23 Dhjetor 2024

Grupi i deputetëve të rinj dhe komisionet parlamentare

Shkruar nga Shkumbin Hyseni

Ndoshta, shkaku i vetë periudhave historike nëpër të cilat po kalojmë, por konsideroj se janë shumë të paktë ata qytetarë të vendit që janë imun ndaj përcjelljes së rrjedhave politike në vendin tonë. E kjo ka ndikuar që shumë shpesh të informohemi edhe për disa ndodhi e zhvillime e të cilat nuk kemi menduar as se në ndonjë vend shumë demokratik mund të ndodhin.

E për më shumë, në mediet tona, sikur në top-lajme, na është bërë Parlamenti i vendit tonë dhe zhvillimet e atyshme. Por, në asnjë mënyrë nuk nënkuptohet se disa përçudnime që po e karakterizojnë atë kështjellë ligjvënëse janë pasqyrimi real dhe i tërësishëm i angazhimit parlamentarë kosovar.

Ndërsa, ajo që kanë rënë në sy shumë kohët e fundit, qoftë në medie të shkruara e sidomos në ato elektronike, është Grupi i Deputetëve të rinj, që realisht është një organizëm jo formal, por që në esencë është shumë më aktiv se edhe vet disa nga grupet-komisionet formale e të cilat sikur po i kaplon një përgjumje e thellë.

Është për tu lavdëruar puna dhe angazhimi i këtij grupi, i cili edhe përkundër faktit se përbëhet nga anëtarë të rinj të partive të ndryshme parlamentare, është shembull për shumë komisione parlamentare se si duhet punuar në grup pa dallime në interes të përgjithshëm. E dikush mund edhe të thotë se të merresh me punët e rinisë nuk është ndonjë interes politik-partiak, e mu për këtë fakt edhe nuk vërehen dallimet politike.

Konsideroj se ky do të ishte konstatim i gabuar dhe i pa menduar fare. Interes e shkuar interesit, madje edhe për politikat “kosovarqe” ditore, është rinia dhe trajtimi i problemeve rinore.

Por, ndoshta në organizimin dhe funksionalizimin e këtij grupi, merita ka edhe vet udhëheqësja e këtij grupi, deputetja Ganimete Musliu si dhe të gjitha anëtarët e këtij grupi. Meritat e të parit, çdoherë janë për tu vlerësuar si për punën apo edhe për dështimet e çdo organizimi.

Sepse edhe në ato komisione parlamentare (të cilat për dallim nga grupet jo-formale), të cilat marrin goxha pagesa për punën  e tyre, që janë karakterizuar nga mos puna, neglizhenca, mosbashkëpunimi, etj., vlerat dhe meritat për ketë më së shumti bien mbi prijësit e tyre dhe mos menaxhimi i mirë i tyre me grupin.

Dhe, pikërisht për punën dhe angazhimin e këtij grupi, ky Grup në mes të muajit paraprak, mori edhe një mirënjohje për punën e vet. Ishte organizata prestigjioze gjermane GTZ, e cila nderoj më çmim special për punë vullnetare në mbështetje të rinisë, znj.Ganimete Musliu si udhëheqëse e këtij grupi.

Kjo padyshim se është mirënjohje për punën e grupit në të mirë të rinisë së vendit. Por, edhe shumë takime, shumë çështje të ngritura në seancat parlamentare, shumë angazhime, janë pikërisht arsyet që mund ta bëjnë ketë grup, si shembull i punës kolegjiale e parlamentare në vendin tonë.

Është për të ardhur keq, se si disa komisione, janë bërë arenë e debateve të pa vlera, për inate personale e teke të ndokujt, dhe punën e tyre e kanë lënë krejt pas dore. Nuk mund të ndihemi mirë kur në mediet tona shohim përfaqësues tonë, që merren më çështje krejt personale e harrojnë se aty kanë shkuar për të kontribuar për të mirën e përgjithshme.

Zaten për ketë ata edhe paguhen. Dhe, si nuk ndihen aspak keq, kur asnjëherë nuk kanë prodhuar asnjë lajm, që vlerëson punën e tyre, por thjesht prodhojnë vetëm skandale.

Si nuk ndalen e të mendojnë se një grup jo-formal, po bënë gjithë atë punë, gjithë atë angazhim, pa kompensimet që u takojnë komisioneve të rregullta, e ndërsa ata kanë ngelur në diskutimin rreth vetës dhe për veten. Madje as takimet e rregullta nuk arrijnë ti organizojnë, ndërsa ky grup arrijnë që të organizoj shumë takime brenda apo jashtë objektit të parlamentit.

Padyshim, se të qenit në krye të atyre 2-3 komisioneve që janë futur në gjumë, të kryeneçëve bënë që aty të mos funksionoj asnjë gjë. E thash 2-3 komisione, sepse kemi disa komisione formale që po e bëjnë punën e tyre më shumë profesionalizëm dhe më shumë përkushtim dhe për ketë meritojnë respekt.

Por, jo rastësisht bëra një krahasim të komisioneve që nuk po tregojnë asgjë, dhe Grupit të Deputetëve të Rinj, sepse mendoj se duhet theksuar se ka të atillë që marrin para të majme të buxhetit për hiq punën e tyre, e gjithashtu ka edhe të atillë që punojnë edhe për punën për të cilën nuk përfitojnë ndonjë pagë shtesë.

Ketë pra, po e potencoj për të treguar se disa prijës të komisioneve, që kanë bllokuar punën e grupit që udhëheqin, janë aq të pandershëm dhe të pandërgjegjshëm edhe përkundër pagave që marrin, dhe në medie shumë shpesh rrahin gjoks se janë pronar të patriotizmit shqiptar.

Fare në fund dua të theksoj se, jemi një vend më shumë probleme të trashëguara dhe duhet shumë punë për të arritur atje ku edhe synojmë. Por, duhet që gjithsecili të kontribuoj maksimalisht aty ku edhe është dhe mundet. Të rinjtë vërtetë kanë shumë nevoja dhe kanë shumë sfida. Grupi i Deputetëve të Rinj, meritojnë respekt nga ne të rinjtë për punën që po bëjnë dhe çështjet që po ngrisin në vazhdimësi.

Kam të drejt nëse them se jeni shembull i mirë i punës edhe për institucionin ku veproni por edhe për vet shoqërinë, megjithatë nuk është mjaftë. Kurrë s’do jetë mjaftë. Duhet edhe shumë punë dhe shumë angazhime. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)