07 Janar 2025

E vërteta live, je suis "Stupcat"!

Shkruar nga Gani Qarri

Ju jeni "Heronjtë" tanë të këtyre ditëve.Menjëherë pas skeçit të famshëm “Strategjia”, në shumë emisione televizive, radio dhe gazeta, shpërthyen qindra e mijëra qëndrime emocionale, “pro et kontra” ndaj aktorëve të apostrofuar.

Ata u kthyen në "Heronjë" të ditëve tona, megjithëse në realitet, ka vite që nëpër kuluare flitej, fillimisht paksa fshehur e nën “mbulojë”, e më vonë zëshëm dhe gjithnjë e më drejtpërdrejtë, duke përmendur emrat konkret që u vranë, autorët e supozuar dhe vendet ku ndodhën eliminimet.

Kurse tani tregohen hapur, edhe bosët e zaptimit të objekteve, përvetësuesit e pronave dhe grabitësit e shumë pasurive të Kosovës, në vitet e pasluftës.

Projektimi i planeve, thuhet se u bë qysh para përfundimit të luftës. Sipas disave,nëpër hotele e lokale private, e sipas të tjerëve edhe nëpër male, ngjashëm me pamjet, që na i sollën, “Stupcat” edhe nëpër shtëpit tona, përmes valëve radiofuzive.

Nuk thuhet më kotë se “ku ka tym, ka edhe zjarr”! Vet mbetja zvarrë dhe mos-zbardhja e shumë, apo gati të gjitha rasteve të pazbuluara, mbi vrasjen e emrave më emblematik të luftës dhe personaliteteve të shquara të udhëheqjes e organizimit të saj, që nga vitit 1996, e deri më tani, pas dremitjes së gjatë të ligjit dhe drejtësisë në vend, shtynë kureshtaret, emrat e njohur të humorit, artit dhe kulturës, e pse jo edhe familjarët dhe banorët e thjeshtë të këtij vendi, që së paku, në këtë formë,qoftë edhe auto-“detektive”, tu vinë në ndihmë organeve të fjetura shtetërore me "fakt-gjetjet" e “zbuluara” nga ajo që flitet e përflitet, tash e sa kohë, kudo.

Mbetja enigmë,siç u cekë këto ditë edhe në emisione televizive, për mëse njëzet vjet me radhë e vrasjes së Mehë Ukës, qysh nga 29 dhjetori i vitit 1996, vrasja e Zahir Pajazitit me shokët më të mirë,më 31 Dhjetor të vitit 1997,vrasja pas rreth tri ditë e netë luftimesh heroike dhe qëndresës vetmohuese- por vetëm familjare, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1988, pa asnjë ndihmë, nga jashtë, derisa ranë Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari me pothuaj të gjithë antarët e tjerë të familjes që u gjendën në shtëpi, dhjetë prej të cilëve ishin fëmijë, momente të tilla tragjike, shpesh kanë nxitë pikëpyetje.

Vrasja më 9 maj 1998, e Ilir Konushevcit, ekzekutimi i Ahmet Krasniqit më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë, e vrasjet e shumë personaliteteve tjera të njohura, mbetur pa gjykuar dhe pa dalë asnjëherë e autorëve, para drejtësisë, në Shqipëri, as Kosovë, ka ndikuar që më në fund dikund të krisë, dhe shpërthejë, e ndoshta pikërisht atje,ku "burrat e paprekshëm” të vendit, më së paku e dëshironin, qoftë edhe si protestë, të "kamufluar" përmes humorit.

Por, kjo nuk i jep të drejtën askujt, madje as atyre që kanë hipur mbi ligjin dhe kalërojnë për shumë vite, ashtu si dëshirojnë ata, me të, që më në fund ti linçojnë edhe AKTORËT, në formën dhe mënyrën si ata duan dhe pretendojnë.

Shqiptarët, siç duket janë ngopur me “lavdinë” e "heronjëve" të tillë dhe përfundimisht kanë vendosur, të krijojnë një mburojë të fuqishme e të njëmendët njerëzore për humoristët më të guximshëm që duan të promovojnë me majën e mprehtë të të vërtetës.

Madje, ne si popull e kemi edhe për obligim, që ti përkrahim dhe mbështesim artistët tanë, e sidomos AUTORËT e kësaj Satire tragjikomike e cila vërtetë, vetëm tani u filmua që ta shohim të gjithë "live"zhvillimin e hidhur, por që në realitet për shumë vite luhet e stërluhet, para syve tanë, ndaj dhe duhet të gjithë pa dallim ,të solidarizohemi hapur dhe shprehemi sa më fuqishëm se ne: Jemi me "Stupcat"!  

Kjo edhe për faktin se nuk janë vetëm vrasjet e shumta, që mbetën të pa ndriçuara asnjëherë, por edhe pasuria marramendëse e politikanëve dhe ish komandantëve,krijuar në mënyrë të paligjshme, të cilët në vend të pranimit të fajësisë dhe publikimit të keqbërjeve të veta serioze, duan të shpikin ligj, për ndalimin e aktorëve, komedisë dhe satirës, që të mos "zbulohen" asnjë nga aktet makabre.

E siç dihet, nuk është vetëm një-janë disa, madje shumë të tillë, që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë e të paligjshme, kurse burimet nuk janë të njohura, siç ka numër të madh vrasjesh ende të pa ndriçuara, autorët dhe shkaqet e të cilave, gjithashtu mbeten të pazbuluara asnjëherë deri më tani.

Kështu që si Populli i Kosovës, as prindërit dhe familjet, mjerisht ende nuk e dinë, se kush ua dha të drejtën, autorëve të krimit, të organizonin dhe vrisnin, pikërisht ushtarët, të cilët luftuan me gjithë zemër për lirinë e atdheut dhe çlirimin e tij,nga pushtuesi.

Madje, ata poshtu ende nuk e dinë,se si ka mundësi që nga atëherë, e deri më sot, të kalojnë gjithë këto vite, në "liri" dhe shqiptarët  ende të mos i dinë, autorët e vrasjeve të djemëve më të mirë të këtij vendi, as rrethanat dhe mënyrën e pasurimit të komandantëve, pas lufte.  

Ndaj, mos gaboni ti kërcënoni edhe "Stupcat" se populli, është me ta!

Ju, që krijuat "Zajednicën" serbe në zemër të Kosovës!  

Ju, që ua shitët tokat më të mira të atdheut, vendeve fqinje.

Ju që megjithatë, jo vetëm se nuk i konsideroni, njërën as tjetrën-rrezik për vendin, por edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, këto akte tradhtie, nuk i bëni, fare "të mëdha" dhe ende i mbroni ato padrejtësisht, por me këmbëngulje të tmerrshme.

Ju, shkoni aq largë sa, tani gjeni guximin që edhe vetëm një "skeç" të humoristëve tanë, ta rrisni dhe ngrini në kërcënim për "Kosovën"!?

Jo, harrojeni!!!

Këtë nuk mund ta bënu ju, as nuk duhet ta pranojnë shqiptarët.

Sidomos në këtë rast, ne populli jemi me aktorët tanë më të guximshëm. Me përçuesit e drejtpërdrejtë të së vërtetës,me të cilët në këto momente edhe shpirtërisht,i madh e i vogël, solidarizohemi plotësisht, dhe hapur e me gjithë zemër, deklarojmë:  

"Je suis Stupcat"!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)