22 Dhjetor 2024

Euro e shkatërruar

Shkruar nga Joachim Starbatty
 

The New York Times

Bashkimi Monetar Europian, baza e euros, filloi me një iluzion të madh. Në njërën anë qenë vendet si Austria, Finlanda, Gjermania dhe Holanda, monedhat e të cilëve ishin vlerësuar vazhdimisht, qoftë brenda Europës ashtu edhe në treg ndërkombëtar; në anën tjetër qenë: Belgjika, Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja, të cilët kishin monedha që zhvlerësoheshin vazhdimisht. Megjithatë, bashkimi u krijua si një këmishë ku e njëjta masë duhej t’u përshtatej të gjithëve.

Për pasojë, disa vende përdorën llogari me fantazi për të plotësuar kushtet fiskale për hyrjen në Euro, ndërkohë që Greqia shkoi deri aty sa falsifikoi të dhënat për borxhin dhe deficitin. Gjermania dhe “euro-optimistët” e tjerë shpresuan se monedha e përbashkët dhe aftësia për të konkurruar në treg ndërkombëtar, do të sillnin me shpejtësi zhvillim ekonomik dhe modernizim në të gjithë kontinentin.

Por e kundërta ndodhi. Në vend që t’i hidhte vendet e prapambetura tek e ardhmja, interesat e ulëta të Bankës Qendrore Europiane i nxitën qeveritë dhe konsumatorët, veçanërisht në pjesën jugore të kontinentit, të konsumonin me tepri dhe të zbatonin politika buxhetore të ekzagjeruara.

Kriza greke mund të jetë vetëm e para në atë që mund të pasohet në tërmete të tjera të krijuara nga mëkati fillestar i Euros. Megjithëse janë të paktë ata që arrijnë ta thonë, zgjidhja është e qartë: mënyra e vetme për të shmangur dëme të mëtejshme për ekonominë botërore është që Gjermania të udhëheqë shokët e vet me stabilitet jashtë euros dhe të krijojë një bllok monetar më të fortë. Koncepti i një zone ekonomike të përbashkët të euros është fals.

Ndryshe nga fqinjët e vet veriorë, vendet e gjysmës jugore të bllokut po hasin vështirësi në shitjen e bondeve që emetohen për të mbuluar deficitet e tyre kombëtare me kapital nga investitorët ndërkombëtarë. Këto vende nuk janë konkurrentë në ekonominë botërore, gjë që duket nga deficitet e tyre të larta tregtare. Këto probleme thjesht sa janë përkeqësuar nga anëtarësimi në euro. Nëse Greqia do të qe jashtë Eurozonës, për shembull, ajo mund ta zhvlerësonte monedhën e vet për ta bërë veten më konkurruese, ndërsa borxhet e saj të jashtme do të rinegocioheshin në një konferencë ndërkombëtare.

Në vend të saj, kufizimet fiskale të Eurozonës po e detyrojnë këtë vend të shkurtojë shpenzimet publike, të rrisë taksat dhe të ulë pagat e të punësuarve në shtet, aksione që mund ta dërgojnë Greqinë në një depresion të thellë, gjë që rrezikon gjithashtu të rrënojë më tej imazhin e saj përballë kreditorëve.

Alternativa kundrejt këtij kolapsi, pra që vendet e tjera anëtare të Eurozonës të marrin përsipër pagesat e borxhit të Greqisë, nuk është më e mirë. Një masë e tillë mund t’i dërgojë mesazh të gabuar vendeve të tjera debitore, të cilat mund të braktisin pas kësaj përpjekjet për të korrigjuar veten. Në këtë mënyrë edhe vendet e stabilizuara mund të rrënohen.
Shkurt, euro është e sigurt se do të rrëzohet.

Pavarësisht ndalimit të shpëtimit nga falimenti brenda bashkimit monetar, javën e kaluar vendet anëtare të euros ranë dakord që t’i japin Greqisë ndihmë financiare në rast se një zgjidhje më e mirë nuk gjendet brenda muajve të ardhshëm. Ky plan jo vetëm që minon justifikimin thelbësor të euros – disiplinën fiskale në kontinent – por, sipas një vendimi të vitit 1993 të Gjykatës Federale të Gjermanisë, kjo marrëveshje ndoshta shkel traktatin e bashkimit monetar e për pasojë mund t’u japë mundësi vendeve të tjera të dalin nga euro.

Nëse Gjermania e kap këtë mundësi dhe del nga euro, ajo nuk do të jetë e vetme. Të njëjtat llogari mund të joshin Austrinë, Finlandën dhe Holandën e ndoshta edhe Francën, që t’i lënë pas vendet me borxhe të larta. Pas kësaj këto vende mund të krijojnë një bllok të ri më të qëndrueshëm, ndoshta me një monedhë të re të përbashkët. Kjo mund të rezultojë më pak e dhimbshme nga sa duket: Eurozona është sakaq e ndarë mes këtyre dy grupeve dhe iluzioni që këto grupe janë të bashkuara ka shkaktuar komplikime të jashtëzakonshme ekonomike.

Një bllok i fortë monetar mund të plotësojë qëllimin fillestar të euros. Pa u shqetësuar më për vendet e prapambetura, ky bllok mund të jetë në gjendje të ndjekë një politikë të besueshme monetare dhe mund t’i detyrojë vendet anëtare të reduktojnë borxhet kombëtare. E gjithë ekonomia europiane mund të zhvillohet. Dhe Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë një aleat në rast se në të ardhmen do të bëhet një riorganizim i sistemit monetar ndërkombëtar.

Për më tepër, në rast se Shtetet e Bashkuara nuk ia dalin të krijojnë një strategji të besueshme për të ulur borxhin e vet publik dhe për të lëvizur nga politika e interesit zero, euro e re dhe e fuqishme mund të zëvendësojë dollarin si monedhë e sigurt në tregun botëror. Kjo nuk do t’i interesojë domosdoshmërisht të gjithëve.

Megjithëse Europa mund të dalë e fituar në terma afatgjatë, një largim nga dollari mund të shkaktojë destabilitet ekonomik botëror që mund të dëmtojë kredidhënësit dhe kredimarrësit njëkohësisht. Por duke parë se Shtetet e Bashkuara as që po i afrohen punës për reduktimin e borxhit, mundësia e një rënieje katastrofike në besimin te dollari nuk mund të injorohet.

Më mirë, së paku, nëse kemi një monedhë të qëndrueshme ku investitorët botërore mund të strehohen. Në gjendjen e saj aktuale, euro nuk mund të jetë kjo monedhë, por një euro e qëndrueshme dhe e rivitalizuar mundet.

* Autori është profesor emeritus i ekonomiksit në Universitetin Tübingen në Gjermani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)