Fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon
Shkruar nga Albin Kurti
Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten.
Nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nëshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova. Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre.
Të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës.
Krimet e dëmet gjatë luftës, borxhi që na e ka Serbia, u shpërfill a harrua nga delegacioni i Kosovës.
Koncensionet në planin e Ahtisaarit për manastiret dhe kishat nuk kishin pse rëndoheshin edhe më shumë në Washington DC, thua se nuk ka marrë boll Serbia.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre.
Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës kah Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja e hoqi. Pra, askund s'ka njohje reciproke të premtuar. Përkundrazi, Grenell e pranoi se ka pranuar ta heq atë.
Çfarë i solli Kosovës në raport me Serbinë ky delegacion? Dëm, turp e rrezik.
Ish presidenti amerikan Carter dikur ka thënë se asnjë marrëveshje nuk mund të jetë afatgjatë nëse nuk fitojnë të dy palët. Por, në rrafshin ndërkombëtar mes Serbisë e Kosovës, Serbia po fiton gjithçka që synoi, ndërsa Kosova asgjë. Në rrafshin ekonomik sërish Serbia fiton më shumë, duke ju pranuar pozita e hegjemonit në rajon, kalim e tregti të lirë në Kosovë, dalje në det etj.
Izraeli duhet falënderuar, por njohja mes Kosovës e Izraelit është diçka mes vendeve tona, me ndihmën e ShBA-ve. Serbia nuk ka pse përfshihet në marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin. Nuk po e blejmë njohjen nga Izraeli duke i lëshuar sovranitet Serbisë.
Ujmani, energjia, minishengeni, rrugët e Serbisë nëpër Kosovë, deri para pak ditësh kanë qenë të papranueshme si tema bisedimesh me Serbinë për partitë në Kosovë. Ky ndërrim i faqes, tregon sa të padenjë janë. Shkuan atje me premtimin për njohje, por kur Vuçiq ka thënë se nuk ka bisedime nëse nuk eleminohet njohja, këta nuk kanë guxuar të këmbëngulin. Kanë pranuar gjithë çfarë ka kërkuar ai.
Natyrisht, fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon.