23 Dhjetor 2024

Gjykata speciale, inkuzicioni modern dhe dhunim i kujtesës

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Parashikuesit dhe dhunuesit: Themelimi i Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, “sipas ligjeve të Kosovës”, është bërë në kushte dhe rrethana të terrorizimit, së pari të politikanëve “vendimmarrës” kosovarë të cilët pastaj kanë terrorizuar deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë këtë gjykatë raciste, me të vetmen shpresë se do ta shpëtojnë pjesën më të dobët të anatomisë së tyre, prapanicën.

Të gjithë ata që kanë qenë në Kuvendin e Kosovës, qoftë si deputetë, vëzhgues, “miq” ndërkombëtarë apo në ndonjë cilësi tjetër, e kanë të qartë se në çfarë rrethana është votuar themelimi i kësaj gjykate e cila, mund lirisht të jetë edhe gjykatë e Bangladeshit, por jo e Kosovës.

Pse e them këtë? Qytetarët dhe pjesëtarët e fiseve të Bangladeshit kanë qenë në përbërje të misioneve ndërkombëtare në shumë vende të botës, madje edhe në Kosovë ku, pas përfundimit të luftës kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit e sidomos në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo mundësi u është mohuar qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë pasur as mundësi teorike të shërbejnë në misione ndërkombëtare përveçse e kanë denoncuar, për pak para njëri-tjetrin duke e vazhduar kështu traditën që nga koha e Jugosllavisë së kriminelit Tito dhe Serbisë së “humanistit” Sllobodan Millosheviq.

Në atë kohë e kam kundërshtuar këtë gjykatë si nga forma e sidomos nga përmbajtja apo mandati që ia ka caktuar vetes sepse, në të njëjtën kohë ndanë drejtësi dhe padrejtësi ekskluzivisht sipas parimit etnik dhe nevojave politike.

Disa shokë të burgut më kundërshtonin duke pohuar se ky qenka projekt amerikan jo për ta demonizuar luftën e UÇK-së, por se qëllimi i vetëm qenka që përmes intervistimit të jo më shumë se 10 vetave përfundimisht të pastrohet UÇK-ja dhe këta ta vazhdojnë “ëndrrën e një nate vere” e që, me gjasë, do të shndërrohet në ankth dhe makth shumëvjeçar të vet atyre që e votuan këtë gjykatë.

Është rregull i pashkruar që ai që e merr njësh (1) në histori, në matematikë nuk e kalon as zeron (0), që nënkupton se llogaritë kurrë nuk i dalin sipas matematikës që e bëjnë.

Kjo gjykatë e Bangladeshit katërçipërisht e vërteton këtë. Nëse dikush ka llogaritur se, duke ia ngulur Hasanit, do të shpëtojë Hyseni, tashmë po vërtetohet se ka qenë një gabim i cili, vetëm nëse do të ktheheshin disa vjet pas, nuk do ta bënin.

 Babai politik i disa politikanëve të shquar në Kosovë apo edhe i trashëgimisë së pistë të tyre, Sllobodan Millosheviqit, me dëshirën më të madhe e kanë përkrahur dhe e përkrahin këtë gjykatë sepse, edhe në kohën kur lufta e lavdishme e UÇK-së bëhej në kushte kur fasulja hahej kokërr për kokërr, llogaritej si lojtari kryesor i ndërtimit të paqes në Ballkan ndonëse, edhe gjatë Konferencës së Dejtonit duart i kishte të përgjakura, sigurisht se kishte premtime se nuk do të burgosej.

Pastaj, vetë serbët e lidhën këmbë e duar dhe e dërguan në Burgun e Sheveningenit. Edhe Alia Izetbegoviqi, kryetar i Bosnjës dhe Hercegovinës, sikur edhe Franjo Tuxhmani, kryetar i Kroacisë, ndonëse bënë luftë mbrojtëse, të drejtë dhe çlirimtare, kishin aktakuza pasive që do të aktivizoheshin në momentin e duhur, po të mos ua dërgonte Zoti aktgjykimin e pakthyeshëm për përfundimin e jetës së tyre.

