25 Dhjetor 2024

Fanatizmi dhe shtetësia e brishtë e Kosovës

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Të thuash se në Kosovë nuk ka fanatizëm të llojeve e ngjyrave të ndryshme, është kosntatim fare i paqëndrueshëm, pasi ai ekziston dhe njëra ndër arsyet e ekzistencës së tij është mbajtja në izolim nga pjesa e tjetër e botës demokratike, zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe një element që ndërlidhet me konceptim sociopsikologjik se si një brez i percepton gjërat nisur nga pikëpamjet bardhë e zi, koncept ky nga ku buron fantazimi politik.

Në Gjermaninë e paraluftës, u krijua një brez i ri i fanatikëve,  i cili vepronte siç i pëlqente, pa vrarë mendjen se veprimet miratohen nga prindërit e tyre.

Edhe në Kosovë ekziston kjo tendencë kur nuk ka dëshirë për ndërlidhje breznore të veprimit.

Ky brez politikanësh tek kundërshtarët politikë sheh brirë e bishta vetëm dhe, në këtë lojë madje kanë treguar aftësi për të rritur vëmendje.

Brezi i tillë që dikur i konsideronim fëmijë të rritur por ca të lazdruar, sot kanë harruar se janë bërë burra e gra që më shumë duhet të kenë përgjegjshmëri për veprimet e deklarimet e tyre publike.

Të vërtetat e pjesshme të tyre i kanë shndërruar në të vërteta absolute, duke i përsëritur ato për shumë vite, pa një reagim shoqëror.
 
Sot, edhe pse me shumë vonesë, ka tendencë për të dhënë kundërpërgjigjen, fanatikët vështirë e pranojnë, pasiqë janë mësuar me të vërtetat vetëm të tyre, tani të shndërruara në ideologji.

Mendimtarët e konsiderojnë se fanatizmi është sëmundje ngjitëse dhe ilaçi i saj është vështirë të gjendet. Konsiderojnë se humori është si përgjigje e duhur për të krijuar një paqe në kundërshti.

Faza e fanatizmit kuptohet se gjendet në vetëdrejtësinë dhe në këtë rrugëtim, mjet të fuqishëm ka banalitetin.

Të dy këto elemente, ne si shoqëri i kemi parë. Pra, edhe vetëdrejtësinë edhe banalitetin në deklarime e veprime.

T’i kritikosh sot për këto veprime, të tillët i kuptojnë si kundërshti ndaj çështjes kombëtare. 

Në librin e tij “Si të kurosh një fanatik”, shkrimtari hebre Amos Oz, përshkruan bukur kohën e Jerusalemit të viteve të 40-ta të mbushur me fanatikë.

Ai simbolikisht vlerëson se luga e çajit karshi katastrofës së zjarrit është më e mirë se arratia në këtë betejë ndaj fanatizmave.

Nëse të gjithë nga një lugë çaji me ujë derdhim në zjarr, gjithsesi është hap më i mirë sesa arratia nga ai.

Konsideroj që politika në Kosovë duhet që nga faktori ndërkombëtar të qartësojë kërkesat për ta përmbyllur fazën e izolimit të vendit si mjet për rritje të fanatikëve.

Faktori ndërkombëtar, ngjashëm sikurse e potencon autori në libër, për këtë rajon duhet ta ketë Planin Marshall të Zhvillimit.

Paqja me fanatikët fitohet shumë më lehtë kur Amerika, Japonia e Europa investojnë në zhvillimin e këtij rajoni.

Shumë më i qëndrueshëm, më i lehtë e edhe më pak i kushtueshëm është ky financim sesa ai që me dhunë të synohet të shërohet fanatizmi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)