22 Dhjetor 2024

E «shkreta» Kosovë!

Shkruar nga Redan Bushati

 

Të shkretë e mjerane ty të bënë! Sot, ti mbyll veshët dhe gojën. Sot, ti ke frikë nga gjithçkaja, e ndonëse thonë që «shkjau ndodhet matanë kufirit», vetëm unë dhe ti, o Kosovë, e dimë që ai ndodhet m'u në zemrën tënde. Ndoshta po vlerësoj si shumë vehten, por sigurisht ka edhe intelektualë, shpirtmirë e patriotë që ty o Kosovë ta dinë hallin. Këto nuk janë vargje poetike, as thirrje «derdimenësh» dhe «sharlatanësh» politik. Këto janë fakte, këto janë dëshmi, këto janë pikërisht ato që ti mban mbi supe, problemet e tua që vijnë, pikërisht nga ti. (Mos m'u zemno o Kosova eme e dashtun, nuk e kam me ty drejtazi, e kam me «spordhjakët» që po lozin me fatin tënd, e fatkeqësisht ato janë djemtë e tu!)

Kush më shumë e kush më pak, që të gjithë jemi të vetëdijshëm se «zitë e ullirit» ke hequr, e dimë luftën tënde të gjatë, plagët tuaja ende të hapura, shumë jetë të vdekura e të zhdukura etj., që mos qofshin përmendur, pasi vështirë të ndalemi. Vuajtjet tuaja janë një listë e gjatë dhe historia do të mbesin përherë borxh me ty, pasi «historinë e shkruan fituesi», ndërsa humbësi dëgjon pallavrat të thuhen. Ne jemi dëshmitarë të historisë sonë dhe të vlerave tona kombëtare, por si gjithmonë për ne kanë shkruar të tjerët si kanë dashur. Edhe sot, politika është ajo që po bën çdo gjë dhe brezat që pasojnë ndjejnë të mirën apo të keqen që paraardhësit e tyre kanë bërë. A nuk kemi klane serbe apo greke brenda spektrit tonë politik?! A nuk ndikojnë shpesh këto në hartimin e politikave sipas planeve të tyre duke dëmtuar nacionalitetin tonë kombëtar?! Mos më thoni që nuk është e vërtetë! Ose nëse keni frikë ta deklaroni, më mirë heshtni!


Objekti i kësaj analize nuk është trajtimi historik, por aktualiteti politik në Kosovë, i cili nuk po arrin të njohë ato nivele që kosovarët dhe ne shqiptarët matanë kufirit kemi dashur. Sinqerisht, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës jemi kënaqur që të gjithë, sa kaq shumë ishim të dehur nga gëzimi derisa nuk na bënte fare përshtypje ai flamur, që do të përfaqësonte nesër shtetin e ri të Kosovës. Asokohe, edhe deklaratat e sulmet që bënte lëvizja «Vetëvendosje» kundrejt qeverisë për një fakt të tillë nuk na bënin edhe aq përshtypje, si të thuash nuk e vrisnin veshin tonë. Por, po e fillojmë me atë pankartë të madhe m'u në mes të Prishtinës, ku mes lotësh e ndjenjash të zjarrta atdhetare thërriste zemra e secilit prej nesh «Bac, u Kry!». Do të kalonin ditët dhe sa shtohej numri i atyre, të cilët pas emrit madhështoro-hyjnor «Bac» do të vendosnin edhe pjesëzën mohuese «nuk», pra saktësisht «Bac, nuk u kry!». Në dukje lojë fjalësh, shumë syresh nuk ju bëhet vonë, e ndërkohë që ndërkombëtarët mes jetës së tyre luksoze nuk e dinë kalvarin e gjatë të vuajtjeve të kosovarëve, e në përgjithësi të mbarë shqiptarëve anëkënd, nuk arrijnë të deshifrojnë historikisht këtë shprehje, e cila saktëson aktualitetin mbarëshqiptar dhe i vendos «vulën» serbe Kosovës!


