23 Dhjetor 2024

Dy vjet nga “damkosja” e demokracisë shqiptare

Shkruar nga Redan Bushati

Sot dy vite më parë u “damkos” keqas demokracia shqiptare. Përpos gjakut të humbur kotazi nga katër qytetarë, qyqar thuaj, të cilët ndodheshin të pranishëm në demonstratën e 21 janarit 2011, iu bë atentat i hapur demokracisë shqiptare, e cila edhe ashtu e brishtë siç ish, mori goditjen e radhës, - një goditje e fuqishme, - që përveçse traumatizoi popullin, duke i futur frikën në palcë dhe duke e nënshtruar e vënë përposhtazi njëherë e mirë ndaj pushtetit, fundosi kryekëput demokracinë shqiptare, duke vulosur çapitjen çalamane të saj.

Në demonstratën protestuese të së premtes së zezë kundër varfërisë lebetitëse, papunësisë së lartë, korrupsionit të pamëshirshëm, krimit të organizuar dhe padrejtësive sociale, u vranë katër veta: Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Ndërkaq, tetë protestues u plagosën me armë zjarri nga forcat gardiste, 35 qytetarë (të deklaruar) u keqtrajtuan dhe u dhunuan nga policia e punonjës civilë të saj, por që ky numër mund të jetë shumë herë më i lartë, ndërsa 128 vetë u arrestuan dhe u ndaluan, shumica prej tyre në kushte flagrance.

Populli ka të drejtë të protestojë ndaj klasës politike qeverisëse. Ai edhe mund të kalojë caqet e protestës së tij, por forcat e rendit janë aty për të përballuar me dinjitet indinjatën e thellë të protestuesve, zbutur tensionin demonstrues, mundësisht me sa më pak dëme, e mbi të gjitha pa viktima.

Kjo është detyra e shtetit. Nëse protestuesit nuk e kuptojnë se ku janë caqet e protestës, forcat shtetërore duhet ta dinë se deri ku shkon e drejta e tyre, duke zbatuar rigorozisht rregullat e ligjet, që mbrojnë në çdo mënyrë jetën e protestuesit, qytetarit të vendit tënd.

E nëse protesta është shuar pa viktima dhe pa të dhunuar, atëherë në ditët e pastajme forca e ligjit do të veprojë mbi shkelësit e tij, duke u kërkuar llogari për tejkalimin e normales, ligjores, së pranueshmes.

Kësisoj pushteti i një shteti të përkorë do të vërtetojë më së miri, jo vetëm që e çmon jetën e njeriut, të qytetarit e popullit të tij, porse gëzon në mënyrë të plotë mishërimin e vlerave më të arrira demokratike.

Vendi ynë, Shqipëria, që Zoti e ka gatitur qëmoti, me duart e veta për të qenë pjesë e Europës, me plot hijeshi natyrore, sqimatare dhe hijerëndë me ato majat e larta e me fushat plot gjelbërim të paanë, ashtu si ngahera ka pasur armiq të ligë e të mbrapshtë, të cilët i kanë sjellur shumë dëme e pakëz të mira tokës arbërore.

Armiqtë e saj, nuk ishin(janë) tjetër, veçse shqiptarë. Në mesin e këtyre ligësive e tragjedive jemi lëkundur, tundur, shkundur, rraskapitur e sakatosur për të mbërritur deri në ditët e sotme, thuajse të nëpërkëmbur.

Kjo është mënxyra shqiptare e shqiptarëve: të telendisur si mos më keq, ata tashmë i jepen më të fortit e më të pushtetshmit, duke mos arritur të ngrejnë krye karshi padrejtësive të shumta.

Duke u mësuar me to, jetojnë prej kohësh në një simbiozë të çuditshme, ku interesi njerëzor nuk kalon pragun e derës së shtëpisë.

E duke qenë kështu, as përdhunimi, as vdekja dhe asgjë prej gjëje që nuk cënon cakun e shtëpisë së secilit sosh nuk bën më përshtypje, ndaj reagimi civil është në të vagëlluar.

Ja, pra, pse veç familjes dhe të afërmve të Faikut, Ziverit, Hekuranit, Aleksit e pakkujt tjetër, kjo tragjedi e beftë nuk ka goditur mû siç duhet zemrat e popullit shqiptar; shpirtrat e secilit prej nesh, duke filluar nga shkruesi i këtyre radhëve, duhet të ishin të drobitura nga tallazet e një trazimi të brendshëm shpirtëror derisa autorët e kësaj tragjedie të rraseshin e të kalbeshin pas hekurave, që aq fort kudo gjetkë nëpër vendet me demokraci reale, pamëdyshje do ta meritonin si ndëshkim ndaj krimit monstruoz të kryer, duke vrarë jo katër njerëz të thjeshtë, por para së gjithash duke “damkosur” demokracinë në Shqipëri, shkatërruar institucionin e fjalës së lirë dhe shpirtin e protestës, duke shtuar lemeritjen popullore e pranuar heshtazi të keqen, ngjashëm siç kjo tokë e bekuar nga Zoti, por që po shkatërrohet dita-ditës nga robi, kaloi përafrisht 50 vite gjatë komunizmit gjakatar hoxhian.

Sa kohë që populli nuk pipëtin ndaj tmerreve të këtij lloji, ndaj arsyetimit makiavelik të klasës politike, ndaj regjimeve autokratike që pengojnë fjalën e lirë dhe frymën protestuese, edhe nëse kjo e fundit kalon limitet e saj, shoqëria shqiptare do të përpëlitet vajtueshëm në kthetrat e kobshme të së keqes, duke u mundur njëherë e përgjithmonë dhe kredhur në zi si qyqe.

Në fund, pavarësisht kësaj tymtaje të lemerisshme tragjike, e cila të vret shi në mes të rrugës, s’duhet të bjerrim shpresën e fundit. Koha nuk ka perënduar tërësisht, edhe pse drita e saj mezi duket, por që mban gjithsesi shpresën të varur te një ndryshim i pritshëm; duket se kërkohet një Rilindje, por një Rilindje Europiane, bash ashtu siç projektuan dhe kërkuan rilindasit tanë të mëdhenj.

Kjo rilindje e shek. XXI kërkon të rinj e të reja, vajza e djem, gra e burra të papërlyer më parë, e që janë të gatshëm të japin nga vetja, ato çka demokracia shqiptare i ka të gjymta: rritjen e ndërgjegjësimit, frymës së vullnetarizmit dhe ndjenjës vetjake të përgjegjësisë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)