Rasti i fundit ishte ai i Radovan Karaxhiqit i cili gjatë arrestimit tha se ka pasur premtime të forta nga Riçard Hollbruk se do të falej nga përgjegjësia penale nëse zhduket nga jeta politike në B dhe H. Madje e ftoi të jetë dëshmitar duke llogaritur në korrektësinë dhe nderin e fjalës së dhënë. Përgjigjja e Hollbrukut ishte tipike me të tjerët: “Nuk pranoj të dëshmoj para një krimineli lufte…”!

Nëse ndërkombëtarët kanë trajtuar, si i kanë trajtuar Millosheviqin, Izetbegoviqin, Tuxhmanin, Karaxhiqin dhe të tjerët, vëllezër dhe motra të dyshuar për krime lufte, vetëm budallenjtë kanë besuar se këta që po ftohen sot nga gjykata e Bangladeshit do të trajtohen ndryshe. Dhe kjo është ajo lidhja e notave midis historisë dhe matematikës.

Të gjitha gjykatat për krime lufte për ish-Jugosllavinë, qofshin ato vetëm nga ndërkombëtarë, hibridë, apo me përbërje gjyqësore krejtësisht vendore, në aspektin e ndarjes së drejtësisë dhe padrejtësisë, janë më të drejta dhe më humane se kjo Gjykata Speciale e Bangladeshit, e ambalazhuar me pronësi të Kosovës, për faktin se i kanë trajtuar rastet duke mos bërë dallime sipas parimit etnik apo nevojave politike të kohës.

Menjëherë pas themelimit të kësaj gjykate “të Kosovës” në skenë dolën “analistët e drejtësisë” dhe “njohësit apo ekspertët ndërkombëtarë” që parashihnin se kush do të ftohej nga kjo gjykatë, kur do të ftohen, kur do të ndodhin arrestimet e para, kush ka dëshmuar dhe çka ka dëshmuar dhe marrëzira të tjera ordinere me të cilat nuk do të merrej as “baba Vanga e verbër” e cila ka parë shumë më qartë dhe shumë më larg se këta “qorrat” tanë analistë që mbijetojnë duke siguruar praninë e tyre përmes parashikimeve që asnjëherë nuk iu dalin të sakta. Janë përralla pohimet se “disave u janë konfiskuar pasaportat”, kurse “disa të tjerëve u është thënë t’i marrin teshat me vete thuaja se në burg shkohet lakuriq…”.

Nuk ka polici apo gjykatë që i tregon të dyshuarit se kur dhe si do të arrestohet e sidomos nuk do ta bënte kjo gjykatë e Bangladeshit veprimet e së cilës, së paku deri më tani, i ngjajnë një prostitucioni juridik.

Mbi pastërtinë e luftës dhe faqeve të bardha në një mjedis krejtësisht të ndyrë: Që nga përfundimi i luftës në Kosovë është kënduar thuaja e njëjta këngë: “Se ne nuk mund të arrestohemi, të gjykohemi dhe të dënohemi për krime lufte shkaku se kemi bërë luftë mbrojtëse, çlirimtare dhe nuk kemi sulmuar ndonjë shtet tjetër…”.

Për ma keq, këtë e kanë thënë, sigurisht nga frika dhe e kaluara e tyre komprometuese, edhe disa personalitete që njihen si autoritete juridike, ndonëse me politikat e tyre dhe shërbimet që i kanë bërë çdo regjimi, kanë kontribuar 100 për qind në arrestimin dhe gjykimin tonë, si armiq të Jugosllavisë dhe Serbisë, rrënues të shtetit dhe rrezikues të pushtetit të vëllazërim-bashkimit e që sot përkthehet si multietnicitet…

Këto “autoritete” kanë edukuar mijëra dhe qindra – mijëra studentë në frymën e patriotizmit jugosllavë, luftëtarë të socializmit vetëqeverisës si dhe gardianë të vëllazërim-bashkimit.

