01 Janar 2025

Hasanin na e vranë në Selanik, idealin e tij po na e vrasin në Prishtinë!

Ky nuk është artikulli im i fundit për “Hasan Prishtinën”. S’është sepse “Hasan Prishtinën”, meqë u është dhënë mundësia, do të vazhdojnë ta turpërojnë e ta ndytin edhe më shumë ata që janë në krye të tij e ata të tjerët që i kanë prurë aty. Do të ishte i fundit po të ngrehej i ndjeri nga varri e, në vend timin, vetë t’u binte më qafë politikanëve e të gjithë profesorëve të UP-së, të cilët, meqë nuk kanë respekt për veprimtarinë e tij atdhetare, heshtin: pranojnë të përsëriten për çdo ditë paradokset brenda “Hasan Prishtinës” e të bëhet për një pare marrja e dijes dhe e diplomës në këtë universitet

Berat Armagedoni

Hasan Prishtinën, aktivistin shqiptar nga Vushtrria e Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë, i cili luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar, na e kanë vrarë tanët para syve. Na e ka vrarë “miku” i tij Ibrahim Çelo. E për ta nderuar emrin dhe kujtuar shumëkush kohë të gjatë gjithë kontributin e tij, Qeveria e Kosovës Universitetin e Prishtinës na e emërtoi me emrin e të ndershmit Hasan Prishtina.

Edhe pse e emërtoi vetë, po e vret po me dorën e vet e me ndihmën tonë. Po ashtu, po kjo Qeveri, me të gjithë krerët e partive politike e deputetët e Kuvendit të Kosovës, “Hasan Prishtinën” po e hedh në lerë dhe po ia shtrinë përtokë moralin përpara “Fehmi Aganit”, “Haxhi Zekës”, “Kadri Zekës”, “Isa Boletinit”, “Ukshin Hotit”. Sepse në asnjërin sivëlla të “Hasanit” nuk po raportohet për plagjiaturë e për ngacmim seksual. Në asnjërin sivëlla të “Hasanit” nuk po bëhet çfarë po bëhet këtu, në Prishtinë, në Universitetin “Hasan Prishtina”.


Dhe, ku ka më mirë se në krye të institucionit më të madh arsimor dhe shkencor në vend, aty ku jepet dhe merret dija, të jetë emri i Hasanit? S’ka askund. Por, ku ka më keq se aty ku merret dhe jepet dija e ku bëhet hajni intelektuale, në krye të atij institucioni të jetë emri i Hasanit, Hasan Prishtinës? S’mund të ketë askund në botë.


Ku ka më keq se aty ku merret dhe jepet dija profesorët e “Hasan Prishtinës” ngacmojnë e kushtëzojnë bijat e tij për notë kaluese? Kaq moral të dobët s’duhet të ketë në asnjë universitet në botë.

Po ashtu, ku ka më keq se aty ku merret dhe jepet dija, edhe kur bijat e “Hasan Prishtinës” ngacmohen seksualisht, përkëdhelen e përpiqen të puthen nga profesorët, atyre nuk u del në mbrojtje kush: as Rektorati, asnjë dekan i asnjë fakulteti, as organizatat studentore, as policia.

I mbron vetëm familja, nëse jo me “Kanunin” e Dukagjinit, me kërbaçin e xhenetit! Dhe meqë nuk merret kurrfarë mase ndëshkuese ndaj profesorit të këtillë, fajtore, para syve tanë, “Hasan Prishtina” që hesht, e shpall viktimën - femrën, e cila, për ta ruajtur nderin e vet dhe të familjes, pos denoncimit për ngacmim seksual tek burri e dekanati i fakultetit ku studion, denoncon rastin edhe në polici.

Rektori i “Hasan Prishtinës”, edhe dekani i Fakultetit të Edukimit po i UP-së, në këto raste i mbyllin veshët me lesh e me dyllë, kurse sytë i lënë hapur si Shën Pjetri dhe arsyetohen se rastin s’e kanë parë. Kujtojnë, trapat e trangujt, se ngacmimi seksual e puthja duhet të bëhen para dyerve të “Hasan Prishtinës”, syve të tyre e të kamerave sikurse bëjnë personazhet e serialeve turq e spanjollë.

