E vërteta përtej çdo dyshimi
Shkruar nga Samuel Zhbogar
"Zgjidhjet tuaja le të pasqyrojnë shpresat, jo frikën tuaj." (Nelson Mandela)
Që nga koha kur Kuvendi Parlamentar i Këshillit të Evropës miratoi raportin "Trajtimi jonjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë" në janar të vitit 2011, ne kosovarët dhe ndërkombëtarët e kemi ditur se kjo ditë mund të vijë; kur hetimi i ngjarjeve të përshkruara në këtë raport do të çonte në procedura të mundshme gjyqësore.
Besoj se Kosova dhe miqtë e saj brenda bashkësisë ndërkombëtare e kanë kërkuar këtë ditë, jo si diçka për t'iu frikësuar, por me shpresën se supozimet do të qartësohen një herë e përgjithmonë. Këto supozime ose duhet të largohen, ose të procedohen përmes padive të caktuara kundër individëve, të cilët supozohen të kenë bërë krime pa dijeninë dhe sigurisht pa pëlqimin e qytetarëve të Kosovës.
Në vitin 2011, BE-ja përmes EULEX-it ka marrë përgjegjësinë për ta drejtuar këtë proces dhe kështu themeloi një Task Forcë për Hetime Speciale. Ajo edhe emëroi një prokuror special i cili e filloi hetimin e këtyre supozimeve, rezultatet e të cilit priten në muajt e ardhshëm. Ne nuk dimë se çfarë do të prezantojë ai. Megjithatë, ne e dimë se duhet të jemi të përgatitur për mundësinë e ngritjes së padive. Prandaj, është e rëndësishme që të kemi një plan për gjykatën e cila do të merrej me paditë e tilla.
Kosova pohon se asgjë nuk ka të vërtetë në këto supozime. Edhe mund të jetë ashtu. Mirëpo, këtë mund ta definojë vetëm mekanizmi gjyqësor kompetent. Kjo mund të bëhet përmes themelimit në mënyrë të besueshme të një gjykate speciale - të besueshme për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo fillimisht të besueshme për drejtësinë.
Meqë Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë marrë përgjegjësinë mbi vete, ne duhet të jemi të bindur se ky proces është i besueshëm dhe mund të sigurojë një vlerësim të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë për të vërtetën përtej çdo dyshimi. Përfundimisht, e vërteta është ajo që qytetarët e Kosovës e dëshirojnë.
Ajo që ne, BE-ja, së bashku me SHBA-të, po propozojmë është një gjykate speciale brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, me selinë në Kosovë por që procedurat e ndjeshme, përfshirë seancat dëgjimore, do të zhvilloheshin jashtë Kosovës.
Po dëgjoj se ka shumë mosbesim lidhur me këtë gjykatë dhe se qytetarët po frikësohen se ajo mund të rishkruajë historinë e luftës. Kjo gjykatë nuk është për përndjekjen e Kosovës apo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Proceset gjyqësore nuk do të ndryshojnë faktet historike: diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës në ish-Jugosllavi, përndjekjen dhe largimin e tyre nga vendet e punës, nga shkollat si dhe nga shtëpitë e tyre. Kjo nuk do të ndryshojë faktet e vuajtjes së civilëve gjatë luftës. Gjykata do të ekzistojë për të vendosur rreth individëve të caktuar që mund të kenë kryer ose jo krime të rënda. Interesi i Kosovës duhet të jetë para interesave të kriminelëve të mundshëm.
Jam në dijeni se shumë njerëz në Kosovë nuk mund ta kuptojnë se pse kjo gjykatë themelohet për këto krime dhe jo për të tjerat. Më shumë se dhjetë mijë persona janë vrarë dhe më shumë se pesë mijë persona janë zhdukur, prej të cilëve 1.700 ende janë të zhdukur, shumë krime të luftës tashmë janë përndjekur nga ICTY, EULEX, dhe nga gjykatat serbe. Por është e vërtetë, shumë autor krimesh duhet akoma të ndiqen. Mirëpo, meqenëse çështjet që kanë të bëjnë me raportin e Këshillit të Evropës kanë një natyrë komplekse dhe të ndjeshme, përfshirë juridiksionet e shumta dhe karakterin shumë-kombëtar të krimeve, një rast i tillë do të ishte një sfidë madje edhe për sistemet gjyqësore më të pjekura. Për të adresuar një rast të tillë, Kosova ka nevojë për një mekanizëm gjyqësor të veçantë, i cili ka mundësi të trajtojë këtë kompleksitet.
Unë nuk besoj se ka krime kundër njerëzve tanë ose njerëzve të atyre. Hetimet nuk duhet të kushtëzohen nga hetimi dhe përndjekja e krimeve të atyre. Krimi është krim dhe të gjithë duhet të përndiqen. Përmes lejimit të hetimit të viktimave të palës tjetër, ne nuk përulim në asnjë mënyrë viktimat "tona". Në të kundërtën, ne mund të ndërtojmë një shpresë dhe pritje më të fuqishme se fati i të gjitha viktimave duhet të qartësohet, personat e zhdukur duhet të gjenden dhe plagët duhet të shërohen.
Jam i vetëdijshëm se me një gjykatë të tillë shumë i frikësohen imazhit të Kosovës. Megjithatë do të argumentoja se qartësimi i akuzimeve të tilla do të heqë një re të zezë që ka gllabëruar Kosovën. Do të hiqte argumentin që vazhdon ta ushqejë paragjykimin për Kosovën.
Propozimi për një gjykatë speciale është mënyra më e shpejtë për Kosovën që të lëvizë tutje përtej raportit të Marty-t. Kjo në fund të fundit mund të përmirësojë reputacionin e Kosovës.
E kuptojmë se ky është një vendim i vështirë për Kosovën dhe për Kuvendin e Kosovës. Kërkon shumë ndershmëri, kurajë dhe besim në sundim të ligjit dhe drejtësi. Dhe unë besoj se 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të reflektojnë mbi këtë shpresë për një të ardhme më të mirë evropiane.
/Autori është Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së)