Po këta qyqarë pas luftës janë paguar mirë dhe mirë duke i zënë deri në shtatë vende pune në kohën kur shumica e ish të burgosurve politikë, luftëtarë të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, veteranë të vërtetë, invalidë të luftës, viktima të dhunës seksuale dhe të tjera ishin shndërruar në kategori sociale.

Madje, një horr dhe një i paditur në fushën e drejtësisë, në kohën kur ngjyente dhe lëpinte, së paku shtatë pjata (rroga), më thoshte se ja: “Baca Adem u shit te Hashim Thaçi për 1 000 euro…”.

Kam reaguar tepër butë (sikur të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe luftëtarët e vërtetë të UÇK-së që falin edhe kur nuk duhet të falin duke duruar edhe fundërrinën më të ndyrë njerëzore, duke e larguar nga tavolina ku ishte ulur…).

Tash këta horra e përkrahin Gjykatën Speciale të Bangladeshit sepse ua kujton të kaluarën e ndyrë të tyre kur luanin me fatin e të tjerëve që nuk donin asgjë më shumë se të jetojnë të barabartë, të jenë të lirë dhe të përfillet vullneti i tyre. Unë nuk ndaj mendimin me ta dhe nuk besoj se ka luftë të pastër.

Nuk ka pastërti aty ku vriten njerëzit, ku dhunohen njerëzit, ku shpërngulen me dhunë nga vatrat e tyre, ku ka shkatërrime materiale që përdoren si mjet lufte dhe ku zbatohet vetëgjyqësia.

Lufta çlirimtare dhe lufta mbrojtëse janë luftëra të drejta, por se nuk janë të pastra dhe nuk ju amnistojnë nga krimet eventuale që mund t’i keni bërë apo nuk i keni penguar, ndonëse keni pasur mundësi ta bëni këtë. Të gjitha luftërat janë të ndyra, disa më pak të ndyra, kurse disa shumë të ndyra. Ka shumë raste që e dëshmojnë këtë.

Lufta Çlirimtare e Kosovës ka qenë luftë e drejtë, çlirimtare, e imponuar, mbrojtëse, por jo krejtësisht e pastër sepse ka pasur viktima të të gjitha përkatësive etnike.

Sidomos është komprometuese dhe e errët periudha pas përfundimit të luftës e cila duhet të sqarohet, nëse duam ta ndërtojnë paqen e qëndrueshme. Në Ballkan është një rregull i kodifikuar se: “Kriminelët tanë janë heronj, kurse ata të palës tjetër janë kriminelë e shkuar kriminelëve…”.

 Sidomos për krime të luftës. Është gjithashtu e ditur se rruga më e lehtë dhe më e shkurtër të bëheni hero është nëse arrestoheni, gjykoheni dhe dënoheni për krime lufte ani pse nuk keni lënë të zezë pa bërë pas përfundimit të luftës e për të cilën po shpëtoni pa u dënuar. Fatura për krime lufte është shumë më e vlefshme se profaktura për korrupsion, krim të organizuar, nepotizëm dhe rrënim të themelit ekonomik dhe juridik të shtetit.

Kurrë nuk do ta pranoj Gjykatën e Bangladeshit, jo pse angazhohet për drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë ata që u dëshmohen krimet, por se po vepron në kundërshtim të plotë me këto parime; siguron drejtësi në baza etnike dhe politike në bazë të një Raporti puro politik të një personaliteti të dyshimtë në çdo aspekt, ua mohon të drejtën për drejtësi 98 për qind të viktimave pikërisht pse janë të një etnie tjetër, ndjek dhe dënon përgjegjësinë për krime ndaj vetëm të një komuniteti etnik, kurse shpërfillë drejtësinë dhe amniston nga çdo lloj përgjegjësie më shumë se 98 për qind të një komuniteti që ka përgjegjësi objektive dhe të argumentuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë. Këtë nuk mund ta gëlltisë kurrë dhe asnjëherë.

