23 Dhjetor 2024

Greva e "vdekjes" përballë antihumanizmit institucional

Shkruar nga Besnik Rama

Ka mbi 20 ditë që ish të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri janë futur në grevë urie. Situata e grevistëve sa vjen e rëndohet. Dy është numri i atyre që i vunë flakën vetes, duke zgjedhur vetëflijimin përpara ngurtësisë së shtetit, ndërsa një i tretë tentoi, por ndërhyrja e shpejtë e forcave të policisë neutralizoi gjëmën e radhës.

Shtresa më e dhunuar sistematikisht në Shqipëri është pikërisht shtresa e të përndjekurve. Sikur të mos mjaftonin vuajtjet përgjatë 50 viteve komunizëm, ato vazhdojnë të vuajnë edhe pas ardhjes së demokracisë.

Situata e tyre nuk kanë njohur asnjë zgjidhje, edhe kur ka pasur ndonjë rregullim të situatës së tyre ka qenë me pikatore dhe në mënyrë individuale. Dëmshpërblimi i viteve të burgimit të tyre nuk është shlyer nga shteti shqiptar.

Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, në korrik të vitit 2005, kjo shtresë, si dhe ish-pronarët, u gëzuan së tepërmi, pasi menduan se tashmë dinjiteti dhe nëpërkëmbja ndaj tyre do të marrin fund, dhe gjithçka do të vihej në vendin e vet, duke zbythur atë që u kish ndodhur gjatë viteve të një regjimi gjakatar - një ndër regjimet më të ashpra të kohës dhe të pamëshirshme, ku numri i të vdekurve, të burgosurve dhe të internuarve ishte jashtëzakonisht shumë i lartë.

Së pari, si ish-pronarët ashtu edhe ish të përndjekurit meritojnë dëmshpërblimin për dëmin që u është shkaktuar gjatë kohës së komunizmit.

Së dyti, vendosja e vlerës së dëmshpërblimit duhet të bëhet në përputhje me kohën dhe jo me ato vite kur janë dëmtuar.

Së treti, duhet të dëmshpërblehen të gjithë nga qeveria, që kanë qenë realisht të prekur, e jo në mënyrë të njëanshme, duke trajtuar njërin si të nënës, e tjetrin si të njerkës apo edhe duke pasur abuzime. Dimë raste të ndryshme që janë shpërblyer nga qeveria individë që i kanë shërbyer komunizmit, ndërkaq ato që realisht kanë hequr zitë e ullirit në kampet e burgjet e regjimit hoxhian vazhdojnë të vuajnë mjerimin dhe shtypjen e tyre ndaj një mllefi qeveritar.

Së katërti, qeveria duhet të kërkojë të falur për reagimin aspak dinjitoz ndaj kësaj situate. Ajo, në vend që të zgjidhë çështjen, reklamon përballë kamerave se kjo grevë është e stisur nga opozita. Ta zëmë, duke bërë përnjëherë të vetme budallain, se është e vërtetë, pra që opozita i ka futur në grevë këto njerëz. Po qeveria duhet t'i lërë që të vdesin, paçka se ç'arsye kanë grevistët, që janë futur në grevë? A nuk janë qytetarë të Shqipërisë edhe këto? Pse duhet të vuajnë më shumë se të tjerët, ndërkohë që kanë qenë edhe më të vuajturit e sistemit të kaluar, atij komunist?

Atëherë, nëse qeveria reagon në këtë mënyrë, populli nuk duhet të bie në nivelin e budallait dhe injorantit, duke ngrënë kodra mbas bregut sipas atyre çka thotë qeveria. Populli duhet të kuptojë se një rrugë e re duhet të nisin, rruga e ndryshimit të "stinëve". Sot po vuajnë ish të përndjekurit, nesër ish-pronarët, pasnesërit të papunët, e kështu me radhë. Atëherë çfarë bën një qeveri, kur populli i saj ka kaq e kaq probleme të pazgjidhura?

(Autori është kryeredaktor dhe botues i Nacionalalbania.al)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)