23 Dhjetor 2024

“Harlem Shake” politika e Kosovës

Lulëzim Krasniqi

Në vendet demokratike politikanët zgjidhen nga populli për t’u shërbyer qytetarëve, me qëllim që t’ua zgjidhin problemet, t’ua bëjnë jetën më të lehtë dhe më të mirë.

Në vendin tonë, që nga pas lufta, populli i ka zgjedhur përfaqësuesit e vet që t’u shërbejnë atyre por, fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk po ndodh. Të gjitha qeveritë dhe kuvendet e deritanishme si qendrore ashtu edhe lokale pothuajse fare pak kanë punuar në interes të qytetarëve të Kosovës.

Edhe atëherë kur kanë punuar janë vonuar. Në shumë raste, ju politikanë, me veprimet tuaja në institucionet e Kosovës keni vështirësuar jetën e qytetarëve tuaj.

Ju politikanë keni bërë që: sistemi i drejtësisë të gjendet në gjendje shumë të rëndë; sistemi shëndetësor është dështim total, është bërë sëmundje për qytetarët; sistemi arsimor është shndërruar në katrahurë dhe administratën shtetërore e keni stërngarkuar me punëtorë sipas ngjyrimeve politike dhe nepotizmit.

Politikanë, ju nuk keni pasur program për zhvillim ekonomik të vendit. Politikanë, ju keni përkrahur sistemin bankar të tillë, i cili po gërryen shpirtin e qytetarëve të Kosovës. Politikanë, ju keni ngritur çmimet e të gjithë artikujve dhe keni rënduar jetën e qytetarëve.

Politikanë, ju keni ndikuar që papunësia dhe varfëria në Kosovë të janë në nivelin më të lartë në Evropë, që ta kontrolloni më lehtë popullin e saj. Ndërsa pasuria e juaj është rritur çdo ditë. Ju keni sjellë mjerim social në Kosovë.
Shtrohet pyetja pse ju kemi zgjedhur?

Nuk ju kemi zgjedhur për ta vështirësuar jetën tonë, por për t’i zgjidhur problemet tona.
Ju politikanë keni prodhuar me shumë pakënaqësi.

Nga kjo del se, Ju keni bërë politikë kundër popullit tuaj. Këtë politikë nuk mund ta quaj ndryshe, përveçse të shthurur, të shfrenuar dhe antipopullore, thjesht “Harlem Shake” politikë.
Qytetarët e Kosovës janë shndërruar në skllevër modernë si pasojë e “Harlem Shake” të politikës suaj. Qytetarët e Kosovës i shërbejnë shtetit të Kosovës dhe juve politikanëve. Ju jeni ata që nuk u shërbeni as qytetarëve e as shtetit të Kosovës. Ju jeni ata që i shërbeni vetvetes, grupeve të interesit dhe dobësirave të Kosovës.

Ju jeni ata që keni harruar se ka pasur luftë në Kosovë. Ju jeni ata që keni harruar gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ju jeni ata që keni harruar familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e Kosovës. Ju jeni ata që ia keni zënë frymën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ju jeni ata që keni kufizuar lirinë e lëvizjes qytetarëve edhe brenda territorit të Kosovës. Ju jeni ata që keni burgosur qytetarët e Kosovës dhe Kosovën. Ju jeni ata që keni vjedh lirinë e qytetarëve të Kosovës.

 Ju jeni ata që keni vënë në rrezik të kaluarën e lavdishme historike. Ju jeni ata që po shkatërroni të tashmen dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Politikanë, ju jeni ata që ia keni humbur dinjitetin Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ju jeni ata që keni bërë shtetasit e Kosovës në qytetet e zhvilluara perëndimore të trajtohen qytetarë të rendit të tretë. Ju jeni ata që më keni bërë të ndjehem i turpëruar dhe fajtor, në gjendjen që keni sjellë Kosovën. Ju jeni ata që keni instaluar një sistem politik i cili po rrezikon qytetarët e moralshëm dhe të ndershëm të Kosovës. Ju jeni ata që keni bërë individin më të fuqishëm se shteti. Para se ta përmbylli këtë shkrim, po citoj disa vargje nga poezia “Anës së Lumenjve” nga Fan Stilian Noli:
Ku e lam\' e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjerë mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç\'e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç\'e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç\'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç\'e pren\' e se ç\'e vranë,
Ç\'e shkretuan anembanë,
Populli jua dha besimin. Ju politikanë po e keqpërdorni atë, po vazhdoni ta mashtroni atë. Politikanë, mos ia gërryeni shpirtin popullit të Kosovës. Politikanë, ju jeni bërë barrë e rëndë për popullin e Kosovës. Politikanë, jua kujtoj se Kosova nuk është vetëm e popullit të Kosovës.

(Autori është kandidat për Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare me Diplomaci)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)