më prishnin me Hashimin të cilin aq shumë e kam dashur kurse sot e dua edhe më shumë kurse, në anën tjetër, Basri Peçani bënte miliona me parashikime se cili është trendi rreth ushkurit.

Hashimi, me patericën Bekim dhe disa milingona dembele përcjellëse, pa mandatin e Kuvendit, të dielen e ka përqafimin e radhës me Frederika Mogerinin dhe Aleksandar Vuçiqin, despotin e Serbisë dhe shkatërruesin e Kosovës.

Në fakt, këtë punë e bëjnë bashkë, kush më pak e kush më shumë. Po thonë se Hashimi nuk ka mandat të bisedojë me Vuçiqin, pa lejen e Driton Selmanajt, Albin Kurtit, Imer Mushkolajt dhe Behxhet Shalës.

Me një fjalë, pasi e dinë se Hashimi tash nuk ka mundësi kurrë të marrë pëlqimin e votave të mjaftueshme në Kuvend për të qenë kryenegociatori, të gjithë po këmbëngulin në këtë kërkesë të cilën presidenti ynë gjenial dhe i mençur e ka përkthyer në një thirrje për gjithëpërfshirje për interes nacional dhe shtetërorë.

Besoni se për këtë nuk i beson askush përveç meje, madje nuk i beson as Bekim Paterica, Enver Rrenci dhe disa hajna të tjerë që janë pjesë e orgjive dhe marrëzive parapolitike të Hashimit, që nga përfundimi i luftës.

Hashimi po luan lojë të ndyrë ku është mjeshtër por jo në kundërshtim të mandatit kushtetues që i njeh reciprocitetin e përfaqësimit gjatë negociatave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Realisht, në bëmë përpjekje ta ndryshojmë nivelin e përfaqësimit duke e dërguar ekipin Mirëdita – Dobardan por, për shkak të së kaluarës së tyre UÇK, Serbia i keqtrajtoi në kufi.

E bëmë përpjekjen e dytë duke e dërguar njeriun të cilin as në ëndërr nuk kam besuar se Serbia do ta refuzojë, aq më parë që është edhe pjesë e ekipit të Edi Ramës, Shkelzen Maliqin por edhe ky doli dhe u shpall perona non grata (person i padëshiruar) për Serbinë, duke e injoruar të kaluarën e tij.

Nuk kemi zgjedhje dhe zgjidhje tjetër përveç se ta pranojmë Hashimin si kryenegociator.

Albin Kurti po shtronë kushte që nuk do t’i pranonte asnjë shtet edhe nëse Kosova do të ishte shumë më e fuqishme dhe të kishte një pozitë të fortë negociuese e jo kur në këtë kategori jemi kategori sociale.

Ato çka po thotë Albini janë përralla sikur që do të bëja unë ta kushtëzoja Kate Upton për një lidhje të mundshme romantike dhe sentimentale.

 E luaja Behxhet, po modest që je ! Tjetër është të përshkruani situatën, krejt tjetër është të ofroni zgjidhje. Albini nuk ofron zgjidhje sepse e kemi fuqinë e tredhur.

Kërkohet që Hashimi të ndalet me çdo kusht për çka edhe unë pajtohem, por me çka të ndalet ?!

Të ndalet  me konstatimin se qenka gënjeshtar, mashtrues, jokredibël dhe injorant ! Këto janë fyerje dhe kurrë fyerjet nuk shndërrohen në argument.

Unë, me gjithë dashurinë për Hashimin  nuk po e prodhoj asnjë efekt frenues e lëre më Albini me ato fyerje, së bashku me disa persona në LV, që fjalorin e rrugaçërisë e kanë shndërruar në kulturë komunikimi dhe mbijetesë politike.

Kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk do ta pranojë gjuhën e komunikimit dhe skajshmërisht fyes ndaj Aida Dërgutit aq më parë që e di kontributin e saj në LV, që nga ditët e para dhe se jam e sigurt se Aida ka përmbajtje 100% kombëtare.

Nëse Albini po thotë se Hashimi duhet të ndalet me çdo kusht, le të organizojë protesta. Nëse LV paska fituar mbi 100.000 vota, mjafton që vetëm ata që kanë votuar, të shndërruar në protestues, për 15 -20 do ta rrëzonin Hashimin, bashkë me Vuçiqin dhe Mogerinin në kohën kur Zezdita është rrëzuar përtoke dhe po bënë përpjekje që, duke iu lëvyrur Hashimit me cilësimin e kryenegociatorit gjenial, do të ringjallet në rolin e mashtrueses dhe bredhacakes së Brukselit.

