Gërmija 2010
Shkruar nga arch.Ylber Vokshi-Ylli
(Qendra për punë protokollare dhe administrative në Gërmi)
Ky qytet ka shumë probleme hapësinor dhe urbane të pa zgjidhura të cilat vetë i ka krijuar dhe ndihmuar,si zakonisht në fillim të pranverës,kur fillon të aktualizohet ma shumë çështja e parkut të Gërmisë ende e kamë në kujtesë foton nga shtypi ditor i tetorit 2005 nga një vizitë e objektit në ndërtim Qendra për punë protokollare dhe administrative në Gërmi Prishtinë. Deklaratat bombastike të zyrtarëve të lartë të pushtetit qendror dhe ati lokal të asaj kohe në stilin:
* Disa risi në shoqëri është normale që absorbohen me vështirësi por forcat që duan të bëhen lokomotivë e proceseve do të ecin përpara sigurisht duke respektuar ligjshmërinë që është primare.,
* Objekti është plotësisht legal sipas të gjithë parametrave,
* Nuk na mjafton që të kemi hapësira LIVADHESH por duhet ti funksionalizojmë këto hapësira.
Ajo çka nuk ishte respektuar ishte pikërisht ligjshmëria në rastin konkret pasi Ligji i Planifikimit Hapësinor 2003/31 i nënshkruar nga vet dora e krye-parlamentarit të atëhershëm në korrik të vitit 2003, në rastin e përgatitjes së projektit investimit nuk ishte marr në konsideratë,duke e instaluar praktikën e privatizimit politik të hapësirave publike. Këta zyrtar sot i kanë humbur pozitat e larta shtetërore por objekti i pa përfunduar ka mbetur ende aty në atë lokacion,pengon,përkundër reagimeve të pakta publike dhe individuale si ishte rasti imë,me tendencë për ta përfunduar.
Në qershor 2006 më dëftuan me vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të ju rekomandojnë deputetëve që të miratojnë vazhdimin e ndërtimeve në Qendrën për punë protokollare dhe administrative në Gërmi me qellim që të mos t,i çojmë huq 1.7 milion euro si dhe shpenzimet tjera?.
Edhe Kryesia e re e Kuvendit të Kosovës, në qershor 2008,formon një grup të ri punues për të rishikuar gjendjen aktuale në këtë objekt edhe së kishte një ekspertizë profesionale nga legjislatura e kaluar për shpenzimet e pa kontrolluara të mjeteve materiale të taksapaguesve Kosovar.
Nga aspekti profesional nuk janë respektuar edhe vetë vendimet e organeve komunale të cilat nuk kanë pasur bazë juridike në ligjet ekzistuese të Kosovës (Ligji i Planifikimit Hapësinor) të cilin askush nuk e ka respektuar-zbatuar,nga ata që kanë qenë të obliguar të veprojnë.
Faktet-dokumentet flasin ndryshe:Duke ju referuar Plani Strategjik 2004-2020, i cili nuk ka respektuar ligjet aktuale të Kosovës (LPH). Njëra nga tri çështjet kryesore është Pylli i Qytetit të Prishtinës apo Pylli i Gërmisë që do të përbëhej nga zonat për sport dhe rekreim....,zonat për edukim-arsim në natyrë dhe ekspedita....,shtigjet natyrore dhe pikat e vështrimit...,liqet për peshkim....,dhe restorantet malore,kafenetë me kusht që të integrohen në Pyllin e Prishtinë.(gjegjësisht të jenë si servise përcjellëse të përmbajtjeve të lart përmendura)
Banorët e kryeqytetit të cilët e kanë të vetmin vend për rekreacion,shkarkime nga frustrimet shpirtërore dhe mekanike nga përditshmëria monotone nga anarkia urbane e imponuar nga lëvizja e pa kontrolluar e popullsisë si dhe nga lejimi i ndërtimeve pa leje pos luftës,posaçërisht në ditët e vikendit. Si do të relaksohën ata me zhurmën e sirenave zyrtare dhe diplomatike të zyrtarëve të ndryshëm të vetmes rrugë për qendrën rekreative të Gërmis,në drejtim të kompleksit të përmendur. Çka me bllokimin e rrugës së vetme,për diplomatët dhe personalitet e rëndësishëm që do të vizitojnë Kosovën në të ardhmen,e të cilëve duhet siguruar një rehati dhe qetësi optimale. A mundet kjo të arrihet me vazhdimin e punimeve në këtë kompleks që është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës, me siguri se jo në këtë lokacion.
