Gjykata Kushtetues dhe urbanistika pas rastit të Prizrenit
Shkruar nga Ylber Vokshi-Ylli
Mos harroni se kjo filozofi e funksionimit të një shteti do ti prek të gjithë banorët e saj,edhe ata që sot po i tolerojnë këto ndërtime,vetëm po presin të pa vetëdijshëm kur do të iu vij radha,kështu tregon historia e njerëzimit.
Gjithnjë kam besuar se Kosova do të bëhet vend ku do të ketë Ligje,vend ku ka Kushtetutë dhe vend ku ma në fund do të fillojnë të zbatohen-respektohen Ligjet dhe Kushtetuta. Vendimet e këtyre ditëve të Gjykatës Kushtetues paksa e tronditën opinionin Kosovar,pasoi dorëheqja e Kryetarit të Republikës,asgjë e pa zakonshme për shtetet demokratike,kjo duhej të ishte vetëm një inkurajim për ndërtimin e një shteti ligjor në Kosovë.
Disi nën hijen e kësaj ndodhie të pa precedencë,për shumë profesionistë ishte një befasi e papritur kur Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës,gjate sesionit te mbajtur në të njëjtën ditë,me 22 shtator 2010,shqyrtoi dhe votoi ne lidhje me rastin KI 56/09,dhe vendosi me shumice votash qe kërkesa banorëve të një lagjeje të qytetit të Prizrenit ishte e pranueshme,dhe se Kuvendi Komunal i Prizrenit ka bërë shkelje te se drejtës se parashtruesve te kërkesës,kur ka lejuar ndryshimin e planit urbanistik,te garantuar me Nenin 52 (2) te Kushtetutës se Republikës se Kosovës.
Është ky një satisfaksion jo vetëm për \"Parashtruesin e kërkesës dhe 59 te tjerëve kundër Kuvendit Komunal te Prizrenit por edhe për të gjithë ata të cilët publikisht kanë kundërshtuar abuzimet e shumta në tërë Kosovën, posaçërisht në zonat urbane të qyteteve - vendbanimeve tona kryesore. Kjo krijon mundësinë që edhe rastet e tjera të denoncohen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës se Kosovës,pasi ka raste të shumta të keqpërdorimeve në hapësirat urbane të qyteteve dhe Komunave të Kosovës,ku e para me siguri do të jetë kryeqyteti i Kosovës,Prishtina.
Prizreni është njëri nga rastet e shumta në Kosovë,kur organet shtetërore të nivelit Komunal bëjnë shkelje të rënda ligjore duke ndryshuar dhe aprovuar zgjidhjet urbanistike,në të njëjtën kohë duke shkaktuar pakënaqësi të mëdha në mesin e qytetarëve në ato lagje. Komunarët e Prizrenit me llogarit e tyre perfide që njëmbëdhjetë vite po i keqpërdorin me të madhe autorizimet që iu lejon vendi i punës në sektorin e urbanizmit,në vend që të respektojnë ato sipas ligjeve aktuale të aprovuara në Kuvendin e Kosovës në fushën e urbanistikës,që për ata duhej të ishin obliguese. Nuk është ky i vetmi rast në Prizren ku ka devijime të mëdha me pronat dhe ndërtimet pa leje edhe në Zonën Historike të Prizrenit. Shkohet aq larg sa edhe falsifikohen dokumentet kadastrale të pa imagjinueshme dikur,e sa për Prevallën as që vlen të diskutohet pasi aty haptas ka keqpërdorime të mëdha me ndërtime te të terë spektrit vendimmarrës në Kosovë.
Situata aspak nuk është ma e mirë as në qytetet tjera në Kosovë,në të njëjtën mënyrë është vepruar,duke mos i respektuar as normat dhe standardet elementare të urbanistikës. Si duket Kosovës nuk i nevojitet planifikimi urban i qyteteve tona,pasi edhe ato pak dokumente hapësinore të aprovuara - planet rregulluese urbane të cilat janë punuar pas vitit 1999,e janë paguar me çmime të shtrenjta nga buxhetet e varfra komunale,shumë pak janë respektuar,janë ndryshuar sipas tekeve dhe interesave individuale,pa menduar për interesin e përbashkët të një jete të dinjitetshme urbane.