Unë e kam hallin tjetërkund, si mund ta dobësojmë dhe rrëzojmë Bekim Patericën që po mbijeton duke i ndërruar këmbët dhe jo vetëm këmbët e pushtetit !

Hashimi po e luan lojën e ndyrë, ate që e bënë më së miri e që është e lejueshme në këtë rajon e sidomos në Kosovë, po luan në shtigje afatgjata të rraskapitjes së durimit qytetarë.

 Për model e ka Demarkacionin që e kundërshtuan një kohë të gjatë por më vonë e votuan. Hashimi deklaroi se për të qenë kryenegociator nuk i duhet pëlqimi i Kuvendit por përkrahja e pesë ambasadave më të fuqishme në Kosovë të cilat, pas kësaj deklarate të Hashimit nuk u deklaruan fare prandaj i dhanë legjitimitet rolit të Hashimit sepse u levërdis politikisht ky Hashim por edhe të tjerët.

Albini po vepron si një mjek i keq  i cili konstaton se keni problem me hemoroide ndërsa t’i futë 3 – 4 stenta, jo në prapanicë ku do të duhej sipas diagnozës por në zemër. Sot, në Kosovë, më shumë problem paraqet opozita se vet pozita.

Një opozitë e shkapërderdhur që nuk ofron asnjë zgjidhje apo ofron diçka që është e kundërta e zgjidhjes, është votuesi më i mirë për pozitën aktuale dhe garantues për jetëgjatësi të pozitës aq më parë që kjo pozitë është projektuar për realizimin e disa projekteve që nuk janë realizuar më parë.

Ta keni parasysh faktin se, në rrethana tjera, as në endërr ndërkombëtarët nuk do të lejonin që Kosova të udhëhiqej nga 4 komandantë ( thuaja kryesorë të luftës ) kurse tani, përveç se i përkrahin, disa prej tyre i lavdërojnë botërisht ndonëse, sikur në rastin e Millosheviqit që në Dejton llogaritej si ndërtuesi kryesorë i paqes,  kishte aktakuzë aktive për krime lufte dhe kundër njerëzimit, deri te gjenocidi në Srebrenicë .

Taktika e Hashimit dhe mbrojtja e Albinit: Hashimi por edhe ne që jemi më pak të mençur se presidenti znë gjenial e dinë se në çastin kur keni pranuar të bëheni pjesë e bisedimeve me një shtet me të cilin keni probleme të pazgjidhura, domosdoshmërisht do të bëni kompromis dhe vendimi që shkakton dhimbje nuk i takon  të fortit, Serbisë por të lodhurit, Kosovës ndërsa ndërkombëtarët gjithmonë i mbajnë anën të fortit ku edhe kanë më shumë interes.

Në atë moment kur keni pranuar që çështjet që janë ekskluzivisht çështje e brendshme e një shteti të hudhen në tavolinën e bisedimeve, nuk keni të drejtë të hidhëroheni apo të mendoni se jeni mashtruar.

Në çdo aspekt Serbia është fituese sepse, duke i ikur çdo përgjegjësie për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po bëhet përcaktues për çështje të brendshme të Kosovës.

Nëse Hashimi, si pehlivan dhe njeri që mbijeton në saje të krizave që i prodhon vet, mund ta mashtrojë qytetarin e Kosovës me një armatë të madhe llaskucësh dhe me një fuqi të madhe ekonomike (jo mjete të tija) deri në masën që nuk ia nien fare hashimi për kundërshtimin e qytetarëve, ai e ka një mbështetje dhe përvojë nga ndërkombëtarët dhe e kaluara, jo fort e largët.

Hashimi e ka të qartë se çfarëdo llojë marrëveshje që e nënshkruan me Vuçiqin, e që është marrëveshje ndërkombëtare, duhet të votohet në Kuvend.

Në rrethanat aktuale këto marrëveshje kurrë nuk do të votoheshin sipas parimit të llamarinës mirëpo situata mund dhe do të ndryshojë si gjithmonë me një “ kafe të mëngjesit “ në njërën nga ambasadat ku do të bindeshin edhe këta që “ fuqishëm “ e kundërshtojnë sot  se me kundërshtim po e dëmtojnë perspektivën europiane të Kosovës dhe proceset integruese e lëre më nëse nga ta kërkon mirëkuptim (dorëzim të pakusht) ndonjë figurë e rëndësishme ndërkombëtare !

Jemi të provuar me “ qëndrueshmërinë e kundërshtimit “ të tereqëve dhe terakesheva tona thuaja në të gjitha rastet kur kanë kundërshtuar.

