Gjendje e palakmueshme në deponitë sanitare të Kosovës
Shkruar nga OJQ EC Ma Ndryshe
Gjendja në deponitë sanitare të Kosovës mbetet e palakmueshme, bazuar në vlerësimet e bëra dhe raportet e hartuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Sipas konstatimeve të kësaj Agjencie, ajo vjen duke u rënduar si pasojë e keqmenaxhimit, mos investimeve rehabilituese, por edhe nga tejkalimi i kapaciteteve të pranimit të masës së mbeturinave.
Një raport i AMMK-së i publikuar në qershor të këtij viti ka bërë të ditur se gjatë periudhës shkurt-qershor 2021, është bërë monitorimi dhe vlerësimi i gjendjes së deponisë sanitare të mbeturinave komunale për regjionin e Pejës, deponisë sanitare të mbeturinave komunale për regjionin e Prizrenit dhe stacionit për transferimin e mbeturinave komunale në Gjakovë.
“Bazuar në vizitat e realizuara në këto deponi është konstatuar që gjendja e tyre nuk është e mirë dhe se ka probleme që ndërlidhen me menaxhimin e deponive”, thuhet në publikimin e AMMK-së, me ç’rast theksohet se ndër problemet kryesore të evidentuara janë ngjeshja dhe mbulimi jo i rregullt i mbeturinave, shpërndarja jo e rregullt e mbeturinave në deponi, mbeturinat jashtë rrethojave të deponisë, shkarkimi i ujërave të deponisë jashtë basenit të grumbullimit, prania e qenve endacak në zonën e deponisë si dhe prania e individëve të pa autorizuar në deponi që merren me grumbullimin e llojeve të caktuara të mbeturinave me qëllim shitjen e tyre.
Ndërkaq në Raportin e Menaxhimit të Mbeturinave Komunale në Kosovë për vitin raportues 2019, të publikuar gjatë këtij viti, AMMK duke u bazuar në të dhënat e siguruara, ku përfshihet i gjithë cikli i mbeturinave, duke filluar nga prodhimi e deri tek trajtimi përfundimtar i tyre, ka konstatuar se vërehet një lëvizje në përmirësim të treguesve.
Por aty ceket se problematikë e madhe në nivel vendi ende vazhdon të mbetet deponimi i pjesës dërmuese të mbeturinave të gjeneruara në deponitë sanitare.
Gjithashtu veçohet gjendja e rëndë në deponitë sanitare. “Edhe këtë vit raportues është regjistruar një gjendje e rëndë e deponive sanitare në Kosovë, e cila vjen duke u rënduar si pasojë e keqmenaxhimit, mos investimeve rehabilituese, por edhe nga tejkalimi i kapaciteteve të pranimit të masës së mbeturinave”, thuhet në raport, ku pasqyrohet se sasia e deponuar e mbeturinave komunale në deponitë sanitare shkon në 449,881.81 ton/vit, pa i përfshirë sasitë e mbeturinave të deponuara në deponitë tjera josanitare, si ajo në Istog (Tuqep), apo në deponitë tjera në pjesën veriore të Kosovës, meqë nuk ka pas të dhëna të raportuara. “Për dallim nga viti paraprak, në vitin 2019, sasia e mbeturinave të deponuara ka shënuar rritje për 24,292.55 ton më shumë apo shprehur në përqindje 5.7%”, shkruan në raport.
Në të njëjtën kohë theksohet se ende nuk ka iniciativa të mirëfillta qoftë në nivel lokal apo në nivel vendi, që tregojnë veprime konkrete drejt një ekonomie qarkore, derisa edhe riciklimi mbetet ende një sfidë e vështirë që të realizohet. Në raportin e AMMK-së, sipas të dhënave të vitit 2019, diku 10.2 % e ekonomike familjare në nivel vendi kanë qasje në infrastrukturën për ndarje në burim, edhe pse kjo përqindje sipas autorëve të raportit duhet të merret me mëdyshje.
Strategjia kombëtare për menaxhimin e mbeturinave 2013-2022 ka synuar që deri në vitin 2022, 90% e popullatës në Republikën e Kosovës të përfshihet në mbledhjen e organizuar të mbeturinave, dhe gjithashtu përqindja e mbeturinave komunale të destinuara për trajtim të mëtutjeshëm dhe riciklim të rritet deri në 40 %.
Se deponitë nuk menaxhohen si duhet thuhet edhe në raportin e vitit 2020 të Komisionit Evropian për Kosovën, ku kërkohet që Ligji për mbeturinat të harmonizohet më tej me Direktivën Kornizë të Mbeturinave, pasi zbatimi është i mangët dhe shumica e mbeturinave përfundojnë në deponi që nuk menaxhohen si duhet, ose të paligjshme.
“Kosova duhet të prezantojë masa ligjore dhe praktike për të zvogëluar mbeturinat dhe për të rritur riciklimin dhe rikuperimin në përputhje me parimet e ekonomisë rrethore”, thuhet në këtë raport, ku rekomandohet që liqeni i depozitës së hirit të qymyrit që operohet nga KEK-u dhe deponia e Mirashit në Obiliq urgjentisht dhe përgjithmonë të mbyllen dhe të rehabilitohen.
Strategjia kombëtare për menaxhimin e mbeturinave 2013-2022 si objektiv parasheh krijimin e një kornize masash brenda së cilës në Republikën e Kosovës do të duhej të zvogëloj sasinë e mbeturinave që krijohen dhe ngritjen e sistemit të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.
Fokusi i kësaj strategjie pos tjerash ka qenë edhe në zvogëlimin e krijimit të sasisë së mbeturinave në burim si dhe zvogëlimin e sasisë së mbeturinave që duhet të deponohen; zhvillimin e infrastrukturës për ngritjen e sistemit të integruar në menaxhimin e mbeturinave (Zvogëlim – Ripërdorim - Riciklim- Djegie - Deponim), duke krijuar kushtet për një funksionim efektiv të sistemit; zvogëlimin e rrezikut nga mbeturinat; etj.
Por gjendja aktuale tregon se ka ende punë për të bërë nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe vet shoqëria për të arritur standardet evropiane të menaxhimit të mbeturinave, ashtu që sasia e mbeturinave për deponim të zvogëlohet në minimum dhe deponimi të bëhet në mënyrë të sigurt, pastaj që mbeturinat të jenë sa më pak të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut, si dhe që mbeturinat të futen në treg për përfitim ekonomik, sidomos nga procesi i riciklimit, apo të kthehen në mjedis në formë të dobishme (p.sh. kompostim) ose që mbeturinat të jenë bërë të padëmshme.
Prandaj rekomandimet e BE-së për vazhdimin e rritjes së mbulimit të grumbullimit të mbeturinave, veçanërisht me futjen e ndarjes së mbeturinave dhe riciklimin e tyre, futjen e masave të ekonomisë rrethore për të zvogëluar mbeturinat dhe adresimin e çështjes së deponive të paligjshme duhet të adresohen nga institucionet vendore me mobilizimin e komunitetit për arritjen e rezultateve pozitive në këtë drejtim.
Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe, mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism” që zbatohet nga Community Development Fund – CDF. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të donatorëve.