Është i domosdoshëm një kompleks i tillë ekskluzive për nevojat e organeve shtetërore të Kosovës. Lokacioni do të duhej të ishte i definuar me ekskluzivitet politik të cilin duhemi ta respektojmë për interesa ma të larta. Lokacione të tilla ka në Kosovë afër kryeqendrësPrishtinës,kanë ekzistuar ma parë dhe ka mundësi hulumtimi për lokacione të reja ekskluzive për strukturat politike shtetërore në Planin e ri Hapësinor të Kosovës 2010 - 2020+ i cili ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës për të pas fuqinë ligjore. Politikanëve të cilëve ju është dedikuar ky lloj objekti, të cilët duhet të kishin një qetësi relative pas punëve të ndryshme në veprimtarit e tyre për të cilat kanë marr mandatin e votuesve në shtetet e tyre,ju duhet një qetësi shpirtërore. Si do të veprohet me serviset e shumta përcjellëse që janë të domosdoshëmpër këtë kategori të njerëzve,të cilët do të mbinin si këpurdhat pas shiut. Me siguri nevojitet një diskresion minimal të cilin nuk e mundëson lokacioni në të cilin ka filluar ndërtimi para pesë viteve.
Pretendimi të zyrtarizohet,legalizohet një krijesë e tillë do të ishte shkelje flagrante e të drejtave të njeriut si rrjedhojë e mos respektimit të ligjeve,normave dhe standardeve në fushën e planifikimit hapësinor dhe të ati urban të cilat i ka aprovuar vetë Kuvendi i Kosovës. Shtrohet pyetja ku do të ishte vendi i një kompleksi të mbyllur ekskluziv politik në kompleksin e Pyllit të Prishtinës-Gërmi pasi Qendra për punë protokollare dhe administrative me siguri nuk e ka vendin aty, ka shumë lokacione për këtë lloj të destinimit dhe do të ishte dështim profesional dhe shtetëror nëse përcaktohemi për një lokacion i cili do të ishte i dëmshëm për të gjithë ne,edhe se duhet paguar tagrin e qeverisjes së keqe për të cilën dikush ma në fund duhet të jep përgjegjësi në shtetin e Kosovës.
Përse tentohet të shkatërrohet një kompleks rekreativ për banorët e kryeqytetit e më gjerë, ku të gjithë do të ishin humbës si banorët e kryeqytetit ashtu edhe zyrtarët e lart shtetëror,pos interesave të atëhershme personale qe shumë lehtë munden me u konstatuat nga ana e ekspertëve të mirëfilltë. A mundet të përfundohet një objekt-kompleks i cili do të ketë pasoja të pa riparueshme në natyrë dhe për tërë shoqërinë kosovare,duke mos marrë parasysh dëmet të cilat do të ia shkaktojnë interesit të përgjithshëm të kësaj shoqërie,pa marr parasysh ato afro 2 milion euro të shpenzuara. Nuk jemi shoqëri e pasur për të gjuajtur para por parregullsitë në fillimin e ndërtimit të objektit duhet të trajtojnë organet e autorizuara,çka disa herë pa sukses është tentuar.
Gërmija duhet të jetë një pasuri e të gjithë neve e jo një privilegj grupeve politike të ndryshme pasi për këto lloje të domosdoshme të rezidencave ka lokacione të shumta ma adekuate,duke ju referuar dokumenteve të shumta hapësinore dhe urbane që ekzistojnë në Kosovë.
Autori është arkitekt i pavarur dhe Ish zyrtar i lartë në MMPH në Departamentin e Planifikimit Hapësinor (Udhëheqës i Divizionit të Hulumtimeve-Planifikimi Qendror)