Edhe një hap para, në prag të mbledhjes së dy qeverive
Shkruar: Nga Behgjet Pacolli
Këto ditë në Prizren do të mblidhet për herë të parë në historinë e dy vendeve tona, të kombit shqiptar, dy përfaqësi të zgjeruara të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj të gjithë e kanë mësuar se Këshillat e ministrave të Maqedonisë dhe të Serbisë kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët. Edhe ata të Bullgarisë me atë të Maqedonisë.
Sot do marrim vesh qartë nëse ka apo jo një program të bashkëpunimit të harmonizuar afatshkurtër apo afatmesëm midis dy pjesëve të një kombi. Sot do të marrim vesh nëse ky takim ka vetëm karakter protokollar, apo një program të vërtetë pune, për sot dhe për të ardhmen.
Mediat do të merren gjatë me këtë mbledhje, por unë dua të them në fillim modestisht se çkam bërë për tja arritur kësaj dite. Dhe çfarë shoh unë se duhet të ndodhë nesër.
Çfarë kam bërë para kësaj mbledhjeje?
Në përpjekjet e mia për të bërë diçka për vendin dhe kombin tim, ka me siguri dy fjalë kyçe: bashkim dhe ekonomi. Këtë eksursion retrospektiv për aktivitetet e mia në favor të një forme institucionale të bashkëpunimit midis dy pjesëve të ndara të kombit, po e filloj me Unionin e afaristëve shqiptarë në vitin 2000. Ishte një inisiativë që bëri bashkë brenda njerëz të afarizmit nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera etnike.
Më pas në 2006, unë themelova SEED, i cili synonte të nxiste inisiativat e përbashkëta në rajon në favor të zhvillimit ekonomik. Për këtë zhvillim ekonomik kam folur shumë në fushatën e 2007-ës së AKR-së, megjithëse nuk munda dhe nuk desha të përfshihesha në qeverisje asokohe. Në vitin 2007, ndoqa me shumë interes idenë e intelektualit të shquar Arbën Xhaferi, për të ashtuquajturin Komunuelth shqiptar.
Kam folur për një hapësirë ekonomike të përbashkët kombëtare në parlamentin e Shqipërisë si President në mars 2011. Dhe më në fund në dhjetor 2012, së bashku me 100 individë të shquar shqiptarë me histori suksesi në botë, pjesë e Albanian Excellence, së bashku me ish Presidentët e Shqipërisë, Moisiu dhe Meidani, zanafilluam Lëvizjen për Unionin Ekonomik Shqiptar.
E bëra këtë hyrje për të treguar se në angazhimin tim publik ka një lloj koherence në lidhje me këto fjalë kyçe: ekonomi dhe bashkim. Asnjëherë nuk jam luhatur në bindjet e mia profesionale. Asnjëherë sjam lëkundur nga idetë e mia për privatizimin në Kosovë dhe modelet e tij, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, për arsimin profesional, për zonat e lira ekonomike.
Të jesh koherent sot në politikë, dmth të jesh i ndershëm me premtimet e tua, me idetë e tua. Makiavelizmit, mashtrimit të politikës i jam përgjigjur gjithmonë me koherencë, me ndershmëri, pa i lëvizur fjalëve të mia, ideve të mia. Të jesh koherent do të thotë dhe të jesh i qëndrueshëm në kohë. Ti mbahesh një boshti, një strategjie, një vizioni.
Të mendosh në afat të gjatë. Për fat të mirë qytetarët e dy komunave më të industrializuara të Kosovës, Gjakova dhe Mitrovica për të cilat unë kam propozuar që herët ngritjen e dy zonave të lira ekonomike, e vlerësuan këtë strategji, këtë vizion. Sot kur ideja ime për mbledhjet e dy qeverive që unë e shpalla në Parlamentin e Shqipërisë si president po realizohet, unë dua të shpall ide të tjera të programit tonë që na çojnë një hap para kah themelimi i një Unioni ekonomik.
Nga mbledhja e qeverive tek ideja e Unionit Ekonomik
Siç e thashë dhe më sipër, në fund të vitit që shkoi, unë së bashku me një grup politikanësh të vjetër dhe të rinj shqiptarë, me individualitete të shquar nga Kosova dhe diaspora, me autoritete akademike, kam shpallur idenë e Unionit Ekonomik.
E kam bërë këtë në formën e një Lëvizjeje qytetare, në kapacitetin tim të një qytetari aktiv dhe jo të zëvendëskryministrit të Kosovës. Kam patur drojen për të mos implikuar qeverinë e Kosovës në një inisiativë të tillë, që nga dikush mund të interpretohet si papajtueshmëri me rolin tim institucional.
Por kjo ide në pikëpamje të shqetësimit ndërkombëtar nuk krijon kurrfarë problemi krahasuar me iniciativa të ngjashme më të zgjeruara si ajo e Beneluksit ballkanik, West Balkan Six, apo G6 ballkanike ku bëjnë pjesë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Ne thjesht në këtë idenë tonë për Unionin ekonomik qartësojmë se tash shqiptarët nuk i pengon kush që të rikrijojnë potencialet e tyre ekonomike kombëtare siç ishin para copëtimit në 1912, pavarësisht formës së integrimit: në një Union ekonomik panshqiptar, apo në një Beneluks ballkanik. Shqiptarët janë praktikisht motori kryesor i çdo forme të integrimit rajonal, pse janë komb numerikisht i krahasueshëm me të tjerët, dhe falë heqjes së barrierave, do të krijonin realitete ekonomike konkuruese në shërbim të mirëqenies së tyre kombëtare.