 Me Serbinë duhet të bisedohet dhe të arrihet marrëveshje ekskluzivisht në bazë të reciprocitetit dhe nëse kështu veprohet le të jetë kryenegociator edhe vet Hashim Thaçi.

Mirëpo, pas këtyre marrëveshjeve, deputetët do të detyrohen nga ndërkombëtarët apo nga e kaluara e tyre jo e pastër të votojnë këto marrëveshje dhe Hashimi do të ndahet i palagur, sikur deri më tani. 

E patë kur tha se me Serbinë do të bisedohet edhe për kufijtë ndonëse as vet nuk u beson fjalëve që i tha. Serbia, në rrethanat aktuale nuk do të pranonte të bisedohet për kufijtë edhe nëse kompensohet me territore të reja të Kosovës.

Serbia, pa asnjë dyshim se do të përfitojë territorialisht, qoftë duke marrë territore (më vonë), qoftë duke siguruar kontrollë dhe destabilizim strategjik të Kosovës përmes Asociacionit të komunave serbe dhe zonave të mbrojtura e që do të shndërrohen në njësi ekstraterritoriale.

Nëse keni kapacitet për mashtrim, nuk nënkupton se keni aftësi negociuese. Po flitet se Hashimi tërë këtë po e bënë për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale  sipas raportit të Dik Martit ku Hashimi është fare yll i këtij raporti në bazë të cilit është formuar Gjykata Speciale vetëm kundër shqiptarëve, si pjesë e sistemit të Drejtësisë së Kosovës (këtu edhe unë po i bashkangjiten luarjes së koqeve që e bëjnë ndërkombëtarët me këtë gjykatë

Nëse Hashimi është pjesë e kërkesave për akomodim në Hagë, si mysafir i Gjykatës Speciale, jo bisedimet me Vuçiqin por edhe po të ishte vëlla i Kim Jong Unit, nuk do të shpëtojë.

Millosheviqi, si njeriu me mundësi të madhe destabilizuese dhe stabilizuese, u trajtua si i tillë deri sa kishin nevojë për të ndonëse e kishte aktakuzën e ngritur!

Ndërkombëtarët përdorën opozitën në Serbi sikur edhe shqiptarët e Luginës për ta dobësuaar dhe rrëzuar Millosheviqin për ta paketuar pastaj Made in Serbia në Sheveningen. Çka fituan shqiptarët e Luginës me luftën që e bënë ?!

Asgjë përveç se i vranë, i shpërngulën me dhunë, i lanë pa identitet duke i shndërruar në pakicë të papërfillshme.

Bazuar në përvojat e së kaluarës, Hashimi nuk do ta ketë fatin e mirë apo përfundimin e mirë. Po të ishte në anën e interesit të popullit dhe të shtetit, Hashimi do të bëhej me rrënjë, tash, duke ia kthyer shpinën këtij rrethi është shndërruar në dushk dhe gogla të cilat edhe era më e dobët i shkund nga degët.

Nuk më vjen mirë për këtë fund por nuk ka merituar më të mirë. Hashimi, por edhe të tjerët e kanë të qartë se kur ndërkombëtarët kanë interes , menjëherë ta ndryshojnë identitetin, nga Hashim apo emër tjetër (varësisht nga interesi) të bëjnë Sanader.

Sa për fillim. Për këtë gjendje nuk është fajtor i vetëm Hashimi, të gjithë kemi përgjegjësi prandaj të gjithë po i bartim dhe do t’i bartim pasojat, sidomos pas “ marrëveshjes historike “.

Më herët, Baca Adem, me të parë se nuk jemi askund thoshte : “hajt Bacës, as nuk po na pyesin e as nuk po na dëgjojnë prandaj duhet të këqyrim seri. Do të vjen një kohë kur askush nuk do të mbetet pa u koritur dhe se do të na dhimben këta shokët tanë...”.

Doli ashtu si e parashikoi Baca, u koritën deri në pikën e fundit e se a na dhimben, është pikëpyetje e madhe ndonëse nuk është njerëzore të kënaqeni me vuajtjet dhe pësimet e të tjerëve.

Deri sot ishin mazohistë, në të ardhmën duket se do ta përqafojmë sadizmin, jo nga vullneti ynë por nga kontributi i të tjerëve.

Po më dhimbet Hashimi që do të deklasohet nga Vuçiqi që edhe nuk do të jetë befasi. Në fund të fundit a nuk e deklasoi Kroacia Argjentinën e që ishte befasi.

E tash një prognozë për fituesin e botërorit. Mbajeni mend, nëse Argjentina, mrekullitë ndodhin, arrinë të kualifikohet më tutje, do të bëhet kampion botëror.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)