27 Dhjetor 2024

Edhe një përurim shembull

Shkruar nga Gani Qarri

Ishte i vetëm por i vendosur ndaj edhe nuk tregoj dobësi para vështirësive!

Sot, të luftosh për të vërtetën nuk është e thjeshtë as e lehtë, megjithëse siç do ta dëshmojë edhe rasti i autorit, kjo është një betejë që ia vlen të bëhet ngase mban pastërtinë e ndërgjegjes të gjallë te njeriu.

Megjithatë, kjo nuk është punë që mund ta bëj secili, por ja që me angazhimin dhe mundin e tij, krijuesi i mirënjohur i mërgatës shqiptare në Zvicër,  Shefqet Dibrani pas shumë përpjekjesh të gjata dhe titanike, më në fund ia arriti ta realizoj këtë me sukses .

Ndaj edhe të shtunën në mbrëmje më 7 qershor të vitit 2014,“QENDRA SHQIPTARE PËR KULTURË DHE INTEGRIM” me seli në Kreuzlingen të Zvicrës, mbajti me pietet dhe organizim të mirëfilltë, promovimin e radhës kushtuar monografisë së këtij krijuesit të mirënjohur, “SFIDË PËR DEMOKRACINË I dhe II”:

Tubimin përurues megjithëse u mbajt pas një seri promovimesh tjera, si në Cyrih, Prishtinë, Gjakovë, Bujanoc, St. Gallen e Zofingen, QSHKI në Kreuzlingen kishte përgatitur një atmosferë të harmonishme pritjeje dhe një përqasje të veçantë përuruese, ku nuk munguan nuanca të këndshme kulturore, kënge e valle dhe një hare magjepse.

Librin “SFIDË PËR DEMOKRACINË I dhe II”,Shefqet Dibrani,kryesisht ia kushton veprimtarisë së LDK-së në Zvicër, e cila nuk kufizohet vetëm në vitet 1993 – 1997,sa ishte kryetar Protagonisti Hajdar Sadrija, përkundrazi, autori përshkrimet e tij i shtrinë që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta dhe i përfundon me një konferencë të mbajtur në vitin 2013 në St. Gallen të Zvicrës.

Tubimin e hapi veprimtari i njohur z. Tomë Berisha i cili që në fillim të këtij eveniment kulturor  në emrin e tij dhe të QSHKI në Kreuzlingen, përshëndeti të pranishmit, udhëheqësit e promovimit, Prof. Sallah Januzi, kryetar i Nëndegës së LDK-së në St. Gallen, kryesinë e kësaj nëndege e cila ishte e pranishme në tubim, publicistin dhe autorin e disa librave,z.Gani Qarri, si dhe veprimtarët Qamil Çekaj, Gjokë M. Gjoka e të tjerë.

Një përshëndetje e veçantë iu bë kameramanit të mirënjohur Shaban Bajrami, për të cilin ai u shpreh se “ për këto 24 vjet si askush tjetër me kamerën e tij, ka përcjellë dhe regjistruar gjithë veprimtarinë e Shefqet Dibranit,duke i mbajtur gjallë dhe bërë të pavdekshme punën dhe krijimtarinë e tij, siç e bëjnë edhe librat që ka botuar ky autor”.

Nderime të veçanta u shprehën sidomos ndaj oficerëve të karrierës, si Islam Sadiki e Shpend Shala, të cilët janë miq të ngushtë të z. Dibrani, si dhe një përshëndetje për këngëtarin nga Kosova Lindore z. Hekuran Rexhepi, që bashkë me bashkëshorten, kishte ardhur enkas për të nderuar autorin dhe QSHKI në Kreuzlingen, nga qyteti Flumsit!

Përshëndetjet nuk munguan as për kryesinë e kësaj Qendre Kulturore, e veçmas për z. Rrustem Selca, për të cilin u tha se ka bërë shumë për aktivitetet e shqiptarëve në këtë regjion. Kurse në shenj miradije për aktivitetin dhe punën e tyre sublime, një përshëndetje e ngrohtë iu bë protagonistit Hajdar Sadria dhe autorit të monografisë z. Shefqet Dibrani.

Në vazhdim u tha se autori Shefqet Dibrani, me librat e tij ka bërë shumë për vete, për LDK-n, dhe komunitetin tonë në këtë Vend Helvetik, ndaj monografia “SFIDË PËR DEMOKRACINË”,e cila i kushtohet ish kryetarit të saj z. Hajdar Sadrija, është një libër që e nderon Degën e LDK-së, veprimtarët e saj  dhe gjithë aktivistët e këtij subjekti politik në Zvicër.

Periudha në të cilën Hajdar Sadrija ishte kryetar, përshkruhet si një kohë kur mërgimtarët u mobilizuan më tepër se kurrë më parë, rreth një qëllimi. Poashtu edhe libri përmban shumë dokumente origjinale, fotografi dhe shënime të tjera, nga ato vite të cilat ia rrisin vlerën aktivitetit të atëhershëm politik dhe kombëtar. Ndaj, autori assesi nuk do të harronte, që ta falënderoi përzemërsisht edhe Zvicrën, si vend ku u zhvilluan gjithë këto aktivitete si dhe veprimtarët e shumtë me të cilët ka punuar ai vet dhe protagonisti i veprës z. Hajdar Sadrija, të cilëve edhe një herë iu urua mirëseardhje.