Këto janë faktet që është dashur të përdoren në refuzimin e formimit të kësaj gjykate dhe është dashur thjesht të veprohet sipas formulës: drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë ata që u dëshmohet se kanë bërë krime, pa bërë asnjë dallim.

Gjykata Speciale e Bangladeshit është formuar në rrethana terrori dhe presioni të madh dhe si rezultat i një raporti krejtësisht politik të një ekzibicionisti, voajeri dhe urrejtësi patologjik të çdo gjëje shqiptare, siç ishte rasti i Dik Martit.

Ky mashtrues nuk pati përgjigje të organizuar të shtetit, por pati dorëzim të improvizuar të “krerëve të shtetit”, të një ish-komunisti dhe një ish-komandanti politik. I pari shpëtoi pa therë në këmbë, kurse të dytit i djersitet prapanica edhe në temperatura ekstremisht të ulëta. Nuk shkohet faqebardhë në këtë gjykatë, por mund të ktheheni faqebardhë nëse merrni përgjegjësi, e mbroni ushtarin dhe e mbroni luftën sikur që nuk i arsyetoni krimet ndaj të tjerëve.

Ktheheni faqebardhë nëse kërkoni përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat e palës tjetër. Nëse krahasohet lufta e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës me luftërat e tjera, proporcioni i shkeljes së zakoneve të luftës dhe të drejtës humanitare është shumë i ulët në Kosovë.

Kujtojini krimet gjatë luftës së dytë botërore që i bënë nazistët gjermanë, partizanët e Rusisë, komunistët e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, Lëvizja e Rezistencës në Francë, japonezët në Mongoli dhe në Kinë, amerikanët në Vietnam dhe shtetet e tjera, gjenocidi në Ruandë, në Kongo, Peru, Argjentinë, Kil dhe Spanjë, Metaksai në Çamëri dhe bindeni lehtë për atë se çka ka ndodhur në Kosovë.

Pritjet e mëdha, zhgënjimet edhe më të mëdha: Para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë kanë ndodhur gjëra të shëmtuara, janë zhdukur pa nam dhe nishan personalitete politike, shkrimtarë, avokatë, luftëtarë, çlirimtarë e më së paku tradhtarë.

Nuk ka asgjë më njerëzore, ligjore dhe morale se të kërkoni informata për anëtarin e familjes apo atë që e ka pësuar në rrethana të dyshimta e që deri më sot nuk ka përgjigje. Të gjitha gjykatat, që nga Tribunali i Hagës dhe pjesë e zorrëve të kësaj gjykate, gjykatat e UNMIK-ut apo ato të EULESH-it dyshohet të kenë bërë përpjekje për nxjerrje para përgjegjësisë të fajtorëve për këto tragjedi personale dhe familjare. Për këto tragjedi njerëzore, kombëtare dhe shtetërore.

Tash, të gjitha shpresat i varin te gjykata e Bangladeshit e që qenka themeluar dhe do të punojë sipas ligjeve të Kosovës, ndonëse kosovarët do të jenë vetëm në cilësinë e dëshmitarit, të dyshuarit, të arrestuarit, të dënuarit dhe të persekutuarit. Këta që aq shumë po i gëzohen kësaj gjykate do të zhgënjehen më së shumti sepse ekzibicionisti, voajeri, aventurieri dhe urryesi i shqiptarëve, Dik Marti, kërkon drejtësi vetëm për viktima të një komuniteti dhe i shërben vetëm një sahani të prodhuar në Svetozarevë.

 Kjo gjykatë është mandatuar t’i trajtojë vetëm rastet e përfshira në raportin politik të Dik Martit dhe jo për t’i hetuar apo nxjerrë para drejtësisë ata që kanë përgjegjësi për vrasjet dhe zhdukjet pas 31 dhjetorit të vitit 2000.

