26 Dhjetor 2024

Gjysmëfytyra e PDK-së

Shkruar nga Lulëzim Krasniqi

Isa Mustafa është treguar bashkëpunues sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të sivjetme. Ai deklaroi se nuk është i interesuar ta rrëzojë Qeverinë e tanishme para se të mbahen zgjedhjet.

Dhe plotësisht u pajtua me kryetarin e PDK-së, aktualisht kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Këtë e konfirmoi edhe vetë kryeministri, që domethënë se janë të të njëjtit mendim me Isa Mustafën.

Kjo e bën LDK-në të jetë gjysmëfytyra e PDK-së. Pse Isa po bën pazare të tilla kur në publik propagandon se ai do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës?

Janë tri probleme që e mundojnë Isën:

1. Ai nuk dëshiron ta rrëzojë Qeverinë derisa janë duke vazhduar bisedimet Kosovë - Serbi, me këtë rast sado kudo i ik përgjegjësisë, njëherësh nuk është i interesuar t’i prishë marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilët nuk janë të interesuar tani për tani ta rrëzojnë qeverinë aktuale pikërisht për shkak të bisedimeve, të cilat mendohet se do të marrin një lloj përfundimi në prill të këtij viti me një traktat paqeje.

2. Ai bën pazare me PDK-në sepse është i sigurt se nuk do të ketë fuqi politike me ndonjë parti më të vogël ta formojë qeverinë e ardhshme dhe;

3. Ai me humbjen e Prishtinës, ka humbur pushtetin, prandaj ai mendon se pazaret me PDK-në nuk do ta lënë pa pushtet.

Ndërsa PDK është e interesuar që edhe më tej të qëndrojë në pushtet duke e ditur se tashmë forcat në terren disi janë balancuar me LDK-në, kjo u pa në zgjedhjet e lokale, prandaj i konvenon të bëjë marrëveshje të tilla, të cilat LDK-së ia humbin edhe më shumë prestigjin e brishtë, njëherësh Thaçi e përdor Isa Mustafën si një marionetë për t’i arritur qëllimet e tij.

Isa dhe LDK-ja kanë treguar se nuk dallojnë nga Ramush Haradinaj dhe AAK-ja.

Veprimet e Isës janë të shthurura dhe pa kurrfarë koncepti politik. Kjo tregon se Isës dhe LDK-së pushteti ua ka humbur të pamurin dhe të vepruarit logjik.

Isa po frikësohet, prandaj veprimet e tij janë të palogjikshme. Francis (Parker) Yockey thotë se mospërputhja e skajshme mes sjelljeve dhe parimeve e barazoi demokracinë me hipokrizinë.

Megjithatë, Isa është duke u qëndruar besnik sjelljeve dhe parimeve të tij, të cilat nuk i ka ndryshuar që kur është kapur për pushteti. Që kur e ka provuar për herë të parë se ç’është pushteti.

Pra, një njeri si Isa, i cili mbi 30 vjet qëndron në pushtet në periudha të ndryshme kohore, ai e di mirë se ç’është pushteti, ai e di mirë se çfarë domethënë të mos jesh në pushtet, sidomos tani e ka kuptuar shumë mirë me humbjen e Prishtinës.

Isa e di mirë se sa i ëmbël është pushteti, prandaj pazaret janë të mirëseardhura, jo për të mirën e qytetarëve siç proklamon, por për të mirën personale, grupit që e ka caktuar dhe për të mirën e PDK-së, e cila tashmë veç është përçarë dhe si e tillë nuk ka atë potencial që do të fitonte numër të konsiderueshëm të votave të cilat do t’ia mundësonin formimin e qeverisë me ndonjë parti të vogël (lexo: kompani biznesore) siç janë AKR-ja dhe minoritetet.

Isa me çdo kusht e do pushtetin. Pushteti për Isën nënkupton biznes. E biznesi i sjell paratë. Prandaj, Isa në i do paratë, sepse paratë i japin fuqi dhe pushtet. Prandaj, një mendësi e tillë politike Isën e bën të jetë dialektik në politikë.

E bën që ai t’i përplasë idetë e tij si një materialist i vërtetë, duke bërë akrobacione politike të mjera dhe pa kurrfarë koncepti. Pse? Sepse qëllimi i tij është kapja e pushtetit.

Dhe vetëm e pushtetit. Jo për ta ndryshuar gjendjen aktuale politike, sepse Isa nuk ka pasion për politikë. Pra, Isës dhe LDK-së aktuale u mungon pasioni dhe përgjegjësia politike për të bërë politikë për të mirën e qytetarëve. Isa pasion i ka paratë.

Asgjë më shumë. E kjo e barazon dhe nuk e dallon nga pushteti aktual, i cili nuk ka pasur pasion dhe përgjegjësi politike. Pasioni i vetëm i tyre kanë qenë paratë. Shetetndërtimin e Kosovës, sipas kësaj logjike, ata nuk e kanë pasur qëllim primar, bile po dyshoj as sekondar.

Jam i sigurt se Isa edhe në çoftë se bëhet kryeministër i Kosovës (po supozoj) ai nuk ka për ta ndryshuar gjendjen aktuale politike dhe socio-ekonomike të Kosovës, sepse nuk ka dallim për nga mendësia politike e PDK-së. Nëse dikush beson të kundërtën, atëherë unë do të bëhem Papa i Vatikanit.

(Autori është kandidat për MA në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)