Edhe një herë për Kadarenë
Shkruar nga Gani Qarri
Kryeqyteti Suedez,vlerësohet për zhvillimin modern dhe historinë e lashtë,trashëgimin e veçantë arkitektonike dhe kulturore,i cili mbetet gjithnjë e më i preferuar edhe për arritjet më të reja ndërkombëtare.
Në peshoren precize të këtij kryeqyteti skandinav, maten dhe vlerësohen sukseset kulmore më të fundit dhe më të mëdhatë e të gjitha natyrave,që nga arritjet shkencore deri te ato filozofike dhe letrare.
Stokholmi edhe për një herë më tepër, këtë vit nderohet nga penat më të shquara ndërkombëtare,që konkurrojnë për çmimin Nobel në Letërsi, ku njëri nga pjesëmarrësit më serioz është edhe idhulli kombëtar i letrave shqipe, z. Ismail Kadare, të cilit i urojmë nga zemra, që me 11 tetor të këtij viti, ta fitoj këtë çmim të merituar, për të cilin ai me të drejtë për të satën herë, konkurron.
Njeriu që u lind në njërën nga shtëpitë karakteristike shqiptare dhe rrit në gurët e kalldrëmeve pranë kalasë shekullore të qytetit të Gjirokastrës e cila ruajti me devotshmëri krenarin e së kaluarës, u bë shkrimtari më i madh që kanë nxjerrë ndonjëherë trojet tona.
Ai rriti dhe ndriçoi më tepër mitet ,legjendat dhe historinë e kombit, duke i ngritur e përjetësuar ato në piedestalin e artit, dhe bërë të njohur në gjithë arenën ndërkombëtare.
Kadare, në vitin 2007, ishte fituesi i parë nga vendet jo anglishtfolëse të çmimit ndërkombëtar "Man Booker" në Amerikë,u vlerësua me Çmimin e lartë Princi i Asturias në vitin 2009 në Spanjë dhe mbetet Pretenduesi më serioz për marrjen e çmimit Nobel për letërsi edhe këtë vit, në Stokholm të Suedisë.
Marrja e këtij çmimi, do të jetë nderim edhe për kombin,veprat e të cilit çmohen kudo,megjithëse si çdo herë, edhe kësaj radhe, atij i bëhet një e padrejtë e madhe, përderisa nuk e gëzon përkrahjen e duhur,edhe nga lidhjet e shkrimtarëve të dy shteteve tona.
Shqipëria,Kosova, Akademitë e shkencave, lidhjet e shkrimtarëve, të gjitha organet dhe personalitetet me rëndësi, çdo herë në momentet më vendimtare, i mbeten borxh Kadaresë,ani pse ai gjatë gjithë jetës,kontribuoi shumë për të gjithë shqiptarët?!
Veprat e tij, janë të njohura e të përkthyera me shumë dashamirësi në gjithë Botën ,madje disa prej tyre me të drejtë,cilësohen si Vepra të Shekullit, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kjo edhe pati bërë që ato-qysh herët, ti kalonin kufijtë e tokës së pa shkelur shqiptare,dhe të përktheheshin në mbi 30 gjuhë të botës,të cilat jo vetëm atij por të gjithë shqiptarëve kudo, u bënë nder si komb, në kohën kur çdo gjë ishte e kufizuar,vihej nën thjerrëzën e censurës së pushtetit dhe trajtohej me një kontroll të hekurt shtetëror.
Në shkrimet e tij,kurdoherë, vend parësor gjeti,gjuha, legjenda dhe historia e kombit, vuajtjet, heroizmi dhe mbijetesa e zorshme e popullit tonë të vogël, rrethuar nga shumë armiq dhe në të gjitha anët me fqinjë hegjemonist e grabitqar të pa shembullt.
Kadare, edhe sot vijon të përfaqësoj më denjësisht se çdo autor tjetër, kulmin e vlerave të letërsisë sonë kombëtare në arenën mbarë botërore.
Megjithatë,inteligjencia shqiptare,në vend të përkrahjes edhe në këto kohë, sikur vazhdon luftën e pa arsyeshme kundër Kadaresë, nga xhelozia ndaj madhështisë që ai gëzon.
Veprat e famshme të tij,si "Dimri i madh", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" "Prilli i thyer","Piramida", "Dosja H", "Tri elegji për Kosovën" e shumë vepra të tjera,përshkruhen në mënyrë aq të përsosur,sa që në brendësinë e tyre,ato përmbajnë vet kuptimin e jetës, deri në imtësi.
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", u punua edhe si film televiziv,kurse veprat e tij më të njohura u përkthyen në mbi 30 gjuhë të huaja, të cilat jo vetëm Kadarenë,por Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi, i bënë të njohur dhe të vlerësuar në gjithë Botën.
Shtëpia e njohur botuese Fayard në Paris, që në fillim të viteve të`90-ta, për herë të parë do të botonte një autor të saj në dy gjuhë-frëngjisht dhe shqip,dhe ky autor ishte Ismail Kadare,botimi i serisë së veprave të të cilit, tanimë bëhej për herë të tretë, një nder i veçantë ky, që i bëhej jo vetëm shkrimtarit,por edhe gjuhës ,kulturës dhe shkrimeve shqipe në përgjithësi.
Letërsia jonë me penën e Kadaresë,përjetoi një fat,që nuk mund ta ketë secili popull edhe nga kombet më të mëdha në rajon e më gjerë.Ai nuk është vetëm letrar i shquar por edhe kombëdashës i madh, në veprat e të cilit Atdheu dhe Kombi janë themeli i ngritjes së shkrimeve të tij në lartësi të pashembullta, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndaj,të gjithë ne pa dallim,sot duhet ti dalim krah-Kadaresë,të lobojmë për të kudo që arrijmë,ta ndihmojmë atë me të gjitha mundësit që kemi dhe përcjellim e mbështesim pa hile kandidaturën e tij, deri në fund për marrjen e çmimit Nobel për letërsi,me të cilin ai përfundimisht, në mënyrën më të mirë dhe përjetësisht, do ta nderonte me kulmin e vlerësimit ndërkombëtar, letërsinë, artin e kulturën tonë, veten dhe Kombin Shqiptar në përgjithësi.