Frika nga partitë politike në pushtet
Shkruar nga Aurora Bakalli
Këto ditë, deri sa po bëhet një punë më intensive se rëndom në rekrutimin e kandidatëve për përfaqësim në asambletë komunale, kam hasur personalisht disa herë në një dukuri të cilën nuk mund ta përshkruaj ndryshe pos si të dhimbshme dhe që ka të bëjë me frikën e individëve (të paangazhuar në politikë) për tu prezantuar nën petkun e një subjekti politik, i cili nuk e ka pushtetin në komunën përkatëse.
Arsyeja e kësaj frike, siç e kam kuptuar nga disa individ[ të sinqertë, është hakmarrja që pason ndaj tyre. Për të qenë korrekte, këtë dukuri e kam hasur jashtë kryeqytetit.
Fatkeqësia qëndron në faktin se kjo po i ndodh pikërisht shtresës së intelektualëve. Aty ku duhet ti kemi sytë, aty ku duhet të shpresojmë se do të burojë iniciativa, energjia dhe dija për ndryshime
, pikërisht aty është mbjellë frika nga të gjitha partitë që kanë ndokund pushtet.
Si kanë arritur ta bëjnë këtë? Përgjigja është sa e thjeshtë, aq edhe poshtëruese: duke kërcënuar me humbjen e vendit të punës, duke kërcënuar, pra, me mbijetesën dhe ekzistencën.
A është kjo Demokracia të cilën e dëshironim aq shumë? A është kjo Demokracia me të cilën e kanë gojën plot pikërisht ata që e bëjnë këtë represion psikologjik mbi masën, e veçanërisht mbi intelektualët?
Në këtë rast nuk dua ta hedh barrën e përgjegjësisë mbi intelektualët duke aluduar në mosguxim, qyqarllëk apo etiketim tjetër të ngjashëm, sepse e kuptoj se duhet të mendojnë për mbijetesën e tyre dhe të familjeve të tyre në këtë kohë të krizës ekonomike e sociale; por barrën e përgjegjësisë do ta hedh te partitë politike të cilat kanë pushtet (lokal apo qendror) dhe të cilat janë duke e keqpërdorur atë skajshmërisht. Ata janë duke e ngulfatur lirinë, ata janë duke e ngulfatur Demokracinë,
ata janë duke i bërë zullum psikologjik popullit të vet vetëm e vetëm për ta mbajtur pushtetin.
Nga këndvështrimi im si opozitë konsideroj se ne kemi obligim dhe duhet të luftojmë për Demokracia të vërtetë, për liri të shprehjes, për liri të bindjeve. DUHET! Vetëm pasi ta kemi instaluar këtë në shoqërinë tonë thellësisht besoj se do të fillojnë të vijnë edhe të mirat tjera.
/Autorja është deputete e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës)