22 Dhjetor 2024

Elitat që nuk kanë respekt as për nervat e qytetarëve

Shkruar nga Milazim Krasniqi

Elitat politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, po vuajnë si nga një lëngatë kronike, nga mosgjeturia në proceset zgjedhore, edhe pse kanë kaluar njëzet vjet nga proklamimi i pluralizmit politik në këto vende.

Fjala mosgjeturi në këtë kontekst është një eufemizëm, për ta zëvendësuar ndonjë fjalë, e cila sado që do të tingëllonte e rëndë, as ajo nuk do ta shprehte plotësisht karakterin e mbrashtë të këtyre elitave të hazdisura në papërgjegjësitë e tyre.

Vërtetim për këtë pohim, gjejmë ngado që të shohim proceset zgjedhore, që kanë të bëjnë me participimin e këtyre elitave. Më i freskëti gjithsesi është procesi zgjedhor për pushtetin vendor në Shqipëri e me theks të veçantë në garën për bashkinë e Tiranës.

Edhe po të lëmë krejt mënjanë tonet që e karakterizuan fushatën, do të na mbetet para hundësh si një pikëpyetje kërcënuese çështja e numërimit të votave në disa nga njësitë zgjedhore të bashkisë së Tiranës. Pamja është shumë e dhimbshme edhe për një demokraci shumë të brishtë, e jo një demokraci që mbush njëzet vjet.

Komisionerë të dirigjuar me celularë nga deputetë e nga funksionarë të lartë të partive, se kur duhet të numërojnë votat e kur duhet të lënë punën, zyrtarë të lartë të hakërryer që shpërndajnë në drejtim të bashkëqytetarëve e bashkëkombasve urrejtje si të ishin bonbone, e kanë bërë procesin zgjedhor si një leckë të shqyer në shumë  vende, aq sa t’i humb pamja e vërtetë. Dhe mbi të gjitha, ambasadorë të brengosur më shumë se vetë drejtuesit e shtetit, që rrinë gjithë natën zgjuar në vendvotime, për të parandaluar dhunën, për të evituar kaosin. 

Edhe pa e përshkruar në detaje këtë gjendje në të cilin shteti dridhet në ankth se mos po rrëshqet drejt kaosit, një pyetje shtrohet me forcë: pse u dashka gjithë ky angazhim i cili është joproporcional me vlerën që ka pushteti vendor?

Kushdo që të zgjidhet kryebashkiak i Tiranës, do të duhet të menaxhojë plehërat e rrugëve, ujërat e zeza, furnizimin me ujë dhe një sërë aktivitetesh të tjera komunale, të cilat me asgjë nuk kanë mbi vete konotacion politik.

Përgjigja e vetme e vërtetë në këtë pyetje është se këto elita janë në planin moral po edhe në atë politik, joproporcionale me pozitat që kanë marrë, të cilat shumica e bartësve i kanë të pamerituara.

Nuk ka si shpjegohet ndryshe angazhimi shkumbëzues i ndonjë deputeti që çartet, duke ftuar për dhunë, veçse si fakt se ata njerëz janë në pozita të gabuara dhe të pamerituara.

Deputetët nuk janë zgjdhur që të menaxhojnë  proceset e numërimit të votove në zgjedhje lokale, po janë zgjedhur që të bëjnë hartojnë e të miratojnë ligje të mira për vendin, të përhapin kulturën demokratike me fjalë të matura e me vendime të zgjuara dhe të përfaqësojnë e të mbrojnë interesat e shtetit.

Deputetët e vërtetë, ata që e meritojnë të jenë deputetë të një shteti, nuk janë militantë partish në zgjedhje komunale, po janë krijues të hapësirave ligjore e të klimës politike që ato të jenë të lira e të drejta.  Pse janë të këtillë këta deputetë e këta zyrtarë të lartë të shtetit? 

Të tillë janë sepse elita e krijuar pas rënies së komunizmit, është përftuar nga stofi i njëjtë dhe nga mendësia e njëjtë e bartësve të sistemit totalitar. Kjo shihet më së miri në prirjen që kundërshtari politik, pra tjetri, të urrehet si armik dhe mundësisht të  trajtohet si armik.

Me këtë prirje, regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe kompanionëve të tij, ka vrarë e ka shkatërruar me mijëra kundërshtarë politikë, duke e shndërruar Shqipërinë në një shkretërirë politike, intelektuale, ftare e kombëtare.

Vrasja e deputetëve, e intelektualëve, e biznismenëve, e drejtuesve fetarë, e prijësave lokalë, e shtrirë në një kohë gati gjysmë shekullore, e  ka shkatërruar traditën e tolerancës e të respektit për mendimin ndryshe, që ka qenë njëra nga vlerat më sublime të shqiptarëve ndër shekuj.

