27 Dhjetor 2024

Durrësi - trashëgimia kulturore në Shqipëri dhe Kosovë

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli

Me shqetësim të madh po e përcjelli tërë atë që po ndodhë në qytetin antik të Durrësit ,me rastin e fillimi të punimeve për ndërtimin e një sheshi të ri “ Veliera ” (anije mesjetare me vela) prej betoni në hyrjen e portit detar,i cili po kërcënon të shkatërrojë trashëgiminë arkeologjike shekullore në qytetin e Dyrrachiumit të vjetër mijëvjeçar.

Nuk është hera e parë që nuk respektohen ligjet normat dhe standardet e trashëgimisë kulturore në këtë qytet me vlera të mëdha arkeologjike dhe historike, që bindshëm argumenton ekzistencën e popullit shqiptar në këto hapësira që nga viti 627 para Krishtit, i populluar nga ilirët e fisit të Taulantëve dhe Parthinëve.

  Në vitin 2010 gjatë gërmimeve për ndërtime të larta u zbuluan gërmadhat një lagjeje të lashtë të kohës romake në zonën “B” arkeologjike,çuditërisht me lejen e organeve përgjegjëse shtetërore u lejua shkatërrimi i një lagjeje të tërë urbane, e një vlere unikale arkeologjike,ajo sot është  e mbuluar nga strukturat prej betoni të një pallati,në atë kohë nuk patën sukses reagimet e drejta të profesionistëve.


Në rastin e sheshit  “ Veliera ” tentohet të ketë edhe falsifikime të gjendjes reale arkeologjike të zonave  “A” ose “B” (sipas ligjit për zonifikimin arkeologjik),që kurrsesi nuk arsyetojnë veprimet e atyre që kanë iniciuar një ide të tillë në dëm të trashëgimisë arkeologjike,me të cilën duhet të krenohet Durrësi dhe e tërë Shqipëria.

Domosdo duhet ta kenë të qartë të gjithë se qytetin e  vjetër, të hulumtuar dhe të pa hulumtuar, duhet mbrojtur tërësish, për shkak të vlerave të mëdha të trashëgimisë arkeologjike dhe historiket  të pa kontestuara që i ka.

Provokimet e tilla urbane duhet ndaluar rreptësisht në këtë pjesë të qytetit,duhet ndërprerë ndërtimet mbi gërmadhat e të kaluarës së ndritshme të“Muzeut të nëntokës” , si e quajnë disa, pasi ato dëshmi të dikurshëm gjenden të mbuluara nga ndërtimet që kishin pasuar ma vonë.

Është detyrë e planifikuesve urban që të krijojnë ndërlidhen organike në mes të vjetrës dhe të resë, duke e ruajtur me xhelozi të kaluarën e ndritshme të tij e cila duhet të shërben si model inspirues për gjeneratat e reja. Identiteti urban i krijuar me shekuj është bazament ideal për vazhdimësi urbane, duhet ruajtur dhe kultivuar e jo me metoda abuzive me i shkatërruar ato vlera,ashtu si është vepruar në  vitet e fundit , dhe po tentohet edhe në rastin “ Veliera ”.

Ky është vetëm një rast i dhimbshëm që është dukuri normale në Shqipëri dhe Kosovë si rezultat i veprimeve të pakuptimta të vendimmarrësve tanë.

Ende i kamë të freskëta veprimet e pa kontrolluara të popullatës në vitin e brishtë 1997 në Shqipëri, më artefaktet dhe monument e kulturës fiktive dhe nëpër muzetë shtetëror.

Dëmtimi, shkatërrimi,vjedhja,plaçkitja,shitja me çmime qesharake, bartja jashtë shtetit ishin dukuri normale atë kohë,shumë të dëmshme për shtetin dhe të kaluarën tone, të cilën shtetet fqinjë dhe kulturat tjera me para të vogla i kanë përvetësuar si të tyre, duke e shtrembëruar të kaluarën tonë historike.

