Gjashtëmbëdhjetë ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore
Shkruar nga Michael J. Murphy
25 nëntori ishte Dita ndërkombëtare e eliminimit të dhunës kundër grave dhe shënon fillimin e gjashtëmbëdhjetë ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore aktivitete këto që shtrihen deri më 10 dhjetor në Ditën për të drejtat e njeriut.
Edhe pse unë natyrisht e përkrahi nismën që gjatë kësaj periudhe të veçantë të përqendrohemi më shumë në çështjet e dhunës në baza gjinore, ne të gjithë duhet të përkushtohemi prapë për të gjetur mënyra që ta adresojmë dhunën në baza gjinore si pjesë të asaj që bëjmë çdo ditë.
Ndikimi i dhunës në baza gjinore në jetët individuale dhe në shoqërinë si tërësi duke përfshirë familjet, bashkësitë, shkollat dhe bizneset kërkon vëmendjen, burimet dhe zgjidhjet tona sot dhe përditë.
Dhuna kundër grave dhe vajzave e prek Kosovën ashtu siç e prek çdo komb tjetër. Dhuna në baza gjinore është problem global që shkon përtej tërë kufijve përtej etnisë, racës, gjendjes socio-ekonomike dhe fesë. Mund të kërcënojë gratë dhe vajzat në çdo pikë të jetës së tyre nga vrasja e foshnjave të gjinisë femërore deri te moskujdesi dhe dëbimi i të vejave.
Shumë shpesh, kjo dhunë merr formën e dhunës në familje, përdhunimit, përfshirë edhe përdhunimin nga bashkëshorti, eksploatimin dhe abuzimin seksual ose trafikimin me njerëz. Vitin e kaluar, ndikimi i dhunës në baza gjinore në Kosovë ka qenë evident në mënyrë tragjike pesë gra janë vrarë nga partneri apo bashkëshorti i tyre në Kosovë në vitin 2010.
Pa marrë parasysh a ndodh prapa dyerve të mbyllura apo si mënyrë publike e taktikës së kërcënimit; pa marrë parasysh a ndodh pak më poshtë në lagjen tonë apo diku më larg, dhuna kundër grave dhe vajzave na dëmton të gjithëve burrat dhe gratë njësoj.
Ne duhet të ngremë kokën kundër mosndëshkimit që shumë shpesh bën që kryesit e veprave të mos japin përgjegjësi për veprat e tyre. Dhe ne duhet të përkrahim përfshirjen e burrave dhe djemve në adresimin dhe parandalimin e dhunës dhe ndryshimin e qëndrimit ndaj gjinisë tjetër.
Këto 16 ditë shërbejnë si përkujtues kthjelltësues se dhuna në baza gjinore nuk mund të trajtohet vetëm si çështje e grave është sfidë e thellë për tërë botën.
Dhuna në baza gjinore nuk paraqet vetëm fyerje të të drejtave dhe nderit të njeriut ajo ndikon për të keq në mirëqenien e komuniteteve tona. Kur gratë dhe vajzat keqtrajtohen, atëherë bizneset mbyllen, të ardhurat zvogëlohen, familjet mbesin të uritura dhe fëmijët rriten duke mbyllur në vete sjelljen, e cila zgjat pambarimisht rrethin e dhunës.
As që mund tiu shihet fundi shpenzimeve dëmtuese ekonomike, sociale dhe shëndetësore që sjell ky brutalitet. Veç merrni parasysh shpenzimet që dalin për shërbimet kryesore shëndetësore dhe ligjore si rezultat i lëndimeve dhe abuzimit.
Ose llogaritni shpenzimet e humbura të ekonomisë familjare dhe të ardhurat e zvogëluara për shkak të ditëve të humbura të punës. Ky dëmtim bartet tek pjesa tjetër e komunitetit për shkak të ngarkesës mbi shërbimet ligjore, shëndetësore dhe të sigurisë. Dhuna vepron në mënyrë efikase si kancer në shoqëritë tona duke shkaktuar turbullira të mëdha në përparimin e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.