Në këtë mes, veçmas ndalimi i besimeve fetare për një kohë, i ka bërë më agresive elitat politike e intelektuale që janë produkt i asaj kohe e i asaj fryem ateiste, i ka bërë që të jenë më pak tolerante dhe me më pak dhembsuri për njeriun në nevojë dhe për tjetrin në përgjithësi.

Elitat e sotme politike, të çliruara nga barra e përgjegjëssië para Zotit dhe nga ana tjetër, duke e pasur në dorë fuqinë e pushtetit, janë bërë sinonim i arrogancës dhe i abuzimit me gjithçka, duke filluar nga abuzimi me fjalët.

Pasardhësit e “klasave” përkatësisht grupeve të deklasuara nga regjimi komunist, për këto njëzet vjet nuk e morën veten dhe nuk po duket askund në horizonte ndonjë gjasë që ajo të ndodhë as në të ardhmen. Ka një shkëputje tragjike brezash, me një brez që ka mbetur i pashkolluar, i varfëruar dhe i ekskomunikuar.

Këtij grupimi të shkatërruar social, intelektual e fetar, as pas njëzet vjetëve të rënies formale të regjimit totalitar, nuk i janë  kthyer as pronat e ligjshme. Prandaj, ata nuk kanë pasur dhe duket se nuk do të kenë fare mundësi që të participojnë në formësimin e elitave të reja, me çka do të mund të ndikonin në frenimin e harbimit politik që po zgjatë tragjikisht shumë.

Harbimit politik? Ky kualifikim është shumë i saktë, ngase kur shihet sjellja e kulturuar e qytetarëve në vendvotime, qetësia dhe durimi i tyre, përkundër terrorit psikologjik, politik e mediatik që ushtrohet mbi ta, kuptohet se vlerat e tyre nuk janë në përputhshmëri me antivlerat e disave prej përfaqësuesve politikë. Në fakt, këta janë përfaqësues të tyre me pahir, meqë e kanë uzurpuar tregun e politikës dhe aty nuk ka të tjerë. Pra, jo pse qytetarët janë si ata, jo pse qytetarët janë të kënaqur prej punës së tyre, po pse qytetarët thjesht nuk kanë asnjë alternativë tjetër serioze. Janë peng kësaj elite arrogante dhe abuzive.

Pavarësisht se kush do të jetë kryebashkiaku i Tiranës (në kohën kur po shkruhet ky tekst kjo ende nuk dihet, ndonëse ka kaluar plot një javë nga dita e votimit), qytetarët e kryeqytetit shqiptar kanë arsye të ndihen të fyer e të dhunuar nga gjithë ajo arrogancë e politikanëve, që e përshkoi numërimin e votave të tyre.

Ata mund ta ndiejnë si drejtues legjitim kryebashkiakun e ri, por jo edhe procesin përmes të cilit ai do të promovohet. Nuk është këtu fjala për diferencën e vogël të votave ndërmjet dy kandidatëve,  po së paku për mungesën e respektti të kësaj elite politike ndaj nervave të qytetarëve, të dërrmuara me gjuhë të ashpër e me lojëra të papastra e të tejzgjatura politikaneske.    
  
Por, kjo kështu do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, jo vetëm në Shqipëri po edhe në Kosovë, ku në zgjedhjet parlamentare të dhjetori 2010, pati manippulime të rënda në disa qendra , gjë që tashmë kanë lënë një shije të hidhur,  po edhe në Maqedoni, ku pikërisht sot është hapur fushata për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit.

Vetë fakti që në këto zgjedhje garojnë shtatë subjekte politike shqiptare, të ndara e të konfrontuar deri në armiqësi, flet për prejardhjen dhe për natyrën pothuajse të njëjtë të kësaj elite me atë të shtetit të vet amë. Edhe pa bërë fare parashikime, është e pritshme që do të ketë mosgjeturi të theksuar te partitë shqiptare që garojnë për parlamentin republikan të Maqedonisë, të cilat do të harxhojnë energjinë në kontestime të ndërsjella, duke u lënë hapësirë të plotë manovrimi e veprimi partive nacionaliste maqedonase.

Por, kështu do të vazhdojë ky tregim edhe për një kohë të gjatë, meqë përmbysja e tmerrshme revolucionare/totalitare e ka gjymtuar rëndë kombin tonë, duke e lënë edhe pa frymën dhe pa moralin e atyre elitave autentike që e patën formuar kombin e shtetin shqiptar, jo vetëm me dijen e guximin e vet, po edhe me pasuritë e veta. Ndërsa, sot janë në skenë përfaqësues të hakërryer, që janë në gjendje të djegin për një plesht tërë jorganin.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)