Të nderuar studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, president i Republikës së Kosovës e kryeministër i po kësaj republike, deputetë, ambasadorë, sekretarë e konsuj të ambasadave të huaja në Kosovë, organizata qeveritare dhe joqeveritare, ju që i përkrahni kulturën, arsimin dhe shkencën e Kosovës, ju shoqëri civile që heshtni kur duhet të flisni e që i prini bajrakut e këtij populli të shkretë zullu vetëm për interesa të ngushta personale, ju njerëz shumë fukarenj e të sinqertë, që jeni mashtruar njëqind herë e që do të mashtroheni edhe një mijë herë, e ju të tjerët shumë të pasur, që s’i lini dy gurë bashkë për ta trashur pasurinë e rehatuar gjithë familjen, që në familje ju të gjithë tash që është qershori po i bëni dert studimet për fëmijët tuaj,
“Hasan Prishtinës”, sa herë që rektori, anëtarët e Senatit, anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, shkelin dyert e institucionit kryesor të tij, të Rektoratit, edhe të 14 fakulteteve të tij, i ndodhin paradokse të përsëritshme, të pritura e të papritura.

Ndodhin paradokse në këtë universitetet se, siç nuk është në terezi vetë, s’jeni as ju - që s’falni për dëme të vogla, por falni për dëme e krime të mëdha.

Dëmi i vogël na është bërë para një viti e sa, kurse dëmi i madh po vazhdon të na bëhet akoma. Për shembull, kush prej nesh ka pritur se ish-rektori i “Hasan Prishtinës”, Ibrahim Gashi, do të shkarkohet nga detyra e rektorit vetëm pse botoi artikuj në Indi në revista pa kurrfarë vlere shkencore? S’e ka pritur askush sepse s’e ka pritur as ai vetë. Por, kush prej nesh ka pritur se rektori i sotëm i “Hasan Prishtinës”, i pari i universitetit tonë më të madh publik, i cili, po ashtu si ishi, Ibrahim Gashi, botoi në revista në Indi, Marjan Dema, do të zgjedhej rektor nga anëtarë të Këshillit Drejtues të cilët, pa kurrfarë njerëzillëku, kanë bërë hajni intelektuale e kush tjetër s’pret që të shkarkohet Marjani e të shkarkohen ata që pronën e huaj, me leje të Bajram Begut, e kanë bërë pronë të veten dhe na e zgjodhën rektorin ashtu siç na zgjodhën?! Ku ka kështu në botë?

Mund të ketë në ndonjë shtet si, ta zëmë, në Gjermani por, ministrat atje, a është kështu a jo, e nderuar ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, Anxhelika Viets, edhe pa i detyruar populli me protesta, meqë u kishte mbetur edhe pak moral, dhanë dorëheqje nga ato detyra sapo iu verifikua plagjiatura dhe kurrë më nuk e ndien veten rehat as në shoqëri. Dhe, njëmend, hajni nuk këqyret kurrqysh bre. Hë, më thuaj, qysh e këqyrë ti një hajn? Natyrisht se ruhesh prej tij si prej dreqit!


Është e natyrshme të ndodhë kështu në Gjermani, ta ndëshkojë hajni veten, por s’është e natyrshme të ndodhë kështu në Kosovë, sepse këtu hajnia intelektuale lëre që nuk ndëshkohet nga vetë hajni, por vazhdimisht çmohet dhe ngrehet akëcilën herë më në majë nga shokët e tij. Ja, shihni, aty në krye të “Hasan Prishtinës” i keni plagjiatorët. I keni aty ata që, po të kishin ndërgjegje, nuk do të duhej të ishin në asnjë fakultet, në asnjë kolegj, në asnjë shkollë të mesme, madje as fillore. Por, ja, janë aty dhe ndjehen krenarë që janë.


Po a nuk është e çuditshme dhe paradoksale që hajnave intelektualë vazhdohet t’u bëhet vend në UP? Kush ua mundëson qëndrimin atyre edhe më tutje aty? Ua mundësojnë krerët e mëdhenj të dy partive më të mëdha, PDK-së e LDK-së, të cilët, ato fakultete që i kanë kryer, ato diploma e thirrje akademike që vetë i kanë marrë e i kanë pajisur me asoshe edhe familjarët e tjerë, që u kanë magjistruar e doktoruar edhe gratë që, deri pasi ia kanë vënë drynin lindjes i kishin amvise, ua kanë mundësuar po këta, plagjiatorët e UP-së.

Heshtin edhe partitë opozitare që na shesin moral të rrejshëm për atdhedashuri! Heshtin të gjitha partitë e krerët e tyre sepse janë të lidhur fort ngushtë me njëri-tjetrin me pisllëqe dhe s’ka lumë që ua lanë të bërat e turpshme.

