Ekonomia e Kosovës dhe Lufta për vende të reja të punës
Shkruar nga Mr. Lulzim Beqiri
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë motorët e krijimit të vendeve te reja të punës, janë forcë lëvizëse drejt prosperitetit ekonomik, janë shpresa më e madhe e të rinjve tanë pasi, siç dihet, NVM- të punësojnë numrin më të madh të të rinjve në Kosovën tonë të dashur.
Edhe në vendin tonë, si në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian, funksionimi i NVM-ve luan rol të rëndësishëm në skemën e përgjithshme të zhvillimit ekonomik. NVM-të përbëjnë rreth 65% të vendeve të punës në Republikën e Kosovës.
Roli i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme vërehet përmes ndikimit dhe kontributit të tyre në punësim dhe në rritjen e bruto produktit vendor (GDP).
Në kuptimin e zhvillimit të NVM-ve në Kosovë, janë identifikuar një mori përparësish të ndryshme.
Pjesa dërrmuese e këtyre fuqive kanë të bëjnë me rritjen e vazhdueshme të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), kostos së ulët të fuqisë punëtore të shkolluar dhe me moshë të re, miratimin e Aktit për Biznese të Vogla (ABV) si dhe rritjen e shkallës së harmonizimit të politikave kosovare për NVM-të me NVM-të e Bashkimit Evropian (BE).
Dobësitë janë mungesa apo deficite substanciale të cilat e pengojnë rritjen, zhvillimin dhe mbijetesën e NVM-ve. Janë identifikuar një numër dobësish të ndryshme dhe më kryesoret prej tyre janë mungesa e një kornize të qartë strategjike për zhvillimin e mëtejshëm të NVM-ve si dhe korniza e pafavorshme legjislative për fillimin e bizneseve të reja siç është vënë re edhe në raportin e BB-së ( Bankës Botërore) për zhvillimin e biznesi.
Në Bashkimin Evropian të zgjeruar me 27 shtete, 23 milionë NVM sigurojnë rreth 75 milionë vende pune. NVM-të në BE janë gjeneratorë të produkteve dhe teknologjive të reja. Ato janë burime të ideve të reja, dhe strategjive të avancuara të menaxhimit.
Punëtorët, duke pasur mundësi pjesëmarrjeje në vendimmarrje, motivimin e duhur dhe duke punuar në një ambient pa mikro menaxhment krijojnë dy herë më shumë inovacione sesa të punësuarit në kompani te mëdha. Shumica e NVM-ve janë nënkontraktorë të kompanive të mëdha, çka iu mundëson atyre të jenë më konkurrentë në treg.
Në Republikën e Kosovës numri i banorëve sillet rreth 2 milion, popullsia aktive është rreth 1.200.000, për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30.000 punëkërkues, ndërsa mesatarisht arrijnë të punësohen përafërsisht 6.000 punëtorë.
Shumica dominonte e bizneseve të regjistruara janë mikro-ndërmarrje (1 - 9 punëtorë), po ashtu edhe numri më i madh i të punësuarve është në këtë kategori të ndërmarrjeve, ku sipas numrit të punëtoreve të regjistruar në ARBK në këtë kategori janë 171393 punëtorë apo 62.9%.
Republika e Kosovës në ndërmarrje të vogla ka të punësuar 23380 punëtorë apo 8.73 %, në ndërmarrje të mesme janë të punësuar 22026 punëtorë apo 8.58 %, që do të thotë se vetëm në që, shprehur në përqindje, përbëjnë 79.59 %.
Në ndërmarrje të mëdha (mbi 250 punëtorë) është një karakteristikë e veçantë, vlen të ceket se këtu janë të regjistruara edhe ndërmarrjet shoqërore dhe publike (KEK, PTK etj.) dhe me gjithë këtë në ndërmarrje të mëdha janë të punësuar 55658 punëtorë apo 20.42% e të punësuarve në bizneset e regjistruara.
Duke pas parasysh se në institucionet publike janë të punësuar 75 886 punëtorë, del se Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme bëjnë pjesë me 62.24% në totalin e të punësuarve në Kosovë. Pas vitit 1999, hapja e Ndërmarrjeve dhe regjistrimi i tyre u zhvillua me një hov të madh, ku deri në fund të vitit 2000 numri i bizneseve të regjistruara arriti në 29564, dhe ai numër u rrit vazhdimisht në mbi 103755 ndërmarrje.
Ekonomia e Kosovës që nga viti 1999 ka qenë kryesisht e shtyrë nga ndihma ndërkombëtare, sektori publik dhe remitancat ( B.B, 2010).
Roli i sektorit privat, e posaçërisht i NVM-ve ka qenë relativisht i dobët. Pavarësisht kësaj, Kosova është ende në fazën e tranzicionit ku ndërmarrësja dhe krijimi i bizneseve të vogla pritet të luaj rol thelbësor në rrugën drejt një ekonomie moderne të tregut të lirë dhe si rrjedhim edhe drejt zhvillimit dhe rritjes ekonomike.
