02 Maj 2024

Frazat envereske të Thaçit

Shkruar nga Faik Krasniqi

Jemi i vetmi vend në botë, ku shkojmë nga keq e te më keq. Jemi i vetmi vend në botë, vetëm për keq. Kreu i qeverisë, thotë, herë pas here, se ia kalojmë vendeve të rajonit, madje së shpejti edhe Gjermanisë! Çudi si i shikuaka vetëm ai dhe nuk i shohim ne të tjerët? Kështu thoshte edhe monstra Enver në epokën e tij.

\'\'Jemi i vetmi vend në Ballkan, në Evropë, në botë ku ndriçojmë, ku lulëzojmë, ku kemi vetëm rritje ekonomike; jemi i vetmi fanar ndriçues etj.”.

Vini re sa të ngjashme janë frazat e Thaçit me ato të Enverit, sikur kanë bërë të njëjtën shkollë, sikur kanë qenë në të njëjtën klasë e bankë, sikur kanë ndenjur në të njëjtën shtëpi e kanë ngrënë në të njëjtën tavolinë. Siç duket, në të vërtetë kështu ka ndodhur.

Me shumë gjasa të njëjtën shkollë (në periudha të ndryshme) kanë bërë, në të njëjtën shtëpi kanë ndenjur e pirë kafe, në të njëjtën tavolinë kanë ngrënë, pavarësisht se në tavolinën ku ka ngrënë Enveri, Thaçi dekada (gjatë viteve 90\') më pas ka qenë i detyruar të hante nga ato që kanë ngelë vite më parë nga sahani i tij.

Ndaj kanë të njëjtën ideologji, ndaj e shikojnë Diellin njësoj, ku ndriçon vetëm në Kosovë, si dikur në kohën e Enverit që ndriçonte vetëm në Shqipëri! Ndaj, për ata, \'\'ne jemi vendi i parë në rajon\'\', ku me gjasë së shpejti mund të konkurrojmë edhe me Gjermaninë apo SHBA-në.

Në të vërtet po të ishte kështu nuk do të ishte gjysma e rinisë dhe krejt Kosovës në emigracion; nuk do të shkonim më jashtë as ato dhjetëra-mijëra që po ikin me lotari në Amerikë, e po aq të tjerë janë gati të nisën menjëherë larg vendit. Pse nuk vjen bota te ne, por shkojmë ne tek ajo?

Çuditërisht, si ndodh kështu, kur lidershipi thotë të kundërtën!? Vetëm ai sheh ndryshe e ne të tjerët shohim ndryshe.

Ka plot gjashtë vite që na mbush me rrena e gënjeshtra. Ja dhe rasti i fundit nga Raporti i Progresit, apo më mirë Raporti i Regresit, ku flitet zi e më zi për pushtetin në Kosovë. Miliona euro të hedhura poshtë për papërgjegjshmërinë e politikanëve. Këto të gjitha ne i vuajmë; mbi kurrizin tonë bien.

Po si shpjegohet kur për Thaçin ”ne jemi vendi i parë në rajon” e ne ndjehemi të fundit. Gjithë bota na ka për të fundit. Si arritëm në këtë ”mrekulli” me mjeshtërinë e Thaçit e të Ministrisë së Integrimit. Për çfarë e ka këtë Ministri, apo për kukull, siç mbante Gadafi amazonat për ta ruajtur majtas-djathtas!

Në përfundim kemi kaq nxënës të këqij në krye të Kosovës, sa në të gjitha provimet morën “katra”. Dinë të bëjnë jo keq, por shumë keq detyrat e shtëpisë. Të gjithë ne vuajmë e heqim të zezat e ullirit për të nxjerrë ditën e për të ushqyer fëmijët, kurse ata thonë ”jemi fanar ndriçues në Evropë e në botë”!

Sa të pafytyrë, sa të shpëlarë...!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)