Ndër të tjerë, ua mundësojnë qëndrimin aty edhe kolegët e tyre në UP, profesorët e merituar, të cilët nuk kanë dell të intelektualit sepse, edhe pse dinë shumë për ta e punën e tyre, nuk ngrehin zërin publikisht për ta, përpos që privatisht ta lodhin... me zgjedhje të fjalëve më të këqija për ta sa herë që, qoftë edhe veç për ngacmim, ua përmendet emrin e ndonjërit prej tyre.


Ku tjetër ndodh në botë sikur në Universitetin “Hasan Prishtina”, në të cilin profesorët fillimisht i bëjnë asistentë fëmijët e vet e, pastaj, nëpërmjet punëve të turpshme, i avancojnë me thirrje akademike e ua shtojnë detyrat dhe të hyrat?


Në cilin universitet tjetër të botës ndodh që notimi i studentëve bëhet nëse studentët ua kanë bërë “like” statuseve e fotografive të profesorëve në llogarinë e tyre private në “Facebook”?


Në cilin vend tjetër të botës ndodh që profesorët e bashkëpunëtorët e “Hasan Prishtinës” shkojnë të ligjërojnë në fakultetet e tij me veturat zyrtare të institucioneve që i menaxhojnë e që i keqpërdorin edhe për nevoja jozyrtare, personale, natën e ditën?


Ku ndodh tjetër që projekti i miqve tanë amerikanë për bibliotekën e studentëve të UP-së, mbi 300 000 dollarët e tyre të shpenzuara për arsimim të stafit bibliotekar, të mos përfillen nga rektori, nga Senati, nga Këshilli Drejtues i UP-së?


Ku tjetër ndodh që rektori i UP-së e ministri i MAShT-it, të cilët mburren për cilësi në UP e për kushte më të mira të ofruara për studentë, që mbi një dekadë nuk e bëjnë të disponueshme për studentë Bibliotekën Qendrore, fondin e librit universitar që ndodhet aty, i cili po dëmtohet nga uji, po dëmtohet nga dielli, po dëmtohet nga insektet, nga pluhuri - pa rënë në duar të studentëve ata libra të kushtueshëm për MAShT-in.


Ku tjetër ndodh në botë sikur ç’po ndodh me ministrin e tashëm të MAShT-it, Arsim Bajramin, i cili, edhe pse ka koordinator për bibliotekë, nuk i bëjnë përshtypje milionat që ka derdhur ministria që udhëheq në Bibliotekën Qendrore Universitare?


Ku tjetër ndodh në botë që ministri i MAShT-it nuk interesohet për mbi tre milionë eurot që ka dhënë për librat që i janë përkthyer në shqipe e që mrizojnë në objektin e Bibliotekës Qendrore Universitare pa ua ofruar studentëve për lexim, as studiuesve për studim?


Ku tjetër ndodh në botë kështu sikur në institucionin arsimor, shkencor e teknologjik, MAShT, ministri i së cilës ministri përkrah projekte të austriakëve, jo edhe të shkencëtarëve e të studiuesve shqiptarë, veç pse bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, pjesë e së cilës është edhe varrmihësi serb Tomislav Nikoliç dhe ka respekt aty më shumë se ministri ynë?


Ku tjetër ndodh në botë sikur në institucionin arsimor, shkencor e teknologjik, MAShT, ministri i së cilës ministri përkrah projekte të bartësve të shkollave private, aty ku paraprakisht e punëson evladin?

Ku ndodh tjetër në botë sikur në institucionin arsimor, shkencor e teknologjik të saj, MAShT, ministri i së cilës ministri kërkon nga profesorët e UP-së e nga mediet përkrahje për rektorin e tashëm, ani pse e di se, edhe pse është zgjedhur politikisht, është zgjedhur edhe nga anëtarë të këshillit jokredibilë, edhe nga ai që aty është për mandat të tretë e që s’është dashur të jetë më shumë se dy herë?


Ku ndodh tjetërkund në botë sikur në institucionin arsimor, shkencor e teknologjik, MAShT, që ekspertët e saj të arsimit, të cilët janë thirrur e emëruar nga ministri për korrigjim të teksteve shkollore, të jenë “analfabetë të diplomuar”, të cilët, në përjashtim të dy anëtarëve aty, të gjithë të tjerët nuk e kanë thënë kurrë një fjalë, as shkruar një recension, për tekstet shkollore dhe, në vend se t’i përmirësojnë gabimet në to, do t’i sakatojnë edhe më keq ato. Çfarë di ministri Bajrami për ta e punën e tyre që u zuri, symbyllazi besë?


