Grand hotel Prishtina
Shruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli
(Letra e hapur të gjithë arkitektëve kosovar dhe njerëzve të vullnetit të mirë,që mendojnë dhe veprojnë pozitivisht)
Janë disa çështje nëpër të cilat profesionistët nuk mundet ti anashkalojnë pa marrë parasysh pasojat personale që do të pasojnë në stilin e hakmarrjes primitive që është duke e aplikuar kjo shoqëri në dhjetë vitet e fundi në Kosovë,të cilat autori i shkrimit i ka përjetuar që disa vite. Me këto dukurit negative evidente të cilat i vëren çdo banor i kryeqytetit por edhe ma gjerë,kryesore është se nuk e tangon asnjërin personalisht,fenomeni NIMBY(not in my back yard - nuk është në oborrin tim),është prezent tek ne,e ky oportunizëm në tërësi e degradon dhe e varfëron me të madhe kualitetin e jetës urbane në Prishtinë dhe Kosovë.
Këto ditë e shpaluan fasadën e re të hotelit Grand Prishtina i cili gjendet mu në qendrën e ngushtë të kryeqytetit. Ai është duke u rinovuar nga pronari i ri i cili e ka ble objektin në procesin e privatizimit,në pamjen e jashtme të tij ka ndryshime të çuditshme ku fasada e punuar me elemente të mermerit në vitet shtatëdhjeta, është ndërruar me disa profile alumini me ngjyra të çuditshme që ndërrojnë varësisht nga reflektimet e dritës,të cilat do ta ndërrojnë tërë pamjen e objekti i cili për katër-dhjetë vitet e ekzistimit kishte krijuar identitetin e vetë arkitektonik dhe urban të cilin çdo shoqëri me zili do ta ruante.
Të mos harrojmë se ai ishte vendi i ndodhive historike të viteve tetëdhjeta e ma vonë deri në ditët e sodit. Në vend që ta mbrojmë me argumente profesionale identitetin e tij gati katër-dhjetë vjeçar në bëjmë ndryshime strukturore në pamjen e jashtme të tij (fasadën),thua se identiteti arkitektonik i krijuar me vite të mundimshme fare nuk ka rëndësi për ne,me aq lehtësi e harrojmë atë sa që befason edhe armiqtë tanë të cilët i gëzohen veprimeve të pa kontrolluara tona.
Nuk është ky rasti i vetëm në Prishtinë,kështu është vepruar edhe me disa objekte tjera monumentale si janë fasada e qelqit në objektin e Kuvendit të Kosovës e cila të jep përshtypjen e njëarnetë shëmtuar,degraduese nga aspekti arkitektonik,kjo nuk duhej të ndodhte së paku në shenjë respekti ndaj autori të projektit,arkitektit jevrej dhe profesorit me nam ndërkombëtar Juraj Neihard. Kësaj dukurie të shëmtuar arkitektonike nuk kanë mundur ti ikin edhe shumë objekte në qendrat tjera komunale në Kosovë si është qendra e qytetit të Gjakovës me veprime të pa pranueshme urbane.
Për rrënimin e monumenteve arkitektonike si hotelet e vjetra në Gjakovë dhe Prishtinë(Unioni),objektet sakrale (xhamit) e shumë shtëpia banimi karakteristike,monumente kulturore,të cilat ishin nën mbrojtjen e shtetit për vlerat e tyre të pa mohueshme arkitektonike,aq me lehtësi janë zhdukur nga faqja e dheut sa që shtrohet pyetja laike së mos jemi popull i marrë që me dorën tonë zhdukim identitetin tonë arkitektonik,urban dhe historik,pa u hamendur pak se si me pa dije po e varrosim identiteti tonë të ekzistencës në këto territore me shekuj,është kjo një dukuri që gjithnjë historikisht na është hakmarrë duke e ditur se kënd e kemi në fqinjësi.