Ideja e Unionit ekonomik shqiptar është një ide që e forcon aleancën tonë strategjike me perëndimin. Çdo ide tjetër për bashkimin e shqiptarëve, pa u koordinuar me faktorin perëndimor, gjegjësisht me SHBA-të dhe Unionin Europian për kohën, për modalitetet, është jo frytdhënëse në gjykimin tim. Madje është kundërprodhuese.
Ajo krijon probleme me atë që duhet të jetë sot objektiv strategjik jo vetëm i Kosovës sonë, por mbarë kombit shqiptar: anëtarësimin e Kosovës në OKB. Një kërkesë e tillë publike, pa bërë minimumin kah bashkimi- i jep hapësirë Serbisë të kërkojë ndarjen e Kosovës siç e bën herë pas herë, kryeministri Daçiq.
Ideja e Unionit Ekonomik Shqiptar është një ide e mbështetur në modelin e krijimit të Unionit Ekonomik Europian. A janë sovrane sot shtetet e Europës? Sigurisht, vetëm se kanë hequr dorë nga një pjesë e sovranitetit në emër të një organizate të përbashkët. A na pengon dikush ne që të shkojmë kah ky lloj bashkimi? Jo.
A i krijojmë pengesa perëndimit në objektivat që ka për Kosovën dhe rajonin? Jo. Pse? Sepse ne në këtë fazë nuk po kërkojmë bashkim territorial, por pajtueshmëri ekonomike, kulturore, akademike, shoqërore të kombit, të dy shteteve, apo më shumë sipas modelit europian.
Ideja e Unionit Ekonomik Shqiptar është mbështetur në modelin e Këshillit Nordik. A janë vendet e Gadishullit nordik sovrane dhe të pavarura? Sigurisht që po. Që në vitet e para pas luftës, në 1951 krijuan Këshillin ndërparlamentar Nordik i cili mblidhet periodikisht. Në të janë përfaqësuar në mënyrë proporcionale sipas numrit të popullsisë të gjitha vendet.
Ky Këshill ka vendosur që në fillim për tregun e lirë të punës dhe lëvizjen e lirë pa pasaportë të nordikëve mes shteteve të Këshillit, që pa u krijuar Shëngeni. Nevoja për institucione të tjera koordinuese në favor të mirëqenies së përbashkët për disa kombe që kanë shumë ngjashmëri, i ka bërë që të ecin dhe më tej.
Në vitet 70, vendet nordike kanë krijuar Këshillin e ministrave nordike. Këto institucione nuk i kanë penguar vendet nordike as të hyjnë në Bashkimin Europian, as të heqin dorë nga sovraniteti i tyre për të cilin janë shumë xhelozë. Kur këtë e kanë bërë disa vende me shumë ngjashmëri, por jo i njëjti komb, pse smund ta bëjmë ne me Shqipërinë që jemi një komb?
Ideja jonë për Unionin Ekonomik shqiptar reflekton saktësisht këtë model. A duhet të mendojmë ne për mirëqenien e kombit tonë më së pari? Po, duke u mbështetur tek burimet tona natyrore, materiale, dhe njerëzore si komb, sepse bashkë ja dalim më mirë, më shpejt.
Kush do të bëjë planet për një ecje të përbashkët? Kush do tja japë softuerin kësaj ecjeje apo Lëvizjeje të përbashkët kah Unioni Europian ku duam të anëtarësohemi? Intelektualët, njerëzit e ditur, brenda dhe jashtë hapësirës sonë kombëtare, duke llogaritur dhe diasporën si kapacitet intelektual dhe ndërmarrës.
Tani kur mbledhja e qeverive po bëhet realitet, pse të mos kemi dhe ne një mbledhje periodike të parlamentarëve tanë? Mbledhja periodike e tyre, ajo e kryeministrave apo kryetarëve të qeverive do të punojë sipas softuerit të përgatitur nga njerëzit e dijes.
Ata do të ekzekutojnë programin tonë të mirëqenies. Shumë mirë mbledhja e dy përfaqësive të zgjeruara të qeverive, por do duhet takohen rregullisht dhe ministrat e resoreve të ndryshme. Edhe shoqëria civile do duhet të takohet.
Në skenën tonë partiake po flitet shumë për bashkimin politik, por janë të qarta problemet që krijohen nga moskoordinimi me perëndimin, dhe ska kurrfarë radhe veprimesh. Unë mendoj se duhet të punojmë për ekonominë më së pari, për kulturën, shkencën, akademinë, mediat dhe sportet.
Bashkim në BE, por më parë, Bashkim si BE-ja. Por duhet të koordinohemi. Mungon koordinimi dhe për sfida më të vogla. Ne sduhet të presim se do të na koordinojnë të tjerët.
Këtë duhet ta bëjmë vetë. Ndërsa ne hedhim një hap si ky i Mbledhjes së qeverive, duhet ta kemi të gatshëm planin për hapin tjetër: ku duhet të shkojmë. Nëse ne jemi bindës se nuk rrezikojmë askënd, dhe jemi brenda frymës europiane, atëherë askush nuk mund të na ndalë. Koha punon për Kosovën dhe kombin shqiptar.