Kosova vuan nga mos bilanci i pagesave ku importet dominojnë dukshëm eksportet. Kjo është kryesisht për shkak të faktit që NVM-të e Kosovës nuk janë konkurrente në nivel ndërkombëtar. NVM-të eksportuese tё dobëta, pengojnë kontributin e mëtutjeshëm të NVM-ve në BPV (Bruto
Produktin Vendor), krijim të vendeve të punës dhe në rritje ekonomike. Eksportet dominohen nga metalet dhe mineralet bazë të prodhuara nga kompanitë e mëdha. Për shkak të mjedisit jo të favorshëm për biznes dhe në mungesë të kulturës kreative tё ndërmarrësisë, Kosova ka mungesë të firmave inovative me rritje të shpejtë, të cilat janë kontribuuesit kryesorë në krijimin e vendeve të punës në ekonomitë e zhvilluara perëndimore.
Mbi 50% e të gjitha NVM-ve operojnë në sektorin tregtar që karakterizohet me investime të vogla dhe joproduktive (Strategjia e zhvillimit të NVM-ve në Kosovë 2012-2016).
Ky model i pasuar me qasjen kopjuese edhe unë të bizneseve të reja, kufizon kapacitetin e sektorit të NVM-ve për gjenerimin e vendeve të punës.
Ngjarje me rëndësi në internacionalizimin e NVM-ve kosovare janë : përqafimi i parimeve themelore të Aktit Evropian për Biznese të vogla të cilat parime do të mundësojnë integrimin më të lehtë të NVM-ve kosovare në Tregun e gjerë Evropian si dhe kontributi kosovar në iniciativën për themelimin e Qendrës së Evropës Jug-Lindore për ndërmarrësi me seli në Zagreb, e cila do të mundëson forma të integruara të zhvillimit të ndërmarrësisë.
NVM-të kosovare duhet ti zbulojnë përparësitë e zhvillimit të formave të reja të ndërmarrjeve dhe të bashkimit të kapitaleve, gjë e cila do tua rrisë përparësitë konkurruese në tregjet rajonale e më gjerë.
Pa dyshim, ndër përparësitë kryesore për NVM-të, në Kosovë do të ishte dhe krijimi i kontakteve të afërta me konsumatorët, duke pasur parasysh tregun e vogël dhe kulturën tonë për biznes.
Vështirësitë që kanë produktet kosovare për të depërtuar në treg, tregojnë më së miri nevojën e domosdoshme që kanë NVM-të kosovare për reforma në menaxhim e marketing dhe për një sistem më të decentralizuar të vendimmarrjes.
Ato kanë nevojë për një shtrirje më të madhe regjionale, e këtë duhet ta përcjellë edhe ngritja e nivelit të edukimit dhe trajnimeve. Për më tepër, duhet të punohet shumë në rritjen e pje-sëmarrjes së produkteve kosovare në tregjet e shteteve fqinje dhe padyshim në tregjet e shte-teve të tjera të BE-së.
Për shkak të nivelit relativisht të ulët të integrimit të Kosovës në ekonominë globale dhe politikave të dobëta fiskale, ekonomia e saj ka qenë dukshëm e mbrojtur nga kriza ekonomike globale. Ekonomia është rritur në vitin 2009 dhe ka vazhduar rritjen në vitin 2010.
Rritja ekonomike më të madhe ka qenë e shtyrë nga shpenzimet qeveritare, ndërsa bilanci tregtar i jashtëm ka mbetur i lartë (Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën për vitin 2010). Bazuar në raportet e Bankës Botërore, një pjesë e madhe e progresit ekonomik të kohëve të fundit ka qenë i bazuar në ndihmën e donatorëve dhe remitencat, të cilat nuk mund të jenë bazë për strategji të qëndrueshme ekonomike.
Varfëria mbetet problem në Kosovë. Bazuar në raportet e UNDP-së, niveli i papunësisë në Kosovë është rreth 43% kur 34% e njerëzve jetojnë në varfëri me më pak se 1,41 euro në ditë. Tetëmbëdhjetë për qind jetojnë në varfëri të skajshme me më pak se 94 euro cent në ditë.
Numri i hyrjeve të reja në tregun e punës është shumë i lartë në krahasim me vendet në rajon. Vlerësohet se numri i të rinjve që hyjnë çdo vit në tregun e punës është i tillë që kërkohet së paku një rritje reale ekonomike prej 7.0% vetëm për të filluar absorbimi i këtyre hyrjeve të reja dhe për të kontribuar në uljen e numrit të madh ekzistues të të papunëve.
Sipas Raportit të Progresit të KE-së për Kosovën për vitin 2010, përkundër rritjes ekonomike, ekonomia nuk është duke krijuar vende të mjaftueshme të punës për absorbimin e hyrjeve të reja dhe për të ulur presionin ndaj tregut të punës.
Pasi që një numër i madh i vendeve të reja të punës do të krijohen nga NVM-të, përmes krijimit të NVM-ve të reja dhe rritjes së atyre ekzistuese atëherë implementimi i suksesshëm i strategjisë për NVM- të do të jetë kontribuuesi kryesor për rritjen ekonomike në Kosovë (Raporti i progresit për Kosovën).
Kosova ka popullatën më të re në Evropë. Më shumë se 70 për qind e popullsisë së Kosovës është nën moshën 35 vjeçare dhe nëse investimet dhe reformat ofrojnë trajnime dhe mundësi adekuate, ata mund të jenë shtytësit e zhvillimit ekonomik dhe politik të Kosovës.