(FAKT! Më 16 shkurt 2011, një ditë para takimit me liderin dhe deputetë të «Vetëvendosje» duke shëtitur në Kosovë vizituam veçmas veri-lindjen e saj për të mbërritur në Llap dhe aktualisht në pikën kufitare me Serbinë, Përpëllac. Me sytë tanë kemi shikuar tre ushtarë serbë të fshehur pas një shkurreje dhe që afroheshin drejt nesh të armatosur për të hyrë në territorin e Kosovës). Sikur vetëm kaq, a nuk lind e nevojshme të shtrohet pyetja «A ka siguri në Kosovë?», «Nga kush kontrollohet veriu i vendit?», «Ç'duan forcat serbe të shkelin edhe brenda territorit shqiptar?», fundja «Kjo është pavarësia e Kosovës?!». Nga këtu dhe mes të tjerash arrihet qartë të kuptohet se në Kosovë nuk ka siguri. Sigurisht, kjo vjen nga një pavarësi e cunguar dhe e diktuar nga të tjerët. A për këtë u bë gjithë ajo luftë e UÇK-së, që të vendosin të tjerët edhe njësinë territoriale, edhe formën e pavarësisë?! Për çdo gjë ka një shpjegim dhe një arsye, e kjo situatë arsyen e gjen tek politika kosovare, tek këto «djem» të Kosovës, të cilët kanë marrë përsipër t'i shërbejnë Beogradit, gjoja për fqinjësi të mirë. Ngjyrat e kombit pas disa vitesh do të humbasin, vlerat dhe traditat do të fillojnë të shuhen e luftëtarët idealist të UÇK-së të treten nën dhé. Një shtet, i cili tjetërson flamurin, nesër do ta bëjnë të tjetërsojnë çdo gjë. A nuk e diktuan ndërkombëtarët çështjen e dialogut me Serbinë?! Pikërisht, ky dialog i ka dhënë edhe një goditje tjetër Kosovës, pasi ajo futet në bisedime me një shtet, i cili nuk e dërgon në mendje që ta njohin. Kështu arrihen marrëveshjet?! Në gjuhën diplomatike në tryezë ulesh i barabartë dhe fiton konsensusi, fiton bashkëpunimi, fitojnë të dyja palët. Këtu, përveçse nuk hyhet në bisedime si të barabartë edhe fituese është Serbia, pasi ajo po zbaton një nga pikat e vendosura nga bashkësia ndërkombëtare, ulja në tryezë me palën kosovare.


Varfëria, ulja e mirëqënies sociale, korrupsioni, krimi i organizuar po e dëmtojnë edhe më shumë të ardhmen e vendit. Nepotizmi, kleptokracia dhe klientelizmi po qëndrojnë këmbëkryq në sferën politike të vendit. Gjithashtu, parashikimi që bën Roberto Saviano për Kosovën si «Kolumbi e dytë» dhe një «hambare» e korriere e drogës në Europë e më gjerë dëmton shumë integrimin e vendit. Makutëria politike për të monopolizuar çdo gjë ka fshirë nga kujtimi edhe vuajtjet e luftës, të paktën për ato deputetë që kanë qenë pjesëmarrës. Normalisht, ato që e deshën atdheun nuk janë më, pasi «ato shkuan në luftë dhe luftuan», ç'ka do të thotë që kur kanë shkuar e kanë ditur se ndoshta edhe nuk do të kthehen më dhe jetën e tyre nuk e kanë pasur pishman. Si gjithmonë në luftë ka edhe prej atyre që kur kalonin plumbat serbë fluturonin të fshiheshin sa më parë, paçka se shokët ishin në vijën e parë të frontit. Këto «dallkauk» e «brinjështazë» do t'i gjeni edhe në radhët e politikës kosovare. Çdo shtet ka nevojë për politikë, por për një politikë, e cila mendon për atë që e ka votuar, pra popullin. Dhe, populli kosovar dëshiron e meriton një jetë më të mirë, më të qetë, më me pak halle a probleme, me mirëqënie më të lartë sociale, me një rritje të shkallës së punësisë, me respektim territoresh dhe sovraniteti, e në përgjithësi me një politikë, e cila është e konsoliduar dhe ka plane afatgjata të shtetndërtimit të Kosovës, duke forcuar kështu edhe jetën ekonomike të vendit.


Së fundi, Kosova ka nevojë për kosovarët. Ajo ka nevojë për orientim kombëtar dhe në gjuhën e popullit duhet të flitet dhe këndohet vetëm shqip, mbi çatiat e shtëpijave duhet të valëvitet vetëm flamuri «kuq e zi» dhe çdo pjesë e territorit duhet të kontrollohet nga ne. Kjo duhet të fillojë nga një zgjim kombëtar, i cili duhet të reformojë dhe të nisë nga e para ndërtimin e një shteti demokratik dhe atdhedashës. Përrallat me mbret që «në Europë nuk ka nacionalizëm» nuk kanë sens. Në çdo shtet të Europës kur të dëgjojnë duke folur gjuhën e tyre të «përkëdhelin», kur të shikojnë se ti admiron kulturën e tyre (më falni për shprehjen) «shurrohen» nga gëzimi, e kur shikojnë se ti punon dhe kontribuon në vendin e tyre të thonë «ti je prej nesh». A thua kjo nuk quhet nacionalizëm?! Mirë pra, provojeni t'ia djegni flamurin serbit apo grekut?! Ndërkohë që flamurin tonë ato... nejse! Gjithsesi, sot ka nevojë aty ku flitet shqip edhe të vendoset po shqip, ajo shqipja jonë e dashur. Kosova ka nevojë për ndërtim, ka nevojë për orientim, ka nevojë për fjalën e popullit.

(Autori eshte Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës, shkurt K.S.U.SH)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)