Çështjen e kryeqytetit duhet posaçërisht trajtuar. Prishtina në vitet e pas luftës është kthye në një qytet ku mundet gjithkush të bëjë çka të dojë. As që mundem të kuptoi,e as të imagjinoi veprimet e pushtetarëve aktual që e kanë plot gojën demokraci kur lejojnë ndërtime të tilla në kryeqytetit pa plotësuar as parametrat elementare të urbanizmit. I kanë instrumentalizuar edhe ata ekspertët e pakët në fushën e urbanizmit,që nuk po kanë fuqi intelektuale dhe profesionale të iu kundërvihen këtyre degradimeve urbane me pasoja të rënda për të gjithë banorët e kryeqytetit në të ardhmen. Edhe ato plane rregulluese që i ka aprovuar Asambleja Komunale janë të kundërligjshme,duke u bazuar në një dokument krejtësisht antiligjor si është Plani strategjik 2004-2020 i Zhvillimit Urban të Prishtinës. As që janë përfillur ligjet e aprovuara nga ana e Kuvendit të Kosovës në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit.
Ndërtohet në lokacione (!) të cilat do të dëmtojnë skajshmërisht të gjithë banorët e objekteve tjera të ndërtuara pas revolucionit patriotik. Cilat parametra urbane janë përdorur për të dhënë leje ndërtimi për objekte të tilla,atë asnjë profesionist i vërtetë nuk do ta bënte. Si do të ndihën banorët e rij aty pas ndërtimit të atyre objekteve,të rrethuara në të gjitha anët me objekte banimi ekzistuese?. Ata dëshirojnë të jetojnë në qendër të kryeqytetit,për atë do të paguajnë para të mëdha,si do të funksionoi kjo vetëm ata e dinë. Si duket atyre kjo çështje nuk do të iu interesoi,gabojnë shumë pasi logjika dhe ligji do të triumfojnë,ekziston mundësia reale që të humbin kursimet e tyre pasi si duket do të filloi të funksionoi ligji,së paku kështu paralajmëron Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës.
A janë të vetëdijshëm profesionistët e Komunave se me këto veprime qytetarëve po iu uzurpohet hapësira jetësore,ajri,dielli,drita,banorët njeri tjetrin do ta shikojnë në pjatë duke ngrënë,e në shumë raste në dhomën e ditës ku zhvillohen të gjitha aktivitetet e një familjeje. Ku është ana obliguese ligjore dhe humane e banimit në projektimin urban,apo këto çështje janë të huaja për një jetë urbane normale që i plotëson parametrat elementare për një jetë të dinjitetshme. Përse po doni me i vra për së gjalli banorët e vendit të juaj,a jeni të vetëdijshëm se çka jeni duke bërë. Kishte individ cinik që iu gëzoheshin fatkeqësive të tjerëve me rastet e mbindërtimeve pas luftës,ndërtimeve pa leje në vazhdimësi,e shumë dukurive tjera destruktive. Mos harroni se kjo filozofi e funksionimit të një shteti do ti prek të gjithë banorët e saj,edhe ata që sot po i tolerojnë këto ndërtime,vetëm po presin të pa vetëdijshëm kur do të iu vij radha ,kështu tregon historia e njerëzimit.
Cila është detyra (misioni dhe vizioni) e një arkitekti, urbanisti, planeri, arsyetimet e pa qëndrueshme të atyre,që kanë lundruar tërë kohën në valët e politikës aktuale në Kosovë nuk qendrojnë. Patriotizmi ma i madh i tyre është si të fitojnë për familjen e tyre e tani kinse brengosen për jetën e fëmijëve tanë,a ka hipokrizi ma të madhe e ma tragjike për një shoqëri se të vepruarit e tillë.
Jetojmë në shekullin 21,organet shtetërore qendrore dhe komunale janë të obliguara të mbrojnë ligjshmërinë e cila është shkelur nga ana e komunave me lejimin e këtyre ndërtimeve,posaçërisht tani me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më rastin e Prizrenit,ku seriozisht është shkelur ligjshmëria,të shohim se si do të veprohet në të ardhmen.