Asnjë vend ose pjesë e kësaj bote nuk është imune ndaj këtyre shpenzimeve. Në Shtetet e Bashkuara vetëm shpenzimet për shkak të dhunës kundër grave tejkalojnë shumën prej 5.8 miliardë dollarë në vit. Më shumë se 4 miliardë dollarë shpenzohen në shërbime të drejtpërdrejta mjekësore dhe përkujdesje shëndetësore, kurse humbjet në prodhimtari përbëjnë 1.8 miliardë dollarë.
Në këtë kohë të buxhetit të kufizuar, disa mund ti përshkruajnë përpjekjet për ndërhyrje si tepër të shtrenjta. Por, edhe pse investimi i burimeve në parandalimin dhe ndjekjen penale të veprave të sulmit kundër grave paraprakisht mund të kushtojë, kjo metodë sjell përfitime enorme në afat të gjatë.
Është vlerësuar se Ligji mbi Dhunën kundër grave i Shteteve të Bashkuara, i cili ka përforcuar përpjekjet për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të dhunshme në baza gjinore ka kursyer më shumë se 16 miliardë dollarë prej kur është nxjerrë në vitin 1994. Shumica e këtyre kursimeve kanë dalë nga shmangia e shpenzimeve për të mbijetuarit.
Këto 16 ditë ofrojnë një mundësi për të ripërtërirë përkushtimin për të liruar gratë dhe vajzat nga ankthi i dhunës. Vendet nuk mund të përparojnë kur gjysma e popullatës së tyre lihet mënjanë, keqtrajtohet ose është pre e diskriminimit. Kur grave dhe vajzave iu jepen të drejtat e tyre dhe iu ofrohen mundësi të barabarta në arsim, përkujdesje shëndetësore, punësim, si dhe pjesëmarrje në politikë, ato ngrenë lart familjet e tyre, bashkësitë dhe kombet e tyre.
Ato veprojnë si përfaqësuese të ndryshimit. Siç ka thënë tash së voni Sekretarja Clinton: Investimi në potencialin e grave dhe vajzave të botës është një prej mënyrave më të sigurta për të arritur përparim global ekonomik, stabilitet politik, dhe prosperitet më të madh për gratë dhe burrat në tërë botën.
Kjo është arsyeja pse programet dhe veprimtaritë e Ambasadës së SHBA-ve adresojnë një varg mënyrash për të luftuar dhunën kundër grave duke përfshirë edhe dhënien e asistencës për strehimore për viktimat e trafikimit dhe të dhunës familjare, duke ndihmuar në caktimin e ndëshkimeve të përshtatshme penale për dhunën në baza gjinore, duke ndihmuar në krijimin e mekanizmave përkatës për mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve dhe duke ofruar ndihmë për të përforcuar sistemin e drejtësisë.
Kjo është edhe arsyeja pse Ambasada e SHBA-ve kërkon të fuqizojë gratë në postet udhëheqëse dhe vendimmarrëse duke ndihmuar në sigurimin e mundësive për kandidatet për poste publike, femrat udhëheqëse në Kuvend, në qeveri, në shoqëri civile dhe në bashkësitë. Në vitin 2011, Ambasada e SHBA-ve ka zotuar më shumë burime se kurrë më parë përmes programit tonë për grante të vogla - Komisionit për demokraci për programe që fuqizojnë gratë.
Gjatë këtyre 16 ditëve të aktivizmit, ne të gjithë duhet të përkujtojmë se pesë kosovare e kanë paguar çmimin më të lartë vitin e kaluar, kurse dy tjera e kanë paguar atë çmim këtë vit sepse janë vrarë prej veprave të dhunës në familje.
Le të vëmë energjinë, idetë dhe burimet tona që ta zhdukim dhunën në baza gjinore dhe që të sigurohemi që kjo çështje merr vëmendjen dhe përkushtimin që meriton, jo vetëm gjatë këtyre 16 ditëve, por gjatë tërë vitit dhe gjatë dekadave që do të vijnë.
Autori është i ngarkuar me punë i ambasadës amerikane