Askush nuk mundet të jetë kundër rindërtimeve,renovimeve,rekonstruimeve arkitektonike dhe urbane,zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë,është ky proces i pa ndalshëm nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë. Për këtë ka disa rregulla dhe kritere që domosdo duhet respektuar çka nuk vlen në Prishtinë dhe Kosovë,e kjo në mënyrë të pa dukshme do të na hakmerret nëse nuk ndalen këto veprime të çuruditshme pa i respektuar as rregullat elementare të qytetërimit (ligjet) në shekullin 21.
Nuk janë në pyetje shijet arkitektonike,për ato nuk preferohet të kemi konfrontime pasi për shije nuk duhet diskutuar,është në pyetje humbja e identitetit urban i gërshetuar me elemente të trashëgimisë historike që shumë lehtë po e shkatërrojmë me veprimet tona pa menduar në pasojat të rënda në kryeqytet dhe në tërë Kosovën.
A thua projekti i renovimit,restaurimit apo regjenerimit të objektit nuk i kishte të qarta kriteret të cilave do të duhej përmbajtur pronarët e ri gjatë ati procesi ? Duhet njohur procedurat dhe nivelin e intervenimeve në këto raste,si u punua projekti i renovimit,kush e aprovoi dhe lejoi projektin,a është dhanë leja e renovimit,nga cili organ kompetent është dhënë ajo,cili organ shtetëror neutral e mbikëqyr ekzekutimin e punimeve. Si është e mundur të lejohen këto veprime mu në qendrën e kryeqytetit në një objekt reprezentativ si ishte Grand hotel Prishtina. Ka edhe shumë pyetje të tjera të cilat kërkojnë përgjigje e të cilat janë neglizhuar nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
Përse është i rëndësishëm identiteti urban shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën ma theks të veçanet në kryeqytet. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira. Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën e jonë e cila ma së miri identifikohet me objektet të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan,për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet,e ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur përpara,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe në dhjetë vjetshin e parë të shekullit 21,kjo është e pa falshme.
Shtrohet pyetja logjike ku është identiteti urban i një vendbanimi të vjetër,qytetit të Prishtinës. Ruajtja e identitetit burimor,avancimi i tij si dhe harmonizimi me karakterin e përbashkët gjithnjë ka qenë imperativ i çdo shoqërie,e te ne po veprojmë në mënyrë vandale me ndryshimet e tyre sistematik pa dhanë askush përgjegjësi. Më duhet të citoi një mendimtar se kjo mënyrë e veprimeve në të njëjtën kohë shkatërron edhe trashëgimin e qytetit,e cila rrënjësisht ndikon në identitetin e qytetit pasi gjeneratat e reja as që e dinë se nga i kanë rrënjët nga kanë ardhur,dhe pasojat me të cilat do të përballen në dy treqind vitet e ardhshme.
Kjo çështje nuk i përket vetëm një objekti të degraduar me renovimin e tij,është e ndërlidhur me filozofinë jetësore të mjedisit ku jetojmë e veprojmë. Ne qendrën e ngushtë të kryeqyteti trashëgimia historike dhe kulturore fare nuk vlerësohen dhe trajtohen dhe nuk e kanë vendin që duhet të iu takoi në pediestalin e kulturës së një populli të cilit harresa historike iu ka hakmarrë në të kaluarën e si jemi duke vepruar do të na hakmerret edhe në të ardhmen.
Kaptin e veçantë janë ndërtimet me leje e pa leje të cilat po lejohen nga ana e pushtetit në vitet e pas luftës së vitit 1999. Për këtë duhet një hulumtim i veçantë për kryeqytetin dhe qytetet kryesore në Kosovë,se si ne vetë jemi në gjendje ta shkatërrojmë ardhmërinë e jetës urbane për gjeneratat e reja qe do të jenë të detyruara të jetojnë në këto hapësira.
Është koha e fundit që kokat e kthjellëta intelektuale të shqiptarëve të Kosovës,të reagojnë në këto veprime për të mirën e të gjithë neve dhe gjeneratave të ardhme,e jo të jenë indiferent si deri me tani duke i lejuar këto veprime denigruese për të gjithë ne.
Autori është anëtar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale.