23 Dhjetor 2024

Garantimi i privatësisë si mision qytetar

Shkruar nga Jeton Arifi 

Për një kategori të qytetarëve të republikës sonë të re nuk përbën më risi shënimi i ditës së njëzetë e tetë të janarit.

Kjo datë, megjithë acarin që mund ta bartë me vete, me simbolikën e vet, do të duhej të mbillte shpresë ndër ne për një të drejtë thelbësore, e cila, si e jetësuar, na bën të bindur që kemi nën kontroll jetën tonë private.

Ka shtatë vite që Agjencia e shënon Ditën Ndërkombëtare të Privatësisë, për historikun e së cilës kam shkruar shtatë muaj më parë kur po shënonim shtatëvjetorin e themelimit të saj.

Aktivitetet që janë organizuar ndër vite në këtë datë kanë pasur synim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për t'u bërë më syçelë rreth kësaj të drejte.

Zakonisht, në fokus kemi mbajtur gjeneratën e re, shkollarët, por pa i lënë anash as mësimdhënësit e tyre.

Me këta të fundit, përmes Ministrisë së Arsimit, kemi arritur që ta përfshijmë temën e privatësisë si pjesë përbërëse të procesit mësimor, të paktën një herë në vit.

Ky është viti i tretë që shkollat tona kanë marrë përsipër që nxënësve të tyre tu spjegohet rreth privatësisë, respektivisht të drejtave të tyre, duke mos lënë anash as këshillat se si të mbrohet kjo e drejtë, me theks të veçantë në internet.

Si duket, greva e mësimdhënësve që nuk dihet se kur do të përfundojë, do t'i privojë nxënësit nga ligjerata tradicionale mbi privatësinë, ku do të mund të përfitonin nga këshillat praktike se si të mbronin privatësinë e tyre në internet.

Në fakt, ata po humbin shumë më shumë se kaq, madje jo vetëm mësimin e rregullt, por duke qenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, në vend se në shkollë, nxënësit po e shfrytëzojnë kohën 'racionalisht' me teknologji (telefona androidë, tabletë, etj.) në duar, duke e bërë privatësinë e tyre edhe më të cenueshme.

Si qëndron shteti ynë në këtë fushë?

Për ta bërë këtë shkrim më leht të lexueshëm e kuptueshëm, po i referohem kësaj pyetjeje hipotetike, që mbase do ta bëje ti, lexues i nderuar, e të cilën ma bëjnë gazetarët shumë shpesh.

Në rrafshin ndërkombëtar, një shtet konsiderohet se ofron mbrojtje adekuate të të dhënave personale të qytetarëve të vet, nëse ka të themeluar dhe funksional një autoritet, si agjencia që përfaqësoj unë, pastaj matja e nivelit të vetëdijes së qytetarëve për këtë fushë dhe ajo e ndërgjegjësimit të kontrolluesve (institucionet e organizatat private që përpunojnë të dhënat tona) për të mos e shkelur privatësinë tonë është relative.

Vite më parë, kur ky autoritet sapo ishte themeluar, qytetarët tanë nuk e kishin idenë se ekzistonte ai, apo se ku mund të drejtoheshin nëse pretendonin se po u shkilej privatësia.

Sot, ankesat që i adresohen agjencisë në baza ditore, flasin për një përmirësim të dukshëm të vetëdijes qytetare lidhur me këtë fushë, e cila, sado e parëndësishme ti duket dikujt, privatësia, siç do ta përkufizonte romansierja amerikane Katherine Neville, në fakt është kërkesë themelore e jetës, siç është frymëmarrja e ngrënia.

Në rrethanat aktuale, autoritetit, i cili do të duhej të bënte qytetarët të ndjeheshin më të sigurtë për privatësinë e tyre, i mungon titullari kryesor, i cili, nuk do të ketë mundësi të përzgjedhet pa u miratuar projektligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili ka marrë dritën jeshile nga të gjitha komisionet parlamentare dhe po pret leximin e dytë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Hyrja në fuqi e këtij projektligji i jep Agjencisë një mekanizëm konkret për të ndëshkuar shkelësit e qëllimshëm të privatësisë së qytetarëve - shqiptimin e drejtpërdrejtë të gjobave.

Veç kësaj, ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, me kriteret e paracaktuara, ofron mundësinë e përzgjedhjes së një figure jopolitike, profesionale, të paanshme e të përkushtuar në krye të këtij institucioni të pavarur.

Në të kundërtën, po vazhdoi zvarritja e këtij procesi, Agjencia rrezikon seriozisht të dështojë në përfitimin e një fondi prej 2 milionë eurosh të ndarë nga Komisioni Evropian.

Nga ky projekt binjakëzimi, më së shumti do të përfitonin zyrtarët për mbrojtjen e të dhënave personale të akredituar brenda institucioneve publike dhe jo vetëm, duke marrë ekspertizë të jashtme dhe përvojën e ekspertëve të kësaj fushe nga një shtet anëtar i BE-së.

Rezultati i prekshëm i jetësimit të këtij projekti, për qytetarët tanë do të reflektohej me mbrojtje më dinjitoze të të dhënave të tyre nga kushdo që përpunohen ato.

Ngrica e janarit duket se po pasqyrohet edhe në ngrirje të shumë proceseve në shumë sektorë të shtetit.

Duke u uruar qytetarëve tanë paprekshmëri në jetën e tyre private, shpresoj që muaji shkurt të reflektojë te të gjithë ne energji pozitive për ta ndihmuar shkrirjen e kësaj ngrice të gjithanshme!

(Autori është drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përmbajtja e këtij shkrimi reflekton qëndrimet personale të autorit)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)