Fond i Punësimit, ide shumë e qëlluar
Shkruar nga Ahmet Pllana
Kryeminstri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka lansuar idenë për themelimin e Fondit të Punësimit prej 1.5 miliardë euro. Kjo ide është më se e qëlluar, nëse realizohet.
Të papunët kanë shumë shpresa në këtë Fond, sepse me shpërndarjen e mjeteve nga ky Fond, shumë të papunë do të gjejnë punë dhe do të ndikojë në përmirësimin sado pak të gjendjes sociale të familjeve të tyre. Më në fund u duk drita në fund të tunelit.
Dhe kjo është një shenjë që tregon se po dalim nga tuneli dhe se jemi shumë afër për të dalur. Kriza e varfërisë dhe papunësisë që ka kapluar vendin, është tuneli i gjatë 15 vite, sepse nuk kishte shpresa për punësim të të papunëve.
Të papunët tash janë gëzuar dhe presin që Fond i Punësimit të hap shtigje për punësimin e tyre. Pesëmbdhjetë vite askush nuk ka menduar se si të gjindet një zgjidhje për të papunët.
Tash kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka lansuar idenë, si një projekt për themelimin e Fondit të Punësimit prej 1.5 miliardë euro, i cili fond parasheh të punësojë 200 mijë të papunë.
Nëse kjo shifër realizohet, atëherë do të zbuste papunësinë, deri në shkallën e lakmueshme. Kjo ide është shumë e qëlluar dhe është për tu përshëndetur nga të gjithë.
Si po shihet nga disponimi i qytetarëve, që të gjithë po e përkrahin këtë projekt, madje nuk ka njeri normal i cili do të thoshte se ky projekt nuk është i qëlluar.
Me rëndësi është që të nis dhe të mos mbetet në gjysmë të rrugës, sepse atëherë ky projekt tepër i qëlluar do të ishte i dështuar.
Ndërsa, një projekt i tillë aq shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm për të papunët, nuk do të guxonte të dështonte dhe ti bashkangjitej projekteve të tjera të nisura dhe të dështuara.
Fond i Punësimit dhe i zhvillimit është një projekt madhor, është një projekt kombëtar. Tepër i mirëseardhur dhe tepër i rëndësishëm. Secili qytetar duhet ta përkrah këtë projekt.
Secili qytetar ka obligim moral dhe kombëtar që të mendojë ide të reja për ta mbështetur dhe financuar këtë projekt jashtëzakonisht të qëlluar. Për të parë rëndësinë e këtij projekti, më së miri është që ti shohim shifrat e papunësisë.
Numri i të papunëve në Kosovë, sipas statistikave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), arrin shkallën 30.9 për qind, ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011 nga po e njëjta Agjenci rezulton se 44.9 për qind janë të papunë.
Sipas të dhënave, Kosova është vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon dhe Evropë.
Edhe përkundër statistikave zyrtare, papunësia arrin shkallë më të lartë se sa sipas të dhënave zyrtare, mendojnë përfaqësuesit e punëtorëve, sindikatave dhe organizatave jo qeveritare që merren me hulumtimin e papunësisë.
Përfaqësuesit e punëtorëve mendojnë se papunësia në Kosovë arrin shkallën mbi 45 për qind, pasi që një pjesë e të papunëve nuk regjistrohen fare në zyrat komunale të punësimit.
Pastaj, numrin e të papunëve e shton edhe më tepër numri i punëtorëve që kanë qenë punëtorë nëpër ndërmarrjet e privatizuara dhe pas privatizimit të ndërmarrjeve, punëtorët kanë mbetur pa punë.
Numrit të papunëve për çdo vit i shtohet edhe nga një gjeneratë e tërë, e cila përfundon shkollimin e mesëm dhe është e aftë për punë, që arrin numrin mbi 30 mijë.
Të papunët janë të zhgënjyer, sepse deri më tash është punuar thuaja se fare pak në hapjen e vendeve të punës. Madje, nuk është hartuar ndonjë strategji për punësim dhe nuk ka pas vizion për këtë, se si të hapen vende të reja të punës.
Ata që duhet të punojnë për këtë çështje, shikojnë vetëm interesat e veta, kurse të papunët i vizitojnë vetëm para zgjedhjeve, Përkundër faktit se papunësia në Kosovë mbetet sfidë për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit, në zbutjen e papunësisë, kemi obligim të punojmë të gjithë dhe ta ndjejmë në shpirt se çka don të thotë të jesh i pa punë.
Një i ri një ditë më tha: Nuk kam punë, kam 30 vjet, qe 7 vjet kërkoj punë e nuk gjej, koha për martesë më ka kaluar, nuk kam asnjë euro në xhep, nuk më ka mbetur tjetër asgjë, vetëm...
Fjalët e tij ishin tepër prekëse. Djaloshi ishte tepër i zhgënjyer dhe nuk shihte perspektivë. Një i ri tjetër më tha një ditë. Po të mund të dilja jashtë, më nuk do të...
Edhe njërit, edhe tjetrit u thash se nuk duhet të bëhen aq të zhgënjyer, por duhet të jenë optimist dhe me shpresa, se një ditë do të gjejnë punë.
Aktualisht për të papunët shpresa e vetme është Fond i Punësimit, por kërkohet që të realizohet sa më shpejt dhe mos të vonohet.
Në çdo biznes që shkojnë mjetet nga Fond i Punësimit, të bëhet publike sa të papunë i ka punësuar, sa është paga e tyre dhe sa ka pas ndikim punësimi i tyre në rritjen e biznesit.
Të mirat thonë se vijnë ngadalë, por me rëndësi është të niset diçka në këtë drejtim. Fond i Punësimit po ua kthen shpresat të papunëve, sidomos të rinjve, dhe mendimi për pa perspektivë do të eliminohej. Andaj, ta përkrahim të gjithë Fondin e Punësimit!