Evropë, puno ti se ne pushojmë për ty
Shkruar nga Mirsad Zeka
Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që është më së largu Evropës sa i përket integrimit. Por, kjo nuk i pengon kosovarët të kremtojnë 9 Majin - Ditën e Evropës duke pushuar për dallim prej vendeve të BE-së, të cilat këtë ditë e festojnë duke punuar.
Ndërkohë, sot në Kosovë është ditë pushimi ku kremtohet dita e themelimit të Bashkimit Evropian, Organizatës e cila nuk na njeh si Shtet, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës këtë ditë e ka me Ligj në Festat Zyrtare!
Kjo është ajo Evropa që ndau Trojet Shqiptare, vetëm e vetëm për ti përmbushur apetitet e shteteve fqinje (sllave). Këtë avaz është duke vazhduar edhe sot me veriun e Mitrovicës.
Për Bashkimin Evropian (Evropën Plakë), problemi i Luginës së Preshevës (Kosovës Lindore) është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa për veriun e Kosovës duhet negociuar me Serbinë. Kjo i bie se Lugina është e Serbisë e Veriu i Kosovës është në pazar.
Nuk ka faj Evropa, por politikanët tanë servilë, pranojnë gjithçka vetëm për të mos i humbur karriget e pozitat e tyre. Vlen të përmendet marrëveshja mes Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviç. Pala kosovare pranoi heqjen e fjalës Republikë dhe në vend të saj të vihet Fusnota (*), dhe në shkëmbim të saj nuk mori asgjë.
Merrni shembull Maqedoninë, ka ca vite refuzon anëtarësimin në BE e NATO, sepse nuk pranon ndryshimin e emrit, ndërsa ne pa një pa dy e hoqëm fjalën Republikë edhe pse për të luftuan breza të tërë.
Më ironike ishte fakti kur dje Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi në mënyrë unanime një propozim-vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, që vendi ynë shtetasve të shteteve të BE-së tiu lejohet hyrja në Kosovë vetëm me letërnjoftim, përderisa kosovarët nuk mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Kosova është vendi i vetëm në hartën gjeografike të Evropës ndaj të cilës BE-ja aplikon regjim të vizave, gjë që i detyron, kosovarët që të shpenzojnë me miliona euro për të aplikuar për viza.
Një studim i bërë nga Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politika. Gjatë tri vjetëve të fundit mbi 217 mijë kosovarë kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa për viza në ambasadat të ndryshme, të akredituara në Kosovë.
Po çka nëse atë ditë që ne Shqiptarët hyjmë në Bashkimin Evropian shpërbëhet kjo Organizatë edhe ashtu e dështuar...?!