22 Dhjetor 2024

Edhe një fluturim i Edita Tahirit për kompromise të reja

Shrkuar nga Lëvizja Vetëvendosje!


Kompromisi i Zëvendëskryeministres së Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, me Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Borislav Stefanovic, nuk do të kalojë. Këto negociata po na imponohen vazhdimisht, me synimin që ta shkëpusin prej vendit tonë një pjesë integrale të cilën tash njëmbëdhjetë vite po e spastrojnë etnikisht prej shqiptarëve.

Sot shqiptarët nuk udhëtojnë dot në një pjesë të vendit të tyre, që e kanë uzurpuar strukturat ilegale të shtetit serb, i cili jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por punon haptazi  për rrënimin e saj.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është nisur sërish për në Bruksel për të rifilluar negociatat me Serbinë. Këto negociata nuk janë veçse një mjet i fundit legjitimues për të përmbyllur zhvendosjen e dhunshme të shqiptarëve prej vendit të tyre, ndërkohë që po ua zaptojnë shtëpitë e trojet dhe jetën po ua bëjnë të pamundur përmes bastisjeve e kriminalitetit të bandave paramilitare e militare të Serbisë. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kuptohet se këto negociata nuk rrezikojnë vetëm veriun, por të gjithë Kosovën. Rezultat i këtyre negociatave është varfërimi ekonomik, është pamundësimi i zhvillimit, është diktati i pushtetit të kontrabandistëve, është inkurajimi i Serbisë për apetitet e saj.

Vetëvendosje! nuk ka për ta lejuar kurorëzimin e paqtë të pushtetit të Thaçit me synimet e Serbisë në Kosovë. Edita Tahiri po shkon në Bruksel për të takuar Stefanovicin edhe pas barrikadimit të strukturave ilegale në veri. Ajo po shkon të bëjë pazar mbi atdheun, përderisa qeveria që ajo përfaqëson i ka braktisur tashmë shqiptarët, të cilët po detyrohen të vetëmbrohen ndaj plaçkitësve e dhunuesve që tash kanë marrë kontrollin e çerekut të vendit tonë.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! sot planifikuan një protestë, për të ndërprerë rrugën e Edita Tahirit drejt aeroportit, për ta bllokuar udhëtimin e saj me trupat tanë.
Sepse, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është më mirë të qëndrojë në Kosovë. Sa herë shkon në Bruksel ajo kthehet prej andej me premtime të vjetra e me koncesione të reja për Serbinë.

Policia e Kosovës që prej mëngjesit ka qenë duke patrulluar rrugën nga do të kalonte Edita Tahiri, e mobilizuar për ta mbrojtur atë prej protestave të qytetarëve. Duke mbrojtur Edita Tahirin, në fakt është mbrojtur kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës, një kompromis që mund të tregtohet në Bruksel, por që në popull nuk ka për të kaluar.

Gjatë patrullimeve të tyre policët ndalën dhe shoqëruan në stacion të policisë disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!, ku edhe i kanë mbajtur për disa orë, derisa Edita ka kaluar pa ia shqetësuar asnjë protestë rrugën e saj drejt negociatave me Stefanovicin.

Aktivistët u arrestuan pa kryer kurrfarë shkelje ligjore, ata kishin me vete vetëm një pankartë, e nuk ishin duke penguar askënd. Mirëpo policia e Kosovës tashmë ka filluar të ushtrojë dhunë me paragjykime politike, ajo i ndal njerëzit jo në bazë të ligjeve apo veprimeve që ata bëjnë, po thjesht pse e di që ata janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!. Pra, policia gjersa nuk ia mundëson dot udhën në atdhe të vet shqiptarit, sot qeverisë po ia liron udhën për në negociata.

I njohim mirë regjimet që shoqërojnë në polici qytetarët vetëm pse kanë me vete një parullë. Në këtë parullë ishte shkruar “Kompromisi nuk kalon!”, por parulla tashmë është konfiskuar, një provë e vullnetit të qeverisë për ta mbrojtur kompromisin, edhe në dëm të popullit e vendit tonë.

Edita Tahirin e ruajnë me policë, e ruajnë nga populli i vet, sepse e dinë se ajo e shefat e saj po ia bëjnë gjëmën këtij vendi. Mirëpo, le ta mësojnë mirë, se nëse ata e shesin atdheun llogaria ka për të qenë e shtrenjtë. Edita mund t’ia shtrëngojë dorën Borkos, Hashim Thaçi është krenar që e ka takuar Boris Tadicin, ministrat e Prishtinës dhe të Beogradit sot mund të ndihen mirë, por kompromisi nuk ka për të kaluar kurrë në popull.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)