Nëntoka e territoreve ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët e sodit në Shqipëri,Kosovë dhe shtetet tjera të Ballkanit është shumë e pasur me gjurmë të një civilizimi të vjetër pellazgo – ilir.

Rrethanat jo të favorshme historike si dhe pushtimet barbare nuk kanë mundësuar që të hulumtohen rrënjësisht, për të argumentuar të vërtetën historike e cila shumë kujt në Ballkan dhe Evropë iu ka penguar dhe iu pengon edhe sot.

Çka është  e vërteta kishte disa perioda të shkurta historike ku hulumtimet arkeologjike ishin ma intensive,kjo vlen posaçërisht për Shqipërinë pasi Kosovës dhe territoreve tjera me shqiptarë nuk iu lejohej një gjë e tillë.


Duke i ditur këto rrethana historike tmerrësisht irriton sjellja e pa përgjegjshme e vendimmarrësve në të dy shtetet nda trajtimit jo adekuat të trashëgimisë kulturore.

Rasti i Durrësi,Gjirokastrës,Tiranës e shumë lokaliteteve tjera në Shqipëri, janë shenja serioze se nuk  duhet lejuar ata që janë përgjegjës të lejojnë të rrënohen objektet të cilat janë nën mbrojtjen e shtetit si në Tiranë dhe Gjirokastër.

Mos trajtimi adekuat i trashëgimisë në Berat dhe Gjirokastër  kishte detyruar Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2015, të vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri mos të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Situata në Kosovë me trashëgimin kulturore dhe historike është edhe ma dëshpëruese,në këto tetëmbëdhjetë (18) vite liri, me të gjitha mjetet  po e shkatërrojmë trashëgiminë kulturore.

Me vetëdije me të madhe po e zhdukim të kaluarën tonë,fare pa u brengosur për identitetin tonë urban dhe rural i cili kurrë nuk është trajtuar seriozisht.

Ndërtimet me leje e pa leje,uzurpimet e pronës publike,prishja e zbulimeve arkeologjike, rrënimi dhe zhdukja e tyre, janë vetëm një imtësi në arsenalin e veprimeve kundër ligjore që i kemi bërë këtyre viteve.

Ka disa ndryshime të vogla pozitive por ato janë shumë pak me e treguar seriozitetin në trajtimin e kësaj problematike, aq ma parë kur kemi tendenca për me u anëtarësuar në UNESCO.

Ka shumë për të thënë për trashëgiminë kulturore dhe trajtimin e saj nga vet ne shqiptarët në shekullin e ri XXI,thelbësore është që qasja ndaj kësaj problematike rrënjësisht duhet ndryshuar, si në përmbajtje ashtu edhe në shfrytëzimin adekuat të sajë. Ajo është një pasuri e çmueshme me vlera të mëdha që popujve tjerë iu mungon.

Ekonomia e tregut dhe partneriteti publiko privat janë shanse reale që ajo në mënyrë adekuate të shfrytëzohet. Investimet e mençura në turizmin kulturor vetëm do të ngritë vlerën e kësaj pasurie shtetërore cila kurrsesi nuk guxon me u privatizuar.

Për  këtë duhet bërë përgatitje profesionale të përcjella me legjislacion adekuat dhe me monitorim konstant në procesin e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të atyre vlerave.

Është koha e fundit me e ndryshuar mendësinë tonë naive,si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë,pasuria materiale shkon e vjen e neve na mbesin pasojat e veprimeve abuzive të një kohe të brishtë.

Kush na ka faj për këtë pos vet ne, të mendojmë pak për ketë çka jemi duke i bërë vetes,bota shef dhe çuditet pasi ne këto veprime i bëjmë haptas pa u ngurruar fare,pa u fshehur nga organet shtetërore,që në princip nuk reagojnë edhe se e kanë detyrë parësore me e mbrojtur rendin,ligjin dhe kushtetutën.

/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)