Pse edhe më tutje “Hasan Prishtinës” duhet t’i shkelet Rregullorja e Studimeve Master?


Pse edhe më tutje “Hasan Prishtinës” duhet t’i shkelet Rregullorja e Studimeve të Doktoratës?


Pse edhe më tutje disa fakultete të “Hasan Prishtinës” një kopje të punimit të masterit e të doktoratës nuk e deponojnë në Bibliotekën Kombëtare?
Pse ende fakultetet e “Hasan Prishtinës” lejojnë të mbrohen punime të masterit nën 60 faqe, kur një prej kritereve në Rregullore të Studimeve të Masterit të UP-së është që punimi t’i ketë mbi 60 faqe?


Pse ende, në shumë fakultete të “Hasan Prishtinës”, as punimet e masterit e as ato të doktoratës nuk punohen tërësisht në bazë të kritereve të rregulloreve për hartimin e tyre: që punimi të jetë origjinal, që të jetë shkencor e jo përshkrues, që të ketë prurje të reja, që të citohen fusnotat, që punimi të jetë i shkruar në standardin e gjuhës shqipe, që të ketë referenca dhe literaturë shkencore, që të ketë hapësirë mes rreshtave 1.5, që të shkruhet me fond të shkronjave “Times New Roman” e me madhësi të tyre 12 e që margjinat, majtas e djathtas, poshtë e lartë, të jenë 2.5 cm?

Pse ende disa profesorëve të “Hasan Prishtinës” u lejohet mospublikimi i biografive në uebfaqet e fakulteteve? Nuk mjafton që ata t’i njohë vetëm Marjani. Veprimtarinë e tyre shkencore, kulturore, arsimore, atë çfarë e kanë, duhet ta njohim edhe ne.


Pse as sot “Hasan Prishtina”, atyre pak profesorëve të vet që shkruajnë artikuj edhe për medie të shkruara dhe elektronike, s’ua poenton ato punime?


Pse edhe pas kryerjes të punimit të masterit e të doktoratës, kandidatët e këtyre studimeve nuk i publikojnë këto punime? Nëse punimet e tyre kanë pasur mentor dhe janë mbrojtur para anëtarëve të komisioneve e janë notuar me notë kaluese, ato punime, ashtu siç janë, duhet të publikohen. Nëse jo tjetërkund, patjetër në formatin pdf në uebfaqen e “Hasan Prishtinës”.


Pse edhe më tutje “Hasan Prishtina”, për secilin fakultet të vetin, nuk siguron revistë me ISSN?


Pse të magjistruarit e “Hasan Prishtinës” duhet të shkojnë për doktoratë në Shkup e Shkodër, në Tiranë e Durrës?


Pse “Hasan Prishtina” meqë, sipas Marjanit e Bajramit, paska cilësi dhe kuadro, nuk organizon në shumë fakultete studime të doktoratës?

Pse bashkëpunëtorë, asistentë e profesorë të “Hasan Prishtinës” vazhdojnë të zgjedhen, merren e bëhen ata që, nëse është femër, së pari duhet të jetë e bukur, kurse nëse është mashkull duhet të ketë shkruar ndonjë libër për atë profesor që e angazhon bashkëpunëtor, e merr asistent ose e bën profesor vetëm pse ia ka rekomanduar dikush nga krerët e mëdhenj të partive të mëdha, në disa raste, pas sugjerimeve miqësore, edhe disa prej atyre partive më të vogla.


Pse profesorëve të pensionuar, që kanë punuar një jetë të tërë në UP, as kryeministrit Isa Mustafa që dje iu shkëput kontrata me UP-në, që kanë dhënë kontribut për ngritjen e kuadrove shkencore dhe që janë ekspertë të njohur të fushave përkatëse, nuk u lejohet të jenë mentorë të kandidatëve për doktoratë dhe, madje, as master? Kështu, Marjan, nuk ndodh askund në botë.

Nuk ndodh as në Universitetin e Tiranës, as në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Aty ka profesorë që janë mbi moshën 70-vjeçare e që ende u bëhen mentorë kandidatëve të studimeve të masterit e të doktoratës.