Vetëm nëse në ndërkohë e zgjeron mandatin. Shumë do të mbesin, pa fajin e tyre të zhgënjyer dhe shumë viktima do të mbesin të patrajtuara sidomos për rastet që nuk janë pjesë e këtij raporti.

Lërini profesorët e kriminelit Tito që ju mashtrojnë dhe bëjnë përpjekje t’i përshtaten çdo regjimi dhe çdo sahani apo grazhdi! Gjykata e Bangladeshit nuk ka për qëllim drejtësinë, por ka për qëllim imponimin e marrëveshjeve politike përmes paqes së imponuar, kryesisht në dëm të viktimës.

E keni Srebrenicën e Bosnjës, viktimat kërkojnë mbetje mortore, kriminelët janë në krye të politikës. Edhe te ne nënat gjakovare dhe ato shqiptare, por edhe serbe dhe komunitete të tjera shtrojnë pjata në tavolinë edhe për anëtarët e zhdukur të familjeve të tyre, kurse kriminelët e bëjnë politikën duke fshehur çdo gjurmë krimi.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve, pa asnjë dyshim. Po shihni si janë rehatuar mercenarët juridikë (hetues, prokurorë dhe gjykatës) të ish-Tribunalit të Hagës, mbeturinat e gjykatave të UNMIK-ut dhe EULESH-it, në Gjykatën Speciale të Bangladeshit! Për punën e bërë leshko janë shpërblyer me miliona euro dhe kështu do të bëjnë edhe në këtë gjykatë raciste, Gjykatën Speciale të Bangladeshit!

A mbeti kush pa u ftuar nga gjykata e Bangladeshit? Deri më tani, nga vlerat njerëzore, morale, politike dhe kombëtare, të njohura edhe ndërkombëtarisht, që nga Lupçi i Epërm ku i kam dajat e deri te Mareci legjendar, të kursyera nga gjykata e Bangladeshit janë vetëm dy vlera të pakundërshtueshme: Behgjet Pacolli, me përkatësi shtetërore, ndër të tjera, edhe kosovar dhe Behxhet Shala, me përkatësi etnike supershqiptare, por me pasaportë kosovare.

Mirëpo këtu nuk është fundi i lojës sepse lehtë mund të ftohemi, njëri si dëshmitar i besueshëm, kurse tjetri si dëshmitar i dyshuar.

Që të dy njihemi si personalitete që i njeh bota, që e flasim shkëlqyeshëm gjuhën e Aleksandër Vuçiqit e, deri-diku, edhe gjuhën shqipe, jemi pozitivë deri në negativitetin ekstrem, se jemi të sinqertë deri kur na sosën të gjitha rrenat dhe se tërë qenien e kemi në shërbim të njerëzimit atëherë kur nuk na lejohet të punojmë për veten tonë.

Njëri i beson Myfti Naimit e tjetri Pashko Vasës, ndonëse jemi myslimanë. Deri në kohën kur Behgjeti dhe Behxheti janë larg Hagës, Kosova është mirë, kurse këta që ftohen në Hagë nuk mund të ndjehen aq të sigurt.

Sot në mëngjes e thirra një mik të zemrës, të mirë dhe të moçëm dhe i cili objektivisht mund ta bëjë një shëtitje deri në Hagë sipas formulimit të juristit të shquar Remi, si dëshmitar shumë i dyshuar, për kafe të mëngjesit, por më refuzoi sepse mbrëmë paska qëndruar deri vonë, pas lojës me Anglinë.

Dhe, këtij refuzimi i bashkëngjiti një lutje për Albin Kurtin i cili llogaritet si shqiptar i parezistueshëm të mos vijë më në lojërat kur luan Kosova sepse, prej kohës që Albini po e përkrah Kosovën, nuk e kemi fituar asnjë lojë. Madje, e citoi atë plakën legjendare të Reçakut që e pati falënderuar kryeministrin Rexhepi me fjalët: “Na ke ndihmu, na ke ndihmu, na ke kajt nanën…” Pastaj, nuk i ka hije që një Albin shqiptari ta luajë rolin e një kosovari! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)