Hapini letrat
Letër e hapur Valdete Dakës
Shkruar nga Lëvizja për Bashkim
Këto ditë jo rrallë na bie të dëgjojmë lajme që lidhen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Lajme që në qendër kanë dyshimin, natyrisht. Lajme rozë, do ti quaja unë. Rozë, sepse martesa të lumtura ndodhin në këtë institucion.
Martesa këto ndërmjet anëtarëve të pozitës e opozitës, ku të parët mjaftohen me heshtjen e të dytëve, ndërsa të dytët me pak para.
Natyrisht, kundërligjshëm dhe në dëm të buxhetit të shtetit. Vlen të theksohet se ofiqari i kësaj martese, pra, zyrtari ligjor, në momentin e votimit e ka tërhequr vërejtjen se ky veprim është ligjërisht i padrejtë. Votimi është bërë dhe znj. Daka, si udhëheqëse e këtij institucioni, e ka miratuar atë në dëm të buxhetit të shtetit.
Zonja Kryetare e KQZ-së në një intervistë këto ditë bën thirrje për respektim ligji!
Si mund tia tërheqësh vërejtjen dikujt për respektim ligji, kur vetë e shkel atë!!?
Pikërisht këtë po e bën KQZ-ja përmes kreut të saj, znj. Valdete Daka. Ajo po u bën thirrje liderëve të partive politike ta respektojnë ligjin mbi zgjedhjet dhe rregullat zgjedhore, por edhe kodin e mirësjelljes. Madje tha se nëse do të ketë thyerje të rregullave zgjedhore dhe shkelje të ligjit, normalisht se do të ketë edhe ndëshkime.
Marr shkas nga kjo, për t'iu drejtuar publikisht kryetares së KQZ-së, me këtë letër të hapur:
Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Znj. Valdete Daka:
Zonja Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,
Prej kohës së certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet e kaluara, subjekti politik Lëvizja për Bashkim nuk e gëzon të drejtën për financim nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike, Fond ky për financimin e subjekteve politike përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këtë të drejtë na e ka mohuar institucioni që ju e udhëhiqni. Për ju dhe për opinionin po e citoj Nenin 9, nga Ligji për Financimin e Subjekteve Politike:
Ndarja e mjeteve financiare publike
1. Për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjektit politik, mjetet nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike ndahen në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve për atë mandat.
Lëvizja për Bashkim është subjekt politik dhe është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës me dy deputetë dhe Kuvendi i njeh dhe i trajton si të tillë. Duke iu mohuar kjo e drejtë nga KQZ-ja, subjektit politik Lëvizja për Bashkim po i ndalohet edhe financimi i aktiviteteve të rregullta në zhvillim të subjektit dhe demokratizimit të tij, për çka edhe ndahen këto mjete.
Mohimi i së drejtës për subjektin politik Lëvizja për Bashkim ishte rasti i parë i shkeljes së ligjit. Dhe rasti i dytë ka të bëjë me atë se çfarë ju si institucion trajtoni si subjekt politik në kundërshtim me ligjin. Cili është qëllimi i ekzistencës së Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike?
Neni 1 i këtij Ligji thotë:
Qëllimi
Ky Ligj rregullon mënyrën, kushtet e financimit, administrimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për shpenzimin e pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike në Republikën e Kosovës
Pra, ligji po përcaktuaka kushte në të drejtë financimi. Nuk di në ka kusht më esencial për të fituar të drejtën e financimit nga ky Ligj sesa të ekzistuarit si Subjekt Politik! Znj. Daka, për ju dhe përsëri për opinionin po e citoj Nenin 19 dhe 40 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Neni 19
Nisma qytetare
19.1 KQZja e trajton nismën qytetare si subjekt politik nga dita e certifikimit të saj deri sa nisma qytetare të dorëzojë raportin përfundimtar të Publikimit Financiar të Fushatës.
19.2 Secili kandidat i certifikuar i listës së nismës qytetare është personalisht përgjegjës për ndarje të barabartë të gjobave të ngarkuara mbi nismën qytetare nga KQZ-ja apo KZAP-i.
Neni 40
Kërkesat për Deklarim Financiar
Raporti i Publikimit Financiar për Fushatën dorëzohet jo më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë kalendarike pas ditës së zgjedhjeve.
Pra, ligjërisht, nisma qytetare nga ju, nga KQZ-ja, do të duhej të trajtohej si subjekt politik vetëm 45 (dyzetepesë) ditë nga dita e zgjedhjeve! Madje, neni pasues i obligon si personalisht përgjegjës kandidatët e certifikuar mbi gjobat e ngarkuara; natyrisht, sepse neni më sipër tregon qartazi mbi shuarjen e nismës si subjekt politik.
Kjo është shkelja e dytë, znj. Daka! Shkelje në dëm të subjektit politik Lëvizja për Bashkim dhe më keq se kaq, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në dëm të subjektit politik Lëvizja për Bashkim, sepse paratë e këtij subjekti padrejtësisht dhe jo ligjërisht po i adresoni tek një nismë qytetare që jashtëligjshëm ju e trajtoni si subjekt politik, dhe në dëm të buxhetit, sepse nisma qytetare në fjalë, që ju jashtëligjshëm e trajtoni si subjekt politik, përfiton 2.800.000 euro për një legjislaturë.
Shkelje bëni edhe kur me vendim për ndarje të mjeteve materiale këtë Nismë e trajtoni si parti politike, e në regjistrin e partive politike nuk figuron kjo Nismë Qytetare që quhet Lëvizja Vetëvendosje!.
Shkelje bëni edhe kur këtë Nismë Qytetare ju e financoni padrejtësisht për 14 deputetë, e në fakt edhe ata vetë e pranojnë se janë vetëm 12! Ndërsa subjekti politik Lëvizja për Bashkim që nga viti 2007 është regjistruar në institucionin tuaj, dhe megjithëse është i përfaqësuar në Kuvend, ju padrejtësisht ia mohoni të drejtën për financim nga Fondi.
Pra, si të besojnë qytetarët në këtë institucion? Cili është legjitimiteti juaj para Kuvendit? Çfarë zgjedhjesh dalin të organizuara nga ky institucion i pavarur, i cili nuk e respekton Ligjin? Cila është besueshmëria e atyre zgjedhjeve të organizuara nga ju?
Mund të duken disa pyetje, znj. Daka, mirëpo realisht është vetëm një! Duke e ditur se politikisht jeni neutrale dhe në këtë institucion keni ardhur nga gjyqësori, a mund të gjykoni drejt: është shkelur apo nuk është shkelur Ligji në këtë rast?!
/Dren Shahini, Zëdhënës i subjektit politik Lëvizja për Bashkim/