Pse, ju pyeta edhe dje rektor, nuk respektohet Ligji mbi Arsimin e Lartë i Republikës së Kosovës dhe as Statuti i UP-së që parashohin dhënien e titullit “Professor Emeritus” për profesorët e pensionuar që kanë, sipas Ligjit dhe Statutit në fjalë, “arritje të veçanta akademike dhe shkencore”?
Pse edhe më tutje shumë profesorëve, dosjet e të cilëve qëndrojnë në Rektorat për “Professor Emeritus”, nuk u kthehet përgjigje nga rektori?

Përse “Hasan Prishtina” duhet të vazhdojë dikujt t’i bëhet nënë e dikujt tjetër njerkë: disa profesorë i angazhon në procesin mësimor edhe pas pensionimit (deri në moshën 70 vjeç; disa, madje, edhe përtej këtij kufiri)?


Përse këto pyetje, për e rreth “Hasan Prishtinës”, e këtë shqetësim për studimet në të, s’i bëjnë partitë politike e as s’i shprehin këto që po i shprehim tash as PDK-ja, as LDK-ja, as VV-ja, as AAK-ja, as Nisma?

Përse këto parti interesohen për asociacionin e demarkacionin e nuk interesohet asnjëra prej tyre edhe për “Hasan Prishtinën”, për të zgjedhurit e të deleguarit në Rektorat dhe për studimet që bëhen në të?

Pse edhe më tutje për “Hasan Prishtinën” s’mendon kush ekonomikisht?

Pse s’mendon kush që fakultetet e këtij Universiteti, siç i kishte dikur, t’i hapin ato bufe dhe nga lokalet e tyre të dhëna me qira të sigurojnë të hyra?

Pse studentët e UP-së kafetë e mëngjesit, të drekës e të darkës, as mëngjesin e drekën nuk mund t’i pinë e hanë në bufetë e fakulteteve, por duhet të dalin të pinë e të hanë në lokale të ndryshme të Prishtinës, në të cilët shërbehet, përpos pije dhe ushqime, edhe të tjera gjëra jo të shëndetshme për studentët? Pse s’ka interes UP-ja, sikurse gjithë universitetet e kolegjet e botës, t’i hapë këto bufe e të forcohet me to ekonomikisht?

Për “Hasan Prishtinën” pyetje shqetësuese mund të bëjmë shumë dhe gjithë ditën, por kush janë ata që do ta bëjnë dert me mua që po shkruaj e me ty që po e lexon këtë artikull, gjendjen e tij? Kryeministri? Presidenti? Ndonjë ministër? Ndonjë profesor? Ndonjë ambasador? Ndonjë koleg gazetar? Dikush, sigurisht, po.

(P.s.): Poshtëshënim

Allahile, rektor i UP-së e ministër i MAShT-it, për çfarë cilësie në arsimin e UP-së po flisni me njëri-tjetrin para se të pajtoheni që të deklaroheni për medie? Si keni fytyrë, more burra të dheut, të kërkoni bashkëpunim medial kur, kurrqysh, hiç kurrqysh, nuk i keni punët në arsim, në universitet? Mediet nuk jua mbulojnë mospunën, o jarana të pites! Mediet, sikurse tash, mund të shkruajnë për gjithë këto paradokse e maskarallëqe tuaja dhe të kësaj shoqërie universitare dhe jashtuniversitare.

Dhe nëse pushimet verore i nisni me detyrat e tashme që keni, në vend të ndonjë libër xhepi ose romani biografik, merreni me vete këtë artikull dhe, krejt këto pyetje, bëjini me përgjigje dhe të gjitha këto të meta në UP, mos i përmirësoni për nder timin, as që po ju shkruaj publikisht. Përmirësojini sepse duhet. Duhet, qe besa, hatri i Hasan Prishtinës. Ta keni të qartë se me deklarata, buzëqeshje e përshëndetje as nuk na pastroni, as nuk na korruptoni trurin.

Absolutisht nuk na bëni t’ju përkrahim kur duhet t’ju denoncojmë e të tjerët, bashkë me mua, edhe t’ju ndëshkojmë. T’ju ndëshkojmë si tash, me pendë, publikisht. Jo tjetërqysh.

Duke dashur ta mbyll këtu këtë herë e hapur temën për “Hasan Prishtinën” e për ju të dyve shumë shpejt, nëse i keni lexuar artikujt e mëparshëm, shkruamëni këtu [email protected] për përshtypjet tuaja rreth tyre ose, nëse s’ju vjen turp, përgjigjuni publikisht, se mund t’ju qeras me kafe, edhe me kafjall.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)