Kurse, prof. Sallah Januzi tha: “Shefqet Dibrani është autor i 16- veprave të botuara gjerë më tani, por e veçanta e tij është se, ai ishte dhe mbeti gjithmonë një militant i devotshëm i rrugës dhe veprës rugoviane.

Nëse shfletohen me kujdes shkrimet dhe analizat e tij që nga vitet e nëntëdhjeta e gjerë më sot, do të shohim një qëndrim të pa luhatur, ku shpeshherë ai „rebelohej“ dhe kurrë nuk pajtohej me padrejtësitë që i bëheshin veprimtarëve të mirëfilltë të çështjes kombëtare dhe aktivistëve të LDK-së në përgjithësi. 

Pra, edhe atëherë, kur shumëkush nuk guxonte ta çelte gojën, e jo më të shkruante, ai i kundërvihej këtyre fenomeneve në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, me një përkushtim të rrallë dhe me një këmbëngulësi të pa shoqe. Kështu ai e  përmbushi me sukses misionin e tij, edhe  përkundër faktit se përpara tij paraqiteshin rreziqe të paparashikueshme, rreziqe këto  të cilat ai asnjëherë nuk i kishte menduar, pasi në bindjen e tij ekzistonte besimi se njeriu i cili punon dhe vepron për të mirën e kauzës kombëtare kurrë nuk do të përballet me gjëra  të tilla me bashkëkombësit e tij”.

Ndërsa publicisti dhe autori i disa librave z. Gani Qarri, në mes tjerash theksoi;

Në veprat e Shefqet Dibranit parashtrohet denjësisht veprimtaria e pasur politike dhe kulturore e mërgimtarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të denjë të LDK-së, një partie atëherë avangardë, me të cilën për afro dy dekada u identifikua pothuajse çdo shqiptar, nga të gjitha trojet tona etnike në Diasporë.

Ngjarje dhe vite të veçanta në historikun e veprimtarisë kombëtare e politike, të shqiptarëve në Zvicër, të cilat në shpirtin e mërgimtarit, peshojnë më tepër se çdo ëndërr tjetër në botë.

Parë edhe nga këndi i patriotizmit, ato ishin vitet më të shenjta, kur shqiptari nuk vinte asgjë para mbijetesës së kombit dhe lirisë së atdheut, çlirimin e të cilit ëndërronte ndër vite, anipse i gjendur me shpresa të shkëputura, para urës së shkatërruar e të ndarë pjesë, pjesë nga largësitë e mëdha me atdheun dhe kufijtë e hekurt të armikut, vënë përdhunshëm mbi të.

Kështu që, zia e pushtimit shekullor në trojet tona etnike, ende mbetet e pashlyer në kujtesën e shumëvuajtur të secilit mërgimtar.

Kohë gjatë së cilës mbi të gjitha zotëroi arsyeja, veprimi kombëtar, dhe një harmoni shembullore për atdhedashje, pa asnjë opozitet kundërshtimi keqdashës, deri në momentin kur në mes u futën sherrxhinjtë dhe prishës të paqes ndërmjet shqiptarëve.

Ndaj, unë ftoj të gjithë bashkëkombësit kudo dhe autorin si një nga veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare që tu themi jo tendencave për ringjalljen e grupimeve politike, të cilat para bashkimit ofrojnë përçarje.

E, në vend të tyre, propozoj bashkim rreth një Lobi Kombëtar si shembulli më sublim për ti dal zot unik dhe me mundësi të bashkuara popullit e atdheut sa herë që ata të kenë nevojë për ne dhe ndihmën tonë.

Pastaj, pjesë nga libri lexoi veprimtari Qamil Çekaj, kurse me diskutimet e tyre kontribuuan Islam Sadiki, Agron Berisha, Shpend Shala e të tjerë. Pas kësaj rapsodi Hekuran Rexhepi, me këngën kushtuar dr. Rugovës krijoi një atmosferë shpërthyese, malli, krenarie dhe gëzimi, e cila u përcoll nga të pranishmit me duartrokitje të gjata.

Në fjalën e tij përshëndetëse edhe z. Hajdar Sadrija, falënderoj QSHKI, në Kreuzlingen dhe të pranishmit në tubim, pastaj evokoi disa kujtime nga e kaluara e tij, dhe ngjarje interesante nga koha e përgatitjes së librit me autorin, të cilin e falënderoi edhe një herë shumë. Pastaj fjalën e mori autori Shefqet Dibrani me ç `rast lexoi edhe një fragment nga libri si dhe falënderoi të pranishmit dhe QSHKI në Kreuzlingen për këtë organizim kaq të mirë.

Kështu autori Shefqet Dibrani edhe e përmbylli edicionin e promovimeve të tija të cilat vetëm në këtë pjesë të vitit u mbajtën në mese 7 vende të ndryshme në relacionin Zvicër Kosovë,duke filluar që nga Cyrihu, Prishtina, Gjakova, Bujanoci, St.Galleni, Zofingeni, e deri te ky i fundit në Kreuzlingen, pa i llogaritur promovimet e tjera në të cilat Shefqet Dibrani vazhdimisht është paraqitur me fjalën e tij kritike rreth librave, autor që dita ditës po bëhet më i dashur dhe mirëpritur ndër bashkatdhetarët e komunitetit tonë në Zvicër, Kosovë dhe gjithandej ku ka shqiptar.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)