23 Dhjetor 2024

Frekuencat dhe futbolli

Shkurar nga Oltjon Koja

Frekuencat dhe futbolli; E çfarë mund të kenë të përbashkët këto dy fjalë?!

Së fundmi në komunikimet publike të Kryeministrit, kemi parë angazhimin dhe detyrat që u lë vartësve, duke shprehur patriotizmin nacionalist të radhës për “unifikimin e kombit” mes valëve televizive dhe sportit, dy elemente të cilat vërtet nuk mund të kenë kufij.

A është e mundur që televizionet e shtetit të Kosovës të transmetojnë sinjalet e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas?

Po. Është e mundur! Në fakt, pothuaj të gjithë televizionet kryesore të Kosovës transmetohen nëpërmjet platformës transmetuese satelitore të “DigitAlb”.

Ajo që nuk është e mundur, është përdorimi i frekuencave për shërbimet televizive në rruge tokësore në territorin e Shqipërisë nga operatorë të tjerë që nuk janë vendas. Është kufizim ligjor, por jo vetëm. Janë institucionet ndërkombëtare që monitorojnë në bazë të marrëveshjeve të miratuara dhe detyruese, marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kjo pasi frekuencat janë një burim natyror i kufizuar. Si të tilla duhet të plotësojnë kërkesat vendase, përpara se të mendohet të gjenden mënyrat të vihen në dispozicion për operatorët e një vendi tjetër.

Por nëse konsiderojmë teknologjinë dixhitale tokësore, po të ndërtohet një multiplekser kombëtar, është e vërtetë që mund të mbarten një numër programesh të shtetit të Kosovës në të. Por kjo do të thotë të privohen operatorët vendas nga resurset e veta.

Kjo është pasoja më e vogël, pasi frekuencat janë tashmë të koordinuara me marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë të firmosura nga shteti ynë e të ratifikuara nga Parlamenti shqiptar. (Marrëveshja Gjenevë’06).

Për analogji, e njëjta situatë është edhe për shtetin e Kosovës, që duhet të plotësojë nevojat e saj për operatorët që operojnë në këtë shtet.

Por ka edhe një aspekt tjetër. Në të dy shtetet, janë autoritetet përkatëse të pavarura nga qeveria që planifikojnë frekuencat, licencojnë, monitorojnë, e kontrollojnë zbatimin e ligjit për median elektronike. Ndërhyrjet e shefit të qeverisë në këtë rast janë të pavend, pasi ndërhyjnë në punët e organizmave të pavarur.

Shqipëria prej vitesh është kthyer në një vend paradoksesh. Falë iniciativave private, jemi renditur një nga vendet e para në rajon për fillimin e transmetimeve dixhitale tokësore, por fatkeqësisht kemi mbetur një nga vendet e fundit që nuk kemi kaluar në këtë teknologji të re.

Kjo për shkak të zvarritjeve, të mungesës së kuadrit ligjor, mungesës së strategjisë së kalimit dhe mungesës së vullnetit të shtetit për të plotësuar rolin e tij në këtë proces të rëndësishëm.

Dhe ndërhyrja tjetër është për futbollin.

A është e mundur të krijohet një ligë kombëtare ndërmjet dy shteteve?!

Dëshira është vërtet e madhe, por aktualisht mundësia nuk është. U referohem përgjigjeve mediatike të drejtuesve kryesorë të sportit në vend që kanë hedhur poshtë edhe këtë iniciative të Kryeministrit tonë.

Kjo pasi institucioni ndërkombëtar përgjegjës për futbollin FIFA nuk mund të lejojë një gjë të tillë. Kosova është shtet dhe i pavarur, por jo i gjithëpranuar, e fatkeqësisht ende jo i regjistruar me të drejta të plota në OKB.

Si frekuencat edhe futbolli rregullohen nëpërmjet rregullave të miratuara e që monitorohen nga institucionet ndërkombëtare që varen nga OKB.

Po përse Kryeministri i vendit tonë, në çaste të caktuara “shpalos” idetë e tij duke i kthyer sytë e gjithë opinionit publik drejt këtyre “projekteve” të rëndësishme? Sa herë që vendi, në këtë tranzicion të gjatë e të lodhshëm, gjendet përpara problemeve të mëdha si; korrupsioni, rënia e ekonomisë, problemet me energjinë e ujin, drejtësinë, arsimin infrastrukturën, papunësinë, sigurinë, e gjithë çka na bën të jetojmë pa shpresë në këtë vend, Kryeministri ynë hedh shashka, për të shmangur vëmendjen tonë nga e përditshmja.

E udhës do të ishte, të mos e humbasim vëmendjen, pasi kjo është jeta jonë dhe ky vend është vendi ku po rrisim fëmijët tanë, dhe jo vendi i eksperimenteve dhe çudirave të fushatës së radhës